OpEd

Një propagandist antishqiptar nga Novi Sadi

Aleksandar Tishma është njëri nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë serbe. Duke qenë me prejardhje hebraiko-serbe, ai ka përshkuar tmerret e Luftës së Dytë Botërore në Novi Sad, kryeqytetin e Vojvodinës në Serbinë veriore. Romanet e tij janë përkthyer në disa gjuhë, e veçanërisht në gjermanisht. Tani janë botuar në gjermanisht edhe memoaret e tij. Aty lexuesi zbulon një autor antishqiptar – dhe një përbuzës të tmerrshëm të grave.

Në mediat gjermane prezantimet që i bëhen Aleksandar Tishmës zakonisht fillojnë kështu: ai ishte kronist i Novi Sadit, qytetit shumëkombësh të Vojvodinës, shkrimtar i madh evropian, i cili në romanet dhe tregimet e tij hulumtonte thellësisht ekzistencën njerëzore dhe shpaloste humnerat e dhunës dhe çmendurinë e dashurisë. Që në vitin 1988, shtëpia botuese “Rilindja” botoi në Prishtinë romanin e Tishmës “Libri për Blamin”. Aty përshkruhet Novi Sadi i viteve 50-të. Hebreu Blam shëtit nëpër rrugët e qytetit të tij të lindjes, humb në kujtime në botën e zhdukur, kujton tregtarët e dikurshëm të rrugicës së dikurshme të hebrenjve, kujton familjen, kujton vajzën hebraike Lili Ehrlich, dashurinë e tij të rinisë, e cila ishte arratisur në Itali. Kritiku i madh gjerman i letërsisë, Marcel Reich-Ranicki, e quante veprën e Tishmës “letërsi të madhe evropiane”. Në romanin “Përdorimi i njeriut”, Tishma rrëfen jetën e katër të rinjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai rrëfen pa patos dhe pa sentimentalitet mbi atë se si njeriu e keqpërdor njeriun si objekt. Romanet e tjera të Tishmës janë: “Kapo”, “Besnikëria dhe tradhtia”, “Shkolla e ateizmit” etj.

Disa citate në vijim tregojnë për talentin e Tishmës si rrëfyes: “Do të isha i kënaqur po të mund të shkruaja libra me përmbajtje më të lumtur”; “Ai ndihej zotërues i kohës dhe përmes saj edhe zotërues i dijes, dhe meqë besonte se dija hap portat ndaj çdo synimi për të mirën, ai ndihej edhe zotërues i fatit të tij”; “Librat kanë ndikim vetëm ndaj njerëzve të cilët për nga natyra janë të krijuar për të menduar”.

Në rininë e tij, Tishma, i lindur më 1924 në Horgosh (e ëma hebraike, babai serb), punoi si gazetar. Ky është mendimi i tij për gazetarinë në Jugosllavi: “Pikërisht kjo ishte detyra e gazetarisë në socializëm: mbyllja e zemrës dhe trurit kundër depërtimit të dyshimeve të mundshme, kundër pikëpamjeve personale, kundër joshjes për të menduar lirshëm dhe në mënyrë kritike”. Kur shtypi jugosllav (sidomos ai slloven dhe kroat) u liberalizua dukshëm (që nga fillimi i viteve 70-të), Tishma tashmë ishte një shkrimtar i njohur, ndonëse jo i etabluar në Jugosllavi.

Në njërën nga veprat e tij Tishma përshkuan ferrin e 4 janarit 1942. Në Novi Sad sundonin hungarezët, aleatët e nazizmit. “Kishte rezistencë kundër okupimit, dhe autoritetet reaguan me bastisje. Më 4 janar 1942, bastisja kulmoi me vrasje – rreth 1400 serbë dhe hebrenj u mbytën. Në mënyrë arbitrare patrullat i kursyen disa, të tjerët i vranë. Kur mori fund masakra – pa varrim, shumica e kufomave u hodhën në Danub -, e ndjenim se duhet të ikim nga këtu. Një patrullë e kishte çuar gjyshen time te Danubi, por në çastin e fundit vrasjet ishin ndalur dhe ajo ishte lejuar të kthehej në shtëpi. Ajo shkoi në Budapest te një vajzë e saj, unë, nipi i saj, iu bashkova”.

Kjo është njëra anë e biografisë njerëzore dhe letrare të Aleksandar Tishmës, i cili vdiq në Novi Sad në vitin 2003. Një anë tjetër e Tishmës zbulohet në memoaret e tij të botuara tani në gjermanisht me titullin “Erinnere dich ewig” (Kujto përgjithmonë). Tishma përshkruan jetën e tij mes gjuhëve, feve dhe kulturave, jetën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ngushtësinë që e përjetonte nën regjimin e Josip Broz Titos. Me empati të madhe, Tishma përshkruan raportin e tij me të ëmën në prag të vdekjes. Sa herë që grindej me gruan e tij, Sonjën, Tishma ikte nga shtëpia dhe shkonte në azilin e pleqve, ku i bashkohej nënës së tij. “Kur herë pas here e braktisja Sonjën dhe shkoja te mamaja, e merrja me vete edhe zogun, sepse Sonja, ndonëse e donte, neveritej ta pastronte kafazin dhe nuk dëshironte ta prekte zogun, për shembull gjatë dhënies së ushqimit”, shkruan Tishma. “Kur kthehesha te gruaja, e ktheja edhe zogun. Dhe herën tjetër e çoja sërish te mamaja”. Tishma si bartës i zogut. Por ky s’është lajtmotivi i autobiografisë së tij. Lajtmotiv është interesi i tij për prostitutat. Ky interesim shfaqet edhe në ditarët e tij, ku thekson se për të është me rëndësi të ketë mundësi ta shohë një grua si objekt, “si send që pranon ta marrim për t’u kënaqur dhe për ta përdorur”. Tishma shkruan se një grua që ndien kënaqësi gjatë marrëdhënies intime, ia mbyt atij kënaqësinë. “Ndërkaq një prostitutë, të cilën e blej, vërtet është objekt në të cilin unë jetësoj pasionin tim – pra ajo është grua ideale”. Kështu shkruan një përbuzës ekstrem i grave.

Pothuaj po aq përbuzës dhe manipulues ndaj fakteve historike Tishma tregohet në kujtimet e tij kur merret me Kosovën. Ai thekson se Kushtetuta e vitit 1974 i krijoi hapësirë nacionalizimit, sepse përmes saj republikat jugosllave u bënë shtete, ndërsa Kosova dhe Vojvodina fituan pavarësi gjysmështetërore brenda Serbisë. Tishma shkruan se pajtohej me pakënaqësinë e serbëve dhe ankohet se krahinat menjëherë pasi fituan autonominë, filluan të krijonin institucionet e tyre kulturore dhe jokulturore. Kështu, sipas tij, Shoqata e Shkrimtarëve të Vojvodinës u shkëput nga ajo e Serbisë, u themelua Akademia e Shkencave të Vojvodinës, “nga e cila përfitova edhe unë, sepse për dallim nga ajo serbe kjo e Vojvodinës më pranoi si anëtar. Merrja rrogë mujore, dhe i trimëruar që tani kisha më shumë hapësirë për punën time pasditore, bëra një kërkesë për pensionim të parakohshëm me kushte të favorshme, të cilat më takonin si anëtar i Akademisë”.

Këtu shihet hipokrizia kolosale e Tishmës: ankohet që krahinat fituan autonomi, por i pranon favoret që ia krijoi autonomia e Vojvodinës. Me autonominë e Kosovës, sipas Tishmës, ishte plagosur “trupi serb”. Shqiptarët, vazhdon ai në stilin e një propagandisti serbomadh, pasi fituan autonominë, silleshin si padronë në territorin ku ishin bërë shumicë falë natalitetit të lartë, migrimit nga Shqipëria dhe shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve. Shqiptarët jetonin “në një vend sllav”, shkruan Tishma, në një territor që në Mesjetë shteti serb kishte kryeqytetin e tij, kishat dhe manastiret, ndërsa serbët për pesë shekuj u ishin kundërvënë turqve. Shqiptarët, nënvizon Tishma, harronin se i përkisnin territorit më të prapambetur dhe më të varfër të Jugosllavisë dhe vazhdimisht merrnin ndihma nga pjesët e tjera të vendit. “Ata u ledhatuan, morën ndihma të mëdha financiare, me të cilat në Prishtinë u ndërtuan hotele, biblioteka dhe banka me shkëlqim lindor dhe komfort perëndimor, siç nuk kishte as në Beograd dhe në Zagreb”, shkruan Tishma, pa përmendur se Kosova kishte një ekonomi të saj dhe kishte pasuri të mëdha nëntokësore, që gjeneronin miliona dollarë.

Rrjedhimisht, Tishma ankohet që udhëheqjet e Sllovenisë dhe Kroacisë kundërshtuan “ndjekjen e grupeve të organizuara dhe hapjen e zjarrit kundër demonstruesve” në Kosovë. Një shkrimtar që mallkon Zagrebin dhe Lubjanën që kundërshtonin vrasjen e shqiptarëve: në kujtimet e tij, Tishma shpërfaqet si cinik antihuman dhe antishqiptar. Nuk është befasi që Tishma edhe shkatërrimin e Jugosllavisë e sheh jo si vepër të hegjemonizmit serb, por si aksion të Gjermanisë. Më 28 korrik 1994 ai shkruan: “Gjermanët dy herë ma kanë shkatërruar jetën: më 1941 dhe 1991, duke e rrënuar vendin në të cilin jetova dhe më bënë refugjat. Tani ata janë botuesit e mi të vetëm të vërtetë dhe lexuesit e mi të vërtetë; nesër do të më japin një çmim, ndoshta. Por përse?” Përkundër tonit të tij propagandistik, Tishma nga mediat gjermane lavdërohet si shkrimtar i madh. Edhe gjuha e tij antishqiptare ka kaluar e pavërejtur në mediat gjermane.