OpEd

Një urim për Greqinë në një jubile të rëndësishëm

A është e mundur një miqësi greko-shqiptare? Disa mendime mbi 200-vjetorin e fillimit të revolucionit grek dhe paralelet me shtetbërjen e Kosovës.

Greqia feston 200-vjetorin e fillimit të luftës çlirimtare kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë nisi më 25 mars 1821. Ideja për Greqinë e pavarur lindi në qarqet e diasporës greke, e cila u inspirua nga iluminizmi dhe Revolucioni francez. Në këtë kryengritje morën pjesë edhe shumë shqiptarë (arvanitas). Lufta greke ngjalli simpati të mëdha në shumë vende perëndimore, ku grekët shiheshin si pasardhës të helenëve. Në Angli, Gjermani, Zvicër, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u themeluan “Komitete filohelene”.

Klasiku gjerman Johann Wolfgang von Goethe shprehu entuziazmin e tij për Greqinë në dramën “Ifigjenia në Tauridë”, ku shkruan: “Dhe me ditë të tëra në bregdet qëndroj, vendin e grekëve me shpirt kërkoj”. Poetë e dijetarë përpiluan e shkruan poezi, këngë, romane, apele për t’i përkrahur grekët. Nga Anglia drejt Greqisë u nisë lordi George Byron, i cili në veprat e tij e lartësoi luftën greke, por romantizoi e idealizoi edhe shqiptarët.

Byron u nisë me anije më 1823 nga Gjenova e Italisë drejt bregdetit grek për t’iu bashkuar kryekomandantit Alexandros Mavrokordatos. Me një shumë të konsiderueshme nga kursimet e tij poeti anglez përkrahu flotën greke. Kur arriti në Greqi mori komandën mbi një njësi elite, por vdiq nga një sëmundje. Në historinë greke ka hyrë si hero nacional.

Sipas historianit Oliver Jens Schmitt arvanitasit ortodoksë ishin në rendin e parë kur më 1821 filloi kryengritja kundër otomanëve. Tre prej tyre më vonë u bënë kryeministra të Greqisë: Kiço Xhevalla (Kítsos Tzavéllas, 1847–1848), Jorgo Kundirioti (Geórgios Kunturiótis, 1848) dhe Antonio Kryeziu (Antónios Kriezís, 1849–1854), ndërsa Laskarina Bubulina njihet si heroinë e luftës antiosmane. Rreth vitit 1460 shqiptarët përbënin një të tretën e popullsisë së Peloponezit.

Ekziston një paralele interesante mes lëvizjes greke për pavarësi dhe asaj kosovare, të cilën e ka potencuar Oliver Jens Schmitt. Ai shkruan: “Që nga shekulli i 19-të grupet politike të diasporës e kanë karakterizuar vendosmërisht historinë e Ballkanit dhe nga larg kanë përgatitur kryengritje dhe jo rrallë në vazhdën e tyre edhe kanë ndihmuar në themelimin e shteteve: më 1821 një shoqëri sekrete e përhapur në gjysmën e Europës planifikoi kryengritjen greke kundër Perandorisë Osmane. 170 vjet më vonë shqiptarët e Kosovës nga diaspora organizuan kryengritjen kundër represionit serb në Kosovë”.

Nga Vjena shkrimtari grek Rigas Velestinlis përpiloi një manifest për revolucionin grek. Dëshira e tij ishte një federatë e shteteve të Europës Juglindore nën udhëheqjen greke. Autoritetet austro-hungareze ia dorëzuan Velestinlisin pushtetit osman. Velestinlis u ekzekutua më 24 qershor 1798 në Beograd. Kënga “Thourios” e shkruar prej tij këndohet ende në Greqi.

Gjenerali dhe diktatori grek Teodor Pangallos ishte arvanitas, nipi i tij me të njëjtin emër ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Greqisë. Në një artikull të botuar në gazetën “Akropolis” (korrik-gusht, 1949) gjenerali Teodor Pangallos nënvizonte: “Nga koha e Esat Pashës dhe Ahmet Zogut, miku më i përzemërt i Shqipërisë jam unë. Nga mosha e foshnjërisë sime flas shqipen, sepse e ndjera gjyshja ime, që më rriti, nuk njihte greqishten. (...) Kam në damarët e mi përgjysmë gjak shqiptar dhe jam krenar për këtë”. Në artikullin e tij Pangallos njofton se si në qershor 1925 u gjend para çarjes së vërtetë të marrëdhënieve me Shqipërinë për shkak të çështjes së Çamërisë: “Përfaqësuesi i Shqipërisë, i ardhur në zyrën politike, më komunikoi se autoritetet greke me dhunë dhe në kundërshtim të traktatit, shpërngulin banorët shqiptarë të periferisë, duke i dërguar ata nëpërmjet detit në Azinë e Vogël dhe se ndaj protestave të tyre jepet përgjigja se këta shqiptarë myslimanë (turkoshqiptarë në origjinal) janë të shkëmbyeshëm”. Kjo, siç dëshmon Pangallos, ishte e pavërtetë: “Kontrollova dokumentet përkatëse dhe u binda se interpretimi i Ministrisë nuk ishte i bazuar, sepse në traktatin e Lozanës përcaktohet qartë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsiderohen minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës etj.”

Gjenerali Teodor Pangallos tregon se për pak ishte përleshur me drejtorin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme greke që zhvendosjen e shqiptarëve e kishte arsyetuar se fshatrat shqiptare duhej të zbrazeshin për të krijuar vend për grekët. Pangallos shkruan: “Sapo u përmbajta dhe nuk e flaka përjashta me shqelma diplomatin me monokël. Ndërkaq, sipas raportimit të autoriteteve policore, në Epir po realizohej një dramë e vërtetë, se fshatarët, duke qarë vajtueshëm, shkëputen nga vatrat e tyre ku lindën dhe rrojnë prej shekujsh dhe hipnin në anije për t'u dërguar në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbrisnin dhe të ktheheshin të lirë në fshatrat e tyre. Mbreti Ahmet Zogu, me një mesazh të zjarrtë, më shprehu mirënjohjen e tij, të cilën, siç thoshte nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtetë gjer në ditën e çfronëzimit të tij, sa herë që vinte përfaqësues i ri shqiptar në Greqi, vinte sipas porosisë së tij në shtëpinë time dhe sillte përshëndetjet e Mbretit, duke shqiptuar në shqip ‘Vlla i madh.’”

Në historinë e raporteve shqiptaro-greke nuk ka vetëm anë idilike, madje dominojnë anët e errëta. Masakra e ambicie territoriale greke ndaj tokave shqiptare. Vrasje të patriotëve shqiptarë si Papa Kristo Negovani më 1905. Problemet me vijën kufitare në det mes Greqisë dhe Shqipërisë, instrumentalizimi i pakicës greke nga Athina për të shkaktuar tensione, protesta të nacionalistëve grekë kundër ndërhyrjes së NATO-s ndaj Serbisë më 1999 (ndonëse qeveria i qëndroi besnike NATO-s).

Megjithatë, në raport me Kosovën Athina viteve të fundit është treguar më pragmatike. Derisa asnjë diplomat spanjoll nuk ka vizituar Prishtinën që nga 17 shkurti i vitit 2008, kryeqytetin e Kosovës disa herë e kanë vizituar kryediplomatë grekë. Fatkeqësisht Greqia nuk e pranon ende pavarësinë e Kosovës, por ka një zyrë diplomatike në Prishtinë dhe pranon dokumentet e Kosovës, po ashtu ka lejuar hapjen e një zyre ekonomike të Kosovës në Athinë, gjë që mund të shihet si pararendëse e hapjes së ambasadës së Kosovës. Gjatë gjetjes së zgjidhjes për emrin e Maqedonisë pala greke ka komunikuar dhe bashkëpunuar ngushtë me liderin e shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti. Më 2016 një delegacion i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i kryesuar nga Ali Ahmeti, u takua në Athinë me ministrin e Jashtëm Nikos Kocias dhe bisedoi mbi çështjen e emrit të Maqedonisë. Menjëherë në Shkup reagoi kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski, duke folur për një vizitë private. Pas rënies së Gruevskit nga pushteti, qeveria e re e përbërë nga socialdemokratët maqedonas dhe nga BDI nënshkroi me Greqinë marrëveshjen për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Ky hap mundësoi anëtarësimin e Maqedonisë (së Veriut) në NATO, një përparim historik që e mundësuan edhe shqiptarët e Maqedonisë, falë edhe qëndrimit pragmatik ndaj Greqisë në konfliktin mbi emrin e shtetit maqedonas. Faktorizimi i shqiptarëve në rajon në dy dekadat e fundit ka ndikuar që Greqia të ndjekë politika më realiste dhe të kërkojë edhe bashkëpunim në fusha të caktuara me shqiptarët, pa marrë parasysh në cilat shtete jetojnë ata.

Megjithatë, siç shkruan të enjten gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) në një tekst të gjatë mbi 200-vjetorin e revolucionit grek, në vitet 90-të në Greqi ka mbretëruar një racizëm agresiv kundër shqiptarëve. Tani, sipas gazetares Elena Panagiotidis, racizmi është zëvendësuar me forma më subtile të diskriminimit të shqiptarëve – “ndonëse territori nga i cili përbëhej Greqia më 1830 përfshinte një numër të madh të popullsisë shqipfolëse, nga e cila dolën shumë luftëtarë të revolucionit”. Sipas Panagiotidis shqiptarët një kohë të gjatë në Greqi shiheshin si “popull vëlla që mund të integrohet lehtë”, por pas vitit 1990 mbizotëruan paragjykimet, e në disa raste fëmijët shqiptarë që ishin më të mirët në klasë, nuk guxonin të bartnin flamurin grek në ditën nacionale të Greqisë. Në Greqi jetojnë rreth gjysmë milioni shqiptarë, integrimi i të cilëve ka përparuar dukshëm. Në vitet 90-të ata ishin vetëm argatë dhe pastruese. Sot ka mijëra shqiptarë që luajnë rol të rëndësishëm në jetën publike greke. A është e mundur një miqësi greko-shqiptare? Ndoshta po, me vullnet të dyanshëm dhe me groposje të retorikës nga e kaluara.

Sa e ndërlikuar është historia, e tregojnë më së miri këta dy shembuj nga libri mbi historinë e shqiptarëve të Oliver Jens Schmitt. Pra, shumë arvanitas morën pjesë në kryengritjen greke kundër osmanëve. Por, osmanët, nga ana e tyre, për t’i shtypur arvanitasit (dhe grekët) kryengritës angazhonin mirditorë katolikë. Në shtator 1828 luftëtari me origjinë shqiptare Kiço Xhavella luftoi kundër ushtarakut osman Ahmet Nepravishta, i cili ishte po ashtu me prejardhje shqiptare dhe mysliman. Kur Xhavella i bëri thirrje Nepravishtës të dorëzohet, ky i fundit iu përgjigj: “Nuk kam shumë për të të thënë; kthehu aty prej nga ke ardhur, o jetim... Kiço, biri im, e di që ti je shqiptar si unë; se ku në dreq e ke mësuar greqishten, vërtet nuk e di”. Por Xhavella e shihte Nepravishten jo si shqiptar, por si armik fetar.

Shembulli tjetër: në gusht të vitit 1823 sulioti (arvanitasi) Marko Boçari (Márkos Bótsaris) deshi të vrasë një komandant osman me prejardhje shqiptare, por e huqi tendën e tij dhe u vra nga mirditorët katolikë. Boçari hyri në histori si hero i Greqisë, vëllai i tij Kostas jetoi si gjeneral dhe senator në Greqi. I biri i Marko Boçarit, Dimitrios, ishte tri herë ministër i luftës nën Mbretin Otto I. dhe Georg I. Të dy monarkët ishin gjermanë. Katarina Boçari, e bija e Marko Boçarit, ishte damë e pallatit mbretëror në Athinë dhe në shërbim të Amalisë, princeshës së Bavarisë dhe Mbretëreshës së Greqisë. Për ta ndërlikuar edhe pak: në Paris një rrugë dhe një stacion i metrosë bartin emrin e Marko Boçarit. Në vitin 1825 poeti zviceran Juste Olivier i kushtoi një poezi Marko Boçarit (Marcos Botzaris au mont Aracynthe).