Shkrimtari “boshnjak” Muharem Bazdulj nga çarshia e Beogradit shpif, gënjen, manipulon për Kosovën duke i shërbyer ultranacionalistëve serbë. Mizoritë e tij gjuhësore i shpërndan nga Manastiri i Deçanit edhe popi Sava Janjiq, i cili me Bazduljin sikur është duke bërë një garë se cili është ithtar më i madh i mendësisë së Vojisllav Sheshelit.
Muharem Bazdulj, siç i tregon edhe emri, është boshnjak, pra mysliman nga Bosnja, i lindur në Travnik. Nuk është shkrimtar pa talent, por ka disa vite që talentin e tij Muharem Bazdulj e dëshmon si shërbëtor i politikave nacionaliste serbomëdha. Bazdulj jeton e vërtitet prej kohësh nëpër Beograd, sepse Bosnja atij i duket e ngushtë, siç i është dukur Emir Kusturicës, pardon Nemanja Kusturicës, më të madhit serb prej se Car Llazari fluturoi në qiell. Në programet e mëngjesit dhe të mbrëmjes të televizioneve serbe Muharem Bazdulji vajton Serbinë, të cilës “ia kanë marrë Kosovën”. Në prononcimet e tij ai s’dallon shumë nga ultranacionalistët serbë, të cilët ëndërrojnë kthimin “triumfal” të Serbisë në Kosovë, aty ku Beogradi ka kryer krime të pafundme mbi shqiptarët.
Së fundi “Muharremi nga Travniku” në gazetën serbe “Novi standard” ka dëshmuar standarde të reja të poshtërsisë gjuhësore antishqiptare. Duke marrë shkas vdekjen e këngëtarit serb Gjorgje Ballasheviq, i cili në opinionin shqiptar u kritikua për shkak të disa shënimeve e gojë-qitjeve raciste antishqiptare, “Muharremi nga Travniku” në stilin e nxënësit të Vojislav Sheshelit përmes shkresurinës së tij përpiqet të tregojë se sa të privilegjuar paskan qenë shqiptarët në Jugosllavi dhe sa mosmirënjohës ndaj “zemërgjerësisë jugosllave”.
“Muharremi prej Travniku” shkruan se kur më 1986 Gjorgje Ballasheviqi publikoi këngën “Ne lomite mi bagrenje”, e cila përmban edhe vargje antishqiptare, kryetar i kryesisë së Jugosllavisë paskësh qenë Sinan Hasani. Qe, pra, sipas Bazduljit, dëshmia, se në postin e trashëgimtarit simbolik të Josip Broz Titos ishte një shqiptar etnik. Sipas “Muharremit nga Travniku” shqiptarët në Jugosllavi ishin pakicë, sepse përbënin rreth shtatë për qind të popullsisë. Kur ia mban anën nacionalizimit serb, siç bën “Muharremi nga Travniku”, atëherë historia mund të shikohet në këtë mënyrë. Por mund të shikohet edhe ndryshe: pas serbëve dhe kroatëve shqiptarët ishin – për nga numri - bashkësia e tretë etnike në Jugosllavi, pas tyre vinin sllovenët, maqedonasit, boshnjakët (bashkëkombësit e Bazduljit, nëse ai i konsideron ende bashkëkombës), malazezët, hungarezët dhe të tjerët. Ndonëse populli i tretë për nga numri, shqiptarët trajtoheshin si kombësi, pra si pakicë, dhe nuk kishin Republikën e tyre, siç e kishin, ta zëmë, nja 500 mijë malazezë apo nën dy milionë maqedonas.
Në vijim të tekstit të tij “Muharremi nga Travniku” e përzien pak kazanin e racistit. Thotë se ata që u gëzuan kur në SHBA më 2008 u zgjodh president pjesëtari i një pakice që përbën 14 për qind të popullsisë, janë të njëjtit që atakojnë “hegjemonizmin serbomadh” nga vitet 80-të. Sipas këtij këndvështrimi, Jugosllavia kishte zezakët e vet, ata ishin shqiptarët, por Jugosllavia ishte më zemërgjerë dhe ju dha më shumë të drejta shqiptarëve se ç’ju dha Amerika zezakëve. Në Amerikë tek më 2008 një zezak u zgjodh president.
Bazdulj s’ndalet me kaq. Ai thotë se pas Luftës së Dytë Botërore 74 për qind e popullsisë së Kosovës ishte analfabete, ndërsa 25 vjet më vonë në Prishtinë u hap Universiteti, ku studionin mbi 26 mijë studentë. E saktë, por hapja e Universitetit të Prishtinës nuk ka qenë meritë e “hegjemonizmit serb”, siç aludon Bazdulj me cinizëm, por rezultat i rrethanave të krijuara në Jugosllavi pas rënies nga pushteti të terroristit komunist Aleksandar Rankoviq, protestave të mëdha të shqiptarëve në Kosovë më 1968 dhe angazhimit të një pjese të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës që vepronin në kuadër të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për zgjerimin e të drejtave të shqiptarëve.
Me gjuhën e Sheshelit “Muharremi nga Travniku” me banim në Beograd thekson se më 1948 në Kosovë 68 për qind e popullsisë ishte shqiptare, ndërsa 27 për qind serbe. Në atë kohë “hegjemonizmit serbomadh” (thonjëzat janë të Bazduljit) i prinin Sllobodan Peneziq Kërcuni dhe Aleksandar Rankoviqi. “Rezultatet e punës së tyre u panë qartë më 1981 kur përqindja e shqiptarëve u rrit në 77 për qind, ndërsa përqindja e serbëve ra në 15 për qind”. Qe, pra, sërish, “Muharremi nga Travniku” duke vajtuar që Rankoviqi nuk e ka kryer punën si duhet në Kosovë, domethënë nuk ka vrarë, burgosur dhe dëbuar në Turqi sa duhet shqiptarë në mënyrë që Kosova të jetë “etnikisht e pastër, serbe”. Pak ka bërë Rankoviqi gjatë aksionit famëkeq të “mbledhjes së armëve” në Kosovë nga mesi i viteve 50-të. Ah, sikur ta kishte pasur “Muharremin nga Tavniku” adjutant në Drenicë dhe gjetiu në Kosovë. Çfarë karakteri i ndyrë dhe çfarë shovinisti serbomadh duhet të jesh për të shkruar pallavra dhe poshtërsi të tilla në një gazetë serbe si “Novi standard”? Duhet ta kesh emrin Muharem Bazdulj.
Nuk janë vetëm shqiptarët kundër të cilëve “Muharremi nga Travniku” shpif, gënjen e manipulon. Ai ankohet që edhe në Kroaci ka rënë numri i serbëve pas Luftës së Dytë Botërore, pa treguar shkaqet. E shkaqet si në Kosovë, si në Kroaci janë të thjeshta: serbët kanë jetuar në zona rurale dhe duke parë perspektivë në qytete si Beogradi në Serbi, kanë shitur pronat e tyre dhe si pasanikë të rinj kanë ndërtuar një perspektivë të re në Serbi.
Sa i përket përrallës së Muharem Bazduljit se Jugosllavia paskësh qenë më përparimtare në garantimin e të drejtave të pakicës shqiptare se Amerika ndaj zezakëve, duhet nënvizuar: Jugosllavia e Titos nuk u ka bërë dhurata shqiptarëve, por në kuadër të balancimit të pushteteve dhe përpjekjes për garantim të paqes sipërfaqësore, Kosova ka fituar disa të drejta vetëqeverisëse, ndonëse jo të mjaftueshme.
Ndoshta në tekstin e radhës “gjeniu nga Travniku” Muharem Bazdulj do të na tregojë se si Serbia në vitet 90-të ka qenë shtet vërtet tolerant dhe multietnik, sepse e ka bërë shef dogane hungarezin Mihajl Kertes, e ka trajtuar si hero Zoltan Danin, oficerin e ushtrisë serbe, njësia e të cilit në fund të marsit 1999 pati rrëzuar një avion të NATO-s (F-117 Nighthawk) dhe Sllobodan Millosheviqi në fillim të viteve 90-të e ka bërë ministër të Drejtësisë Tibor Varadin, po ashtu hungarez, i cili edhe sot mendon se Kosova është shkëputur ilegalisht nga Serbia.
Shkrimin e fundit antishqiptar të Muharem Bazduljit u ngut ta shpërndajë dhe lavdërojë në mediat sociale edhe popi nga Manastiri i Deçanit Sava Janjiq, i cili muajve të fundit është duke zhvilluar një garë me ultranacionalistët e Beogradit se kush po e përqafon më shumë mendësitë e Vojisllav Sheshelit. Por për përrallat dhe rrenat e Sava Janjiqit do të merremi në një shkrim tjetër