OpEd

Një goditje e rëndë kundër grave turke

Vetëm në vitin 2020 në Turqi janë vrarë 300 gra nga burrat e tyre. Presidentit Erdoan kjo, me sa duket, nuk i bën përshtypje. Në fundjavë ai ka nënshkruar një dekret për largimin e Turqisë nga Konventa e Stambollit, marrëveshja më e rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Sipas organizatës turke “Do t’i ndalim vrasjet e grave” në vitin 2020 në Turqi janë vrarë 300 gra nga burrat e tyre. Turqia është ndër vendet që ka më së shumti probleme me dhunën e burrave kundër grave. Por kjo nuk e ka ndalur presidentin Rexhep Taip Erdoan që me dekret të largojë Turqinë nga Konventa e Stambollit, e cila synon t’i mbrojë gratë nga dhuna. Me largimin nga kjo Konventë Erdoan duket se po tenton të mobilizojë shtresat konservatore dhe islamiste të shoqërisë turke përballë humbjes së vazhdueshme të përkrahjes nga popullsia. Në zgjedhjet lokale të vitit 2019 partia e Erdoanit humbi disa metropole të rëndësishme, mes tyre edhe Stambollin. Në mënyrë drastike ka rënë edhe përkrahja për Erdoanin dhe partinë e tij AKP nga ana e asaj që quhet “Gjenerata Z”, të rinj e të reja që janë rritur në “epokën e Erdoanit”, që nisi në vitin 2002.

Në opinionin turk është supozuar prej muajsh se Erdoan po përgatit shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Parlamenti dhe presidenti, sipas kalendarit elektoral, duhet të zgjidhen tek në qershor të vitit 2023. Por Erdoan duket se ka frikë se nëse pret deri atëherë, do të pësojë debakël.

Në një broshurë të Këshillit të Europës thuhet: “Konventa për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave

dhe dhunës në familje është traktati më i përparuar ndërkombëtar për të trajtuar te tilla shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Konventa synon të sigurojë tolerancë zero për këtë lloj dhune dhe është një hap i madh përpara për ta bërë Europën më të sigurt”.

Më tutje: “Parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave të saj dhe ndjekja penale e dhunuesve janë gurët e themeleve të kësaj Konvente. Ajo synon gjithashtu të ndryshojë mendësitë e individëve duke iu bërë thirrje pjesëtarëve të shoqërisë, në veçanti burrave dhe djemve, të ndryshojnë sjelljen. Në thelb, Konventa është një thirrje e re për barazi ndërmjet burrave dhe grave, pasi dhuna ndaj grave i ka rrënjët thellë në pabarazinë shoqërore dhe ka vijuar për shkak të kulturës të mostolerancës dhe mohimit”.

Konventa e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi. Kjo do të thotë që shtetet kanë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur kësaj dhune. Konventa kriminalizon vepra të tilla si: gjymtimin gjinor, martesën e detyruar, përndjekjen, abortin dhe sterilizimin e detyruar. Kjo do të thotë që shtetet do të detyrohen, për herë të parë, të përfshijnë këto vepra penale në sistemet e tyre ligjore. Konventa bën thirrje për përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe shërbimeve përkatëse shtetërore, në një qasje të koordinuar të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Qarqet islamiste në Turqi theksojnë se Konventa e rrezikon kulturën tradicionale të familjeve. Konventa është kundërshtuar edhe nga qarqet konservatore katolike dhe Kisha Katolike si institucion në Kroaci për shkak se “gjininë po e shndërron në ideologji”. Dekreti i Erdoanit për braktisjen e Konventës së Stambollit ka ngjallur shumë reagime. Presidenti amerikan Joe Biden u shpreh i zhgënjyer, BE i bëri thirrje presidentit turk që ta kthejë vendin e tij në kuadër të Konventës, Këshilli i Europës njoftoi se me largimin e Turqisë nga Konventa, grave turke u merret nga dora një instrument i rëndësishëm kundër dhunës. Turqia e kishte nënshkruar Konventën e Stambollit që më 2011 - si vendi i parë. Marrëveshja bart emrin e metropolit turk për shkak se është negociuar në Stamboll dhe aty është nënshkruar së pari nga 13 shtete anëtare të Këshillit të Europës.

Dalja nga Konventa renditet në mesin e disa masave të presidentit Erdoan me të cilat ai synon të konfrontohet si në politikën e jashtme ashtu edhe të brendshme, ndonëse ka deklaruar se do të përmirësojë raportet me BE-në dhe Amerikën. Në ditët e kaluara drejtësia turke, e cila kontrollohet nga qeveria e Erdoanit, nisi procedurën për ndalimin e partisë kurde HDP, e cila është partia e dytë për nga madhësia në Turqi dhe nuk votohet vetëm nga kurdët, por edhe nga turqit me orientim të majtë dhe liberal. Parlamenti turk i dominuar nga partia e Erdoanit AKP ia hoqi imunitetin deputetit Omer Gergeriollu, i cili është ndër politikanët më aktivë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në fundjavë Erdoan përveç dekretit për braktisje të Konventës së Stambollit e shkarkoi edhe shefin e Bankës Qendrore.