35 vjet më parë: polemika mes historianëve dhe intelektualëve të tjerë gjermanë mbi të kaluarën naziste dridhi Gjermaninë për një kohë të gjatë.
Në vitin 1986 historiani Ernst Nolte, ishte ftuar në Frankfurt të mbajë një ligjëratë mbi historinë gjermane. Ftesa u tërhoq dhe atij iu ndalua mbajtja e ligjëratës, pasi paraprakisht u kuptua përmbajtja e ligjëratës. Nolte nuk lëshoi pe. Ia dërgoi dorëshkrimin Joachim Festit, njërit prej editorëve të gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), përgjegjës për rubrikën e kulturës dhe autor i një biografie të Adolf Hitlerit, që konsiderohet vepër standarde për figurën më të errët të historisë gjermane. Më 6 qershor 1986, pra para 35 vjetësh, ligjërata e Noltes u botua si artikull në FAZ me këtë titull: “E kaluara që s’dëshiron të kalojë”. Nëntitulli paralajmëronte se bëhej fjalë për një ligjëratë që “u shkrua, por s’u lejua të mbahej”.
Edhe më herët në tekstet e tij Nolte kishte përfaqësuar tezën se fashizmi kishte lindur si pasojë e kërcënimit revolucionar bolshevik. Sipas Noltes, fashizmi dhe versioni i tij gjerman (përfshirë edhe Auschwitzin) ishte kundërpërgjigje ndaj bolshevizmit sovjetik. Nolte argumentonte pak a shumë kështu: Auschwitzi nuk rezultoi nga antisemitizmi dhe në thelb nuk ishte vetëm një “gjenocid”, por bëhej fjalë para së gjithash, për një reagim të lindur nga frika përballë proceseve shfarosëse të revolucionit rus. Kjo kopje ishte, sipas Noltes, shumëfish më irracionale se origjinali i mëhershëm, sepse shfarosjen e njerëzve e kreu në mënyrë kuaziindustriale.
Me ton provokues, Nolte shtroi disa pyetje që shkonin në favor të tezave të tij: a e kryen Hitleri dhe njerëzit afër tij “veprën aziatike” (kështu e quante Nolte shfarosjen e hebrenjve duke iu referuar krimeve sovjetike, të cilat i përshkruante si aziatike), për shkak se e konsideronin veten viktima potenciale dhe reale të një krimi “aziatik”? A nuk ishte Arkipelagu Gulag më origjinal se Auschwitzi? A nuk ishin “vrasjet klasore” të bolshevikëve pararendëse logjike dhe faktike të “vrasjeve racore” të nazistëve? Mes krimeve bolshevike dhe atyre naziste, sipas Noltes, ekziston një ndërlidhje kauzale.
Këto qëndrime të Noltes ngjallën reagime të ashpra në Gjermani. Një vit më parë, më 8 maj 1985, presidenti gjerman Richard von Weizsäcker e quajti 8 majin e vitit 1945 “ditë të çlirimit” të Gjermanisë, pra ditën kur u mposht nazizmi. Këtë nuk e kishte bërë më herët asnjë politikan gjerman i niveli të lartë. Me pozicionimin e tij, Nolte i hapi rrugë një skandali që njihet si “polemika (disputi) mes historianëve” gjermanë (Historikerstreit). Nga shumë historianë dhe intelektualë të tjerë, Nolte u akuzua për relativizim të krimeve naziste. Kritikët e tij konsideronin se krimet naziste janë singulare, pra të pakrahasueshme me krime të tjera. Në të vërtetë, këtë e kishte thënë edhe Nolte, por kjo sikur u harrua përballë tezave të tij provokuese. Polemika përfshiu jo vetëm botën publicistike dhe akademike, por edhe politikën.
Kritikëve u printe filozofi dhe sociologu i famshëm Jürgen Habermas. Për të goditur Nolten, ai zgjodhi gazetën e përjavshme “Die Zeit”, jo “FAZ”-in. Qarqet liberale dhe të majta akademike gjermane, të cilave u përkiste Habermas, ishin alarmuar që në fillim të viteve 80-të, kur kancelari i ri Helmut Kohl kishte paralajmëruar një “kthesë shpirtëroro-morale” të shoqërisë gjermane. Kjo interpretohej si përpjekje për të mbyllur kapitullin e përgjegjësisë gjermane për krimet naziste. Vetë Nolte që në vitin 1980 ishte ankuar mbi “gjallërinë negative të Rajhut të Tretë”.
Gati tre muaj më vonë, më 19 gusht 1986, në polemikë u kyç edhe Joachim Festi, editori i FAZ. Tërthorazi ai e mbështeti Nolten dhe e akuzoi Habermasin për “paragjykim ideologjik”. Teza e singularitetit, pra e pakrahasueshmërisë, nuk është aq e qëndrueshme, sipas Joachim Festit, sepse margjinalizon viktimat e komunizmit. Fest e akuzoi Habermasin për seleksionim të viktimave. Duke mos qenë historian, Habermas u furnizua me municion nga shoku i tij i shkollës dhe historiani i njohur, Hans-Ulrich Wehler, kreu i shkollës socialhistorike të Bielefeldit (Bielefelder Schule).
Polemika çoi edhe në prishjen e raporteve mes Joachim Festit dhe Marcel Reich-Ranickit, kritikut të njohur të letërsisë, i cili si hebre kishte mbijetuar geton e Varshavës dhe pas Luftës së Dytë Botërore kishte ikur nga Polonia në Gjermaninë Perëndimore. Fest kishte qenë përkrahës i madh i Reich-Ranickit dhe me rastin e punësimit në FAZ, Fest kishte thënë se e pranonte postin vetëm nëse bashkë me të angazhohet në FAZ edhe Reich-Ranicki, i cili më vonë do të konsiderohej “Papa i kritikës letrare gjermane”. Miqësia mes tyre mori fund më 1987 kur Reich-Ranicki në një letër dërguar vëllait të Joachim Festit shkroi se për aq kohë se historiani Ernst Nolte lejohet të ligjërojë në një universitet në Berlin, Muri i Berlinit atij (Reich-Ranickit) nuk i dukej anakronik. Reich-Ranicki e akuzoi Joachim Festin për antisemitizëm dhe braktisi gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Jehona e polemikës që nisi më 1986 u dëgjua edhe në vitet 90-të. Pas një interviste në revistën “Der Spiegel”, ku Nolte prapë e interpretoi në mënyrën e tij polarizuese të kaluarën gjermane, FAZ ndërpreu çdo bashkëpunim me të.