Qeveria e ardhshme e Shqipërisë duhet të përqendrohet në investime të kujdesshme dhe strategjike për ta shndërruar vendin në destinacion turistik për tërë vitin. Dhe për ta bërë këtë duhet të rregullohet infrastruktura turistike jo vetëm në vijën bregdetare, por edhe në brendi të Shqipërisë, e cila është po ashtu e bekuar me shumë margaritarë.
“Përse udhëtojmë? Edhe për këtë: që të takojmë njerëz, të cilët nuk mendojnë se na njohin fare mirë; që edhe njëherë të kuptojmë se çfarë është e mundshme për ne në këtë jetë – që edhe ashtu është pak”. Këto fjalë të shkrimtarit zviceran Max Frisch, të shkruara para shumë dekadave, janë bërë sërish aktuale, për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të shumta. Në vëllimin e tregimeve groteske me titull “Armiku” të shkrimtarit gjerman Reinhard Lettau përshkruhet një grup gjeneralësh që të dëshpëruar kërkojnë armikun. Armiku po fshihet diku, thonë gjeneralët, nganjëherë dëgjohet duke u kollitur, por nuk shihet asgjëkund, armiku struket dhe s’duket, ai bart maskë dhe kur hap zjarr kundër tij, ai fshihet në shkurre.
Kështu është puna edhe me virusin që ka ndryshuar ritmin e botës. Është i padukshëm, është gjithkund i pranishëm dhe mund të marrë jetë. Në një shkrim për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” botuesi dhe poeti Michael Krüger kështu e përshkruan jetën e tij në kohën e pandemisë: “Por unë jetoj ende. Jemi tërhequr në një shtëpi të vogël prej druri në fshat dhe nga distanca po shikojmë se si po ndryshon bota. Perime e djathë po blejmë në një dyqan të një bujku, në ahurin e të cilit jetojnë tre derra dhe dymbëdhjetë dhi, me të cilat mua – ndërkohë – më lidhë një miqësi e thellë. Qumështin po e marrim (me veturë) në një dyqan tjetër bujku në një fshat tjetër, ku më presin gomari Nepomuk dhe i biri i tij Xaver, të cilëve unë, herë pas here, ua pëshpëriti në veshët e butë dhe të mëdhenj pikëpamjet e mia mbi botën, pastaj gomarët tundin kokën të pikëlluar: e pabesueshme se çfarë mund të bëjnë njerëzit për të larguar vëmendjen nga vdekshmëria e tyre”.
Kësaj situate po i afrohet fundi. Edhe në Shqipëri. Rritja e numrit të njerëzve të vaksinuar në botën perëndimore (dhe në Shqipëri) hap mundësi të reja. Mundësi udhëtimi. Mundësi për të braktisur karantinën. Mundësi për të shuar mallin. Mundësi për të ëndërruar. Për të zbuluar botën (shqiptare). Për t’i dhënë hov kureshtjes. Të vaksinuar, të shëruar apo të testuar negativë tani udhëtojnë më lehtë. Me kufizime, por më lehtë. Kompania ajrore e Zvicrës “Swiss” tashmë ka filluar fluturimet nga Zürichu në Tiranë. Vetëm mendimi se për dy orë mund të mbërrish në Tiranë zgjon ndjenja euforike. Pastaj ngjallet fantazia: deti, malet, kuzhina fantastike shqiptare, bujtinat e rregulluara me shije, njerëzit e përzemërt me ato fjalitë e pasherr si: “O sa mirë flisni shqip”.
Faik Konica e quante Shqipërinë kopsht shkëmbor të Europës Juglindore. Kjo nuk është as gjysma e së vërtetës. Me mbi 300 kilometra vijë bregdetare, me dalje në dy dete, me qindra liqene, me lumenj “të egër” që gjarpërojnë nëpër gryka mahnitëse, me male e alpe, me laguna, me qytete që ende ruajnë sharmin e lashtësisë – Shqipëria mund të shndërrohet në një Zvicër të Europës Juglindore sa i përket turizmit. Por për këtë duhet shumë punë. Qeveria e ardhshme e Shqipërisë duhet të përqendrohet në investime të kujdesshme dhe strategjike për ta shndërruar vendin në destinacion turistik për tërë vitin. Dhe për ta bërë këtë duhet të rregullohet infrastruktura turistike jo vetëm në vijën bregdetare, por edhe në brendi të Shqipërisë, e cila është po ashtu e bekuar me shumë margaritarë.
Sezoni turistik në Shqipëri zakonisht zgjat dy muaj të verës, korrik dhe gusht. Sado të domosdoshëm e të mirëseardhur të jenë turistët nga viset shqiptare (Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës), kapaciteti i tyre financiar nuk është aq i madh sa i turistëve nga vendet perëndimore. Këtu hyjnë edhe shqiptarët e mërgatës, sidomos mbi 200 mijë shqiptarë të Zvicrës, të cilët janë shqiptarët me rrogat më të larta në botë. Shqipëria duhet të luftojë aktivisht për këtë klientelë turistësh. Sidomos gjenerata e dytë, e integruar kryesisht mirë, e cila fundjavën e kalon shpesh në Barcelonë, Romë apo në rivierën franceze, duhet të joshet për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ky është më shumë se akt patriotik. Njëkohësisht është në rritje numri i zviceranëve të interesuar për të vizituar Shqipërinë. Kjo shtresë turistësh nuk është e interesuar vetëm për rivierën shqiptare, por edhe për forma të tjera të turizmit, për shembull bjeshkatarinë, bredhjen nëpër Shqipërinë e brendshme. Nuk është vetëm Thethi dhe Shqipëria veriore një destinacion për bjeshkatarë. Qe një shembull: pothuaj të panjohura janë liqenet natyrorë në zonën e Dumresë. Atje gjenden mbi 80 liqene, të cilët sikur bëjnë garë se cili është më i bukur. Në këtë rajon gjendet qyteza e Belshit, 25 kilometra larg Elbasanit. Dikur rilindasi shqiptar Sami Frashëri ëndërronte që Belshi të bëhet kryeqytet i Shqipërisë. Nuk u bë Belshi, u bë Tirana, por zona e Dumresë sot mund të shndërrohet në një oazë të vërtetë turistike nëse për këtë qeveria shqiptare ka vizion.
Por vizioni duhet të jetë ambicioz. Kur në shekullin e 19-të në Zvicër erdhën bjeshkatarët e parë anglezë, bujqit zviceranë ishin skeptikë. Por ishin priftërinjtë lokalë që i bindën zviceranët të hapin bujtina për turistë. Sot Zvicra ka 65 mijë kilometra shtigje për të ecur në natyrë, prej tyre 22 mijë kilometra janë shtigje nëpër kodra, male dhe alpe. Në vitin 2019 në Zvicër u regjistruan 39,6 milionë bujtje. Shqipëria mund të mësojë shumë nga Zvicra. Ministria e Turizmit në Tiranë mund të kontaktojë Agjencinë Zvicerane të Turizmit dhe të kërkojë ndihmë për zhvillimin e një koncepti unik për turizmin shqiptar, që përfshinë gjithë Shqipërinë, jo vetëm vijën bregdetare. Shqipëria mund të hapë një zyrë për promovim të turizmit në Zürich. Nëse një shtet si Maqedonia e Veriut boton reklama në mediat zvicerane për të joshur investime nga Zvicra, përse Shqipëria s’mund të botojë reklama në gazetat zvicerane në prag të fillimit të sezonit të turizmit? Është punë vullneti, strategjie dhe vizioni.
Një shembull tjetër: në Zvicër ka një ligj federal mbi shtigjet e këmbësorëve dhe bjeshkatarëve (Bundesgesetz über die Fuss- und Wanderwege). Përse të mos ketë një ligj të tillë në Shqipëri, një ligj që rregullon planifikimin, mirëmbajtjen dhe sinjalizimin e shtigjeve nga veriu në jug, nga Thethi në Ksamil? Edhe kjo është punë vullneti, strategjie dhe vizioni. Të gjitha këto mund të duken utopi. Por jeta s’ka kuptim pa utopi. Edhe rënia e Murit të Berlinit dikur është dukur utopi. Një gjë është e qartë: përveç përfitimeve të mëdha materiale, turizmi mund të ndikojë edhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë.