OpEd

Kur e presim ferrin e pasdites

Nganjëherë vdesin më pak se dhjetë persona, nganjëherë mbi dhjetë: drama me COVID-in në Kosovë vazhdon. Në këto rrethana Qeveria duhet të jetë 24 orë në shërbim të qytetareve dhe qytetarëve dhe jo të merret me fushatën elektorale në Shqipëri. Kush s’e ka kuptuar këtë, ai nuk e ka kuptuar as përgjegjësinë e të qenit në krye të Qeverisë

Kur në tetor të vitit 2019 Lëvizja Vetëvendosje i fitoi ngushtë zgjedhjet, pritjet e qytetareve dhe qytetarëve qenë të mëdha. Ekzistonte shpresa se një koalicion mes VV-së dhe LDK-së do të punonte për të mirën e vendit dhe kësisoj do të hapte edhe një kapitull të ri të politikës kosovare. Me vonesë të madhe Qeveria u zgjodh në fillim të shkurtit 2020 dhe pas pak javësh u rrëzua nga Kuvendi i Kosovës, pas një polemike me plot helm dhe pas kurtheve, presioneve e lojërave të ndyra të një emisari amerikan që kishte vetëm një qëllim: që shefit të tij t’ia prezantonte një marrëveshje dosido mes Kosovës e Serbisë. Këtë marrëveshje shefi i Shtëpisë së Bardhë pastaj do ta shfrytëzonte për fushatën elektorale para zgjedhjeve të nëntorit 2020 në SHBA.

Pas rrëzimit të Qeverisë së A. Kurtit, Qeveria tjetër e A. Hotit nënshkroi një letër në Washington në një ceremoni të organizuar shpejt e shpejt. Marrëveshja nuk i ndihmoi D. Trumpit për të mbetur president. Në fushatë ai tha se kishte arritur diçka që të tjerët s’po e arrinin me dekada: disa myslimanë dhe disa të krishterë atje poshtë nga luginat e Ballkanit ishin pajtuar t’i groposnin sëpatat dhe të punonin për të ardhmen e përbashkët e paqësore. Kjo ishte larg së vërtetës, por kush bëhej merak për këtë. Secili statist luante rolin e kërkuar prej tij.

Ndërkohë pandemia në Kosovë po bënte kërdi. Qeveria bëhej sikur po merrej me këtë problem, por një qasje serioze nuk shihej askund. Duke qenë Qeveri pa autoritet të madh publik, masat e saj s’merreshin seriozisht nga qytetaret dhe qytetarët. Kafehanet vazhdonin të ishin plot. Distanca sociale nuk mbahej. Numri i të vdekurve herë binte, herë rritej. Herë vdisnin nën 10 persona, herë mbi 10. Vdekjet u shndërruan në “normalitet”. Në vjeshtën e vitit 2019, pasi i fitoi zgjedhjet, A. Kurti e “rizbuloi” Shqipërinë. I rrethuar me gazetarë të Tiranës që e përdornin e keqpërdornin për ta ngritur në piedestalin e liderit opozitar shqiptar kundër socialistëve të E. Ramës, A. Kurti disa javë i kaloi duke defiluar nga një studio në tjetrën në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ndërkohë është zgjedhur Qeveria e dytë e A. Kurtit, pas fitores së madhe më 14 shkurt. VV (me Listën Vjosa) i mori (gati) krejt dhe drejt. Asnjë parti dhe asnjë politikan s’ka pasur më shumë pushtet në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Dhe çfarë ndodhi? Pas shumë luhatjeve dhe derisa gjendja me pandeminë po keqësohej, Qeveria vendosi një mbyllje disaditore, por pa e dërguar mesazhin vendimtar se mbyllja nuk domethënë sorollatje nëpër Shqipëri. Ideja e mbylljes është që secili të bëjë një sakrificë për të shpëtuar sa më shumë jetë. Mbyllja do të kishte kuptim nëse për 10 ditë do të mbylleshin edhe kufijtë, duke kërkuar qartë nga secili qytetar se braktisja e vendit s’mund të bëhet për qejfe të ndryshme private, por vetëm në raste urgjente.

Ç’ndodhi? Pas mbylljes, qytetarët iu vërsulën Shqipërisë. Ndërkohë çdo ditë e presim tmerrin e pasdites, kur autoritetet shëndetësore prezantojnë shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve (kishte ditë kur rezultonin nga rreth 1000 veta të infektuar). Apelet e Qeverisë mbi gjendjen dramatike qenë të zbehta. Madje ministra e deputetë të VV-së iu bashkuan aradheve të qytetarëve drejt Shqipërisë. Jo vetëm për të pirë kafe e për t’u dëfryer në bregdetin shqiptar. Jo, ministrat dhe deputetët shkuan me mision: të marrin pjesë në fushatën elektorale të Shqipërisë, ku kandidon edhe një degë e VV-së me kandidatë që bartin etiketën “të pavarur”. Kishte politikanë të VV-së që morën pjesë edhe në protesta në Shqipëri.

Sorollatja e tyre nëpër Shqipëri është gabim. Gabim politik dhe gabim pandemik. Kjo sorollatje shkakton keqkuptime dhe tensione të panevojshme. Kjo sorollatje e pengon edhe bashkëpunimin institucional mes dy vendeve. Sepse një qeveri që përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër, gjithsesi do ta ketë vështirë të krijojë raport mirëbesimi me një qeveri eventuale të nesërme në Tiranë, të cilën Qeveria e Prishtinës synon ta dëbojë nga pushteti. Edhe përzierjet pa takt të politikanëve të Shqipërisë në punët e brendshme të Kosovës në të kaluarën kanë shkaktuar dëme, polemika e keqkuptime të panevojshme. Le të punojë secili në kopshtin e vet për të mirën e përbashkët. Ndryshimet në Shqipëri nuk vijnë nga jashtë. Çdo nismë politike duhet të jetë burimore, ndryshe s'ka sukses.

Drama me COVID-in në Kosovë vazhdon. Në këto rrethana Qeveria duhet të jetë 24 orë në shërbim të qytetareve dhe qytetarëve dhe jo të merret me fushatën elektorale në Shqipëri. Kush s’e ka kuptuar këtë, ai nuk e ka kuptuar as përgjegjësinë e të qenit në krye të Qeverisë.