OpEd

Mësimet e Wilsonit

Fisnik dhe intensivisht idealist Wilsoni refuzonte kompromise dhe negociata. Sikur çdo moralist për Wilsonin fjala kompromis ishte eufemizëm për tradhti. Jeta e Wilsonit është mësim i bukur se si idetë më sublime vdesin si pasojë e ideatorëve të tyre

Që nga ditët e para kur homo sapiensi ka dalë nga Afrika e deri te kohët moderne njerëzimi ka zgjedhur dhunën për të rregulluar raportet në mes tyre. Sidoqoftë me kalimin e kohës liderët kuptuan që mënyra më e mirë për ta parandaluar dhunën është ngritja e një lloj strukture bashkëpunimi e cila do t’iu lejojë që të materializojnë interesat e tyre në mënyrë paqësore. Kësisoj nga Vestfalia e deri te Koncerti i Evropës perandoritë evropiane i vendosën themelet e një bashkëpunimi të strukturuar ndërkombëtar. Por “paqja e përhershme” e Kantit do të duhet të presë njëqind vjet të tjera për ardhjen e dishepullit të saj.

Emri i Woodraw Wilson-it është sinonim i bashkëpunimit ndërkombëtar. Si dëshmitar i shkatërrimit që kishte sjellë Lufta e Parë Botërore presidenti amerikan ishte i gatshëm të vendoste gjithë presidencën e tij në shërbim të ngritjes së një strukture globale të bashkëpunimit e cila do të garantonte paqe të përhershme për njerëzimin.

Kur Wilson i hyri garës për president fati ishte në anën e tij. Kundërshtari i tij kryesor, Partia Republikane, u nda në dysh kur Theodore Roosvelt u rebelua dhe themeloi Partinë Progresive. Me kundërshtarët e përçarë dhe të kthyer kundër njëri-tjetrit fitorja e Wilsonit ishte e garantuar. Presidenca e Wilsonit ishte një kohë e progresit të madh politik, ekonomik dhe social amerikan. Pax Americana ishte në zanafillën e saj. Me fillimin e shekullit XX Uashingtoni filloi ta pozicionojë veten si lider i botës së lirë. Sidoqoftë si shtet i ri SHBA-ja ende kishte dyshime për vete dhe rolin që kishte në botë. I mbrojtur nga dy oqeane populli amerikan preferonte që të qëndronte larg terrorit që po kaplonte kontinentin evropian me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Por Wilsoni kuptoi që çfarë po ndodhte në Evropë përbënte interesin kyç të sigurisë nacionale amerikane, rrjedhimisht ai mori përsipër që ta udhëheqë popullin e tij drejt rolit global që i takonte.

Politika e jashtme e Wilsonit ishte intensivisht idealiste, moraliste dhe parimore. Si dishepull i Kantit ai besonte se SHBA-ja duhet të jetë fanari i së mirës në botë dhe shembulli që të tjerët duhet ta përcjellin. “Amerika është ide. Është ideal. Është vizion”, thoshte Wilsoni. Kjo ishte edhe arsyeja përse ai nuk mund qëndronte duarkryq përderisa forcat e së keqes ishin gati të pushtonin gjithë Evropën. Ndonëse telegrami i Zimmermannit ishte casus belli për hyrje në luftë, në thelb Wilsoni e shihte luftën si çështje morale dhe civilizuese. “Civilizimi është në udhëkryq...Amerika është e nderuar që të japë gjak dhe jetë për të mbrojtur paqen dhe lumturinë me të cilën jemi të bekuar që nga lindja e shtetit tonë”, deklaroi solemnisht Wilsoni në mesazhin e tij të luftës para Kongresit amerikan. Përfshirja amerikane në Luftën e Parë Botërore ndryshoi kursin e luftës dhe siguroi fitoren e aleatëve. Por Wilsoni idealist njëkohësisht kuptoi se fitorja ushtarake dhe mjetet represive nuk do të garantojnë paqen botërore. Këtë do ta garantojë vetëm dialogu dhe mirëkuptimi. Kësisoj pas luftës Wilsoni vendosi gjithë presidencën e tij në shërbim të ngritjes së një strukture globale të bashkëpunimit e cila do t’i jepte fund dhunës njëherë e përgjithmonë. Kësisoj në janar të vitit 1918 ai do ta prezantojë planin e tij katërmbëdhjetë pikësh, i cili do të propozojë një rend të ri botëror të ngritur mbi diplomacinë, tregtinë e hapur, lirinë e navigimit detar, çarmatimin dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial. Gurthemel i gjithë këtij vizioni do të jetë një “komunitet i shteteve” që do ta marrë emrin Lidhja e Kombeve.

Por si çdo moralist Wilsoni kishte një mangësi të madhe: ishte jofleksibil. Kur Wilsoni bindte veten se një gjë është gjë e duhur ai ishte totalisht i paaftë të bënte kompromis. Çdo kompromis ishte i barabartë me tradhti. Ambasadori i Francës në SHBA kishte thënë njëherë për Wilsonin se “po të kishte jetuar disa shekuj më herët do të ishte tirani më i madh i botës pasi është i paaftë të pranojë se mund të jetë gabim”. Kjo do t’i kushtojë Wilsonit fillimisht në botën akademike ku do të humbte postin e presidentit të Universitetit të Princetonit sepse refuzonte negociata me lidershipin universitar mbi vizonin e tij për universitetin. Pikërisht kjo veti do t’i kushtojë edhe si president i SHBA-së.

Ngritja e Lidhjes së Kombeve ishte synim i guximshëm, vizionar dhe fisnik. Por përderisa populli amerikan mbështeti pjesëmarrjen në Luftën e Parë Botërore ai nuk ishte gati ta përfshinte veten më tutje në çështjet globale. Opozita në Amerikë - Partia Republikane - besonte se Amerika duhet ta ruajë pavarësinë e vet në botë dhe të mos kufizojë fuqinë e saj me traktatet e ndryshme ndërkombëtare. Njëkohësisht pas mbarimit të luftës ishte koha që Amerika t’i kthehet çështjeve të saj të brendshme. Por Wilsoni e injoroi gjithë këtë. Në vend që të punojë me Partinë Republikane për të negociuar ngritjen e Lidhjes së Kombeve, ai e konsideroi kundërshtimin Republikan si tradhti ndaj idealeve dhe interesave amerikane në botë. Kur erdhi koha për të udhëtuar në Paris për ta negociuar Lidhjen e Kombeve Wilsoni refuzoi t’i ftojë republikanët. Në vend të kompromisit Wilsoni iu ofroi republikanëve luftë. Republikanët e indinjuar u ndjenë të tradhtuar për mbështetjen dhe lojalitetin bipartizan që ofruan Wilsonit gjatë luftës. Kësisoj ngritja e Lidhjes së Kombeve u bë çështje partizane e politikës së brendshme amerikane. Dhe si e tillë ajo u fundos në Senatin Amerikan pasi Wilsoni dështoi të sigurojë votat e nevojshme për ratifikimin e saj. Kësisoj SHBA-ja asnjëherë nuk u bë anëtar i Lidhjes së Kombeve.

Wilsoni do të shpërblehet me çmimin Nobel për Paqe për vizionin dhe lidershipin e tij në ngritjen e Lidhjes së Kombeve, por ai asnjëherë nuk do ta shohë vizionin e tij të materializuar. Tërheqja e SHBA-së nga skena globale pas Luftës së Parë Botërore dhe mospërfshirja në Lidhjen e Kombeve do ta privojnë botën nga një organizatë globale e cila do të ishte e aftë të projektonte front të përbashkuar kundër Hitlerit dhe Musolinit. Kësisoj asnjëherë nuk do të kemi përgjigjen në një nga ato pyetjet kundërfaktike se si do të dukej historia alternative e botës nëse SHBA-ja do të bëhej vend anëtar i Lidhjes së Kombeve dhe do ta ruante Evropën nga çfarë po vinte.