Pavarësisht se termi hendikep i përfshin të gjithë personat me aftësi të kufizuara, nga interpretimi i Doganës, nëse do të ishe person nën moshën 18 me aftësi të kufizuara, person i verbër, ose ngaqë automjetin nuk mund ta vozisësh vetë prandaj ndihmën e kujdestarit e ke të nevojshme, përjashtohesh nga e drejta që ligjet përkatëse e parashohin
Nuk kam qenë gjithmonë njohës i mirë i karakteristikave të automjeteve (kerreve), por gjatë viteve të fundit më është dashur të mësoja për të dhënat sipërfaqësore që procedurat, siç është regjistrimi i automjetit, të përmbushen ashtu siç kërkohet. Madje intensiteti për të mësuar se si kjo procedurë duhet ndjekur vetëm sa rritej dhe më zgjonte kureshtjen, sepse në ligjet për personat me aftësi të kufizuara parashihet e drejta për t’u liruar nga detyrimet doganore gjatë regjistrimit të automjetit.
Pavarësisht se kjo e drejtë parashihet në ligjet përkatëse, autoriteti i Doganës në Kosovë i ka dhënë përparësi Kodit të vet doganor mbi ligjet dhe Kushtetutën - duke i interpretuar dhe vendosur kushte sipas qejfit të vet. Mënyra se si ky institucion ka vepruar na thotë se për ta shfrytëzuar këtë të drejtë ne, si persona me aftësi të kufizuara, duhet të posedojmë lejen e vozitjes (patentën e shoferit) dhe dëmtimin e ekstremiteteve duhet ta kemi në atë shkallë që nuk e pengon vozitjen e automjetit.
Në ligjet që flasin për të drejtat tona, kushtet që dogana i ka caktuar nuk përmenden për asnjë moment. Mirëpo nga ky veprim është krijuar precedent, ku persona nën 18 vjeç, persona me dëmtime të mëdha të ekstremiteteve që nuk mund të vozisin automjetin vetë (Neni 10) dhe persona të verbër (Neni 6) janë privuar nga të drejtat që garantohen në ligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe në ligjin për personat e verbër.
Këto shkelje janë adresuar edhe tek Avokati i Popullit, i cili ka hartuar një raport të publikuar në uebfaqen e këtij institucioni. Ky raport paraqet raste të shumta që e kanë pasur të pamundur t’i ushtrojnë këto të drejta, qoftë nga përfituesi i kësaj të drejte apo përmes kujdestarit. Megjithëkëtë, përpjekjet kanë shkuar huq dhe ky institucion e ka pasur të pamundur ta ndryshojë situatën në lidhje me këtë çështje deri në ditën e sotme.
Është e logjikshme të presësh që nenet në Kodin Doganor, në të cilin Dogana e Kosovës bazohet, të ishin në kundërshtim me të drejtat që parashihen për kategoritë e lartpërmendura. Por, si për të na çuditur, këto janë në përputhje të plotë me atë që kodi e parasheh, duke na thënë se: automjeti motorik, për shkak se është i dizajnuar për avancim shoqëror, arsimor dhe punësim, lirohet nga detyrimet e importit – nëse ai importohet nga persona me paaftësi fizike apo mendore.
Përveç kësaj, pavarësisht Nenit 78 në Kodin doganor, paragrafi 1, ku thuhet se "dhënia e lirimit të drejtpërdrejtë nga dogana për personat e verbër apo për personat e tjerë me hendikep", institucioni ka vendosur të interpretojë termin hendikep vetë - për të na thënë se lirimet nga detyrimet doganore u takojnë vetëm personave që ekstremitetet i kanë të dëmtuara aq sa vozitjen e automjetit mund ta bëjnë në mënyrë autonome (për ta sqaruar për lexuesit, termi hendikep përdoret për t’iu referuar personave me aftësi të kufizuara).
Pra, pavarësisht se termi hendikep i përfshin të gjithë personat me aftësi të kufizuara, nga interpretimi i doganës, nëse do të ishe person nën moshën 18 me aftësi të kufizuara, person i verbër, ose ngaqë automjetin nuk mund ta vozisësh vetë prandaj ndihmën e kujdestarit e ke të nevojshme, përjashtohesh nga e drejta që ligjet përkatëse e parashohin.
Po e paraqes këtë ngjarje për t'i informuar lexuesit se automjetin që ne e posedojmë, i dizajnuar për t'iu përshtatur kërkesave të një përdoruesi të karrocës, kujdestari im e vozit me një lloj autorizimi. Sepse e gjithë barra financiare ka rënë mbi ne, ngaqë Dogana i shpërfill rregullat ligjore që thonë se Kushtetuta dhe ligjet janë me përparësi zbatimi përballë Kodit.
Raporti i hartuar nga Avokati i Popullit është publikuar para disa vjetësh. Arsyeja për moszbatimin e kësaj të drejte është e njohur tashmë, pasi autoritetet e doganës i interpretojnë ligjet sipas qejfit të tyre, duke na vënë kushte që nuk ekzistojnë në ligje. Sot e kësaj dite autoritetet vendimmarrëse vazhdojnë t'i mbyllin sytë ndaj këtij precedenti. Andaj, derisa po e shkruaja këtë shkrim, shprehja që po më vinte në mendje ishte se nuk kemi pse ta zbulojmë ujin e nxehtë, sepse një çështje kaq e thjeshtë do të duhej të ishte zgjidhur deri më tani e pse jo edhe harruar.