Si po e provokon kryeministri slloven Janez Jansha Bashkimin Europian?
Nëse e përfytyrojmë Jugosllavinë socialiste si klasë të shkollës fillore, atëherë sllovenët ishin nxënësit më të mirë. I bënin detyrat çdo ditë, ishin të urtë, por edhe argumentues dhe të qëndrueshëm kur përballeshin me nxënës të tjerë agresivë. Në Kongreset e Lidhjes së Komunistëve ishin sllovenët që mbanin fjalimet më të mençura, ndërsa krerët partiakë të republikave jugore (serbët, malazezët etj.) kurthoheshin në debate shterpe, kërcënuese dhe nacionaliste. Ndoshta ndokujt i kujtohet fjalimet e Shtefan Koroshecit, njërit prej komunistëve reformatorë sllovenë.
Në fund të viteve 80-të Janez Jansha ishte kritik i regjimit komunist, por nuk dëshironte ta rrëzonte atë regjim, vetëm ta përmirësonte, t’ia jepte një fytyrë njeriu. Pastaj ndodhi shpërbërja e Jugosllavisë dhe në Slloveni socializmi vetëqeverisës u zëvendësua me demokracinë shumëpartiake. Më 1991, para 30 vitesh, Janez Jansha i priu vendit si ministër i Mbrojtjes gjatë luftës 10-ditore të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) kundër pavarësisë sllovene të shpallur në qershor 1991. Politikanë të zgjuar si lideri reformator komunist Millan Kuçan drejtuan vendin drejt stabilitetit politik. Sllovenia ishte nxënës i mirë edhe si aspirues për të hyrë në BE. Më 2004 Sllovenia u pranua në BE dhe në NATO.
Në vitin 2021 Sllovenia nuk është më nxënës shembullor. Kryeministri Janez Jansha, dikur disident kundër regjimit komunist, tani është shndërruar në ithtar të “demokracisë iliberale”. Sulmon mediat, kërcënon opozitarët, përjashton nga puna ata që i konsideron kritikë, atakon Europën. Jansha ka qenë i pari kryeministër i një vendi të BE-së që i uroi fitoren Donald Trumpit, ndonëse shumëçka tregonte se fitues do të jetë Joe Bideni.
Pas çdo there në Slloveni, Jansha sheh një komunist. Në çdo zyrë ai dallon së paku një komunist. Në gjykata e prokurori po se po. Jansha ka bllokuar emërimin e dy gjykatësve sllovenë që do të duhej të punonin në Bruksel në autoritetin e ri juridik të BE-së për ndjekjen e keqpërdorimeve të mundshme të buxhetit të BE-së. Kjo është e domosdoshme sidomos tani, pasi që BE ka ndarë mbi dy mijë miliardë(!) për të përballuar pasojat e pandemisë. Edhe Sllovenia do të marrë miliarda nga Brukseli për të stimuluar ekonominë.
Në vitin 2013 Jansha u dënua me dy vjet burg për korrupsion – një vepër e kryer gjatë kohës sa ishte kryeministër. Por gjykimi u përsërit, më 2015 veprat për të cilat akuzohej u parashkruan dhe Jansha shpëtoi – dhe u kthye në politikë. Tani është sërish kryeministër. Me një shumicë të ngushtë, por kjo s’e pengon të luajë rolin e provokatorit.
Më 1 korrik Sllovenia ka marrë drejtimin e BE-së për 6 muaj. Dhe menjëherë ka provokuar, duke sulmuar gjykatësit dhe dy deputetë sllovenë të Parlamentit Europian. Gjatë vizitës në Slloveni të Komisionit të BE-së (anëtarët e Komisionit vizitojnë tradicionalisht vendin që merr kryesimin e BE-së), ndodhi një skandal. Për shkak të sulmeve ndaj gjykatësve dhe deputetëve opozitarë, nënkryetari i Komisionit të BE-së, socialdemokrati holandez Frans Timmermans nuk pranoi të dalë me Janshën në fotografinë e përbashkët me Komisionin e BE-së.
Pas sulmeve të Janshës goditi ministri i tij i Brendshëm Alesh Hojs nga partia nacional-konservatore SDS. Në bisedë me 60 korrespondentë të mediave europiane Hojs tha: “Personalisht nuk dua ta quaj askënd derr. Por ndoshta pas gjithë asaj që kam dëgjuar dje, në të ardhmen do të jem në gjendje që një individ të caktuar ta quaj derr”. Nuk e përmendi emrin e Timmermansit, por kë tjetër mund ta ketë menduar Hojs? Në Twitter ai tha se nuk e kishte fjalën për Timmermansin.
Ky rast tregon se hendeku mes shumicës së vendeve të BE-së dhe Sllovenisë së Janshës mbetet i thellë. Mediat gjermane shkruajnë se ndoshta Jansha do t’i mbijetojë gjashtë muajt e ardhshëm (sa zgjat kryesimi i BE-së), por shumicën në parlament nuk e ka të sigurt. Nëse rrëzohet nga posti, atëherë pakkush do të jetë i pikëlluar në BE – përveç Viktor Orbanit, kryeministrit të Hungarisë. Jansha është nxënës i dëgjueshëm i Orbanit. Biografitë e tyre kanë diçka të përbashkët. Të dy filluan si kundërshtarë të komunizmit dhe tani janë kundërshtarë të vlerave liberale. Si Orban edhe Jansha është i mendimit se fajtori kryesor për stimulimin e vlerave liberale është filantropi Goerge Soros. Ironia e historisë: në rininë e tij Orbani kishte marrë një bursë nga Sorosi për të studiuar në Oxford. Një privilegj që rrallëkush e kishte pas rënies së komunizmit.