OpEd

Partia e korrupsionit denoncon korrupsionin - dhe ky është lajm i mirë!

Është e pazakonshme dhe gjithsesi përparim i madh për higjienën publike të shihet tani PDK duke denoncuar korrupsionin. Ndonëse kjo parti nuk ka aq kredibilitet për shkak të së kaluarës së saj aspak të lavdishme sa i përket qeverisjes, akuzat për korrupsion ndaj pushtetit të ri duhet të merren seriozisht nga drejtësia - dhe nga pushteti i ri. Vetëm krijimi i përshtypjes se ky pushtet mund të vjedhë, është goditje e rëndë ndaj gati 500 mijë qytetareve dhe qytetarëve, të cilët kanë votuar për ndryshime rrënjësore politike. VV ende nuk e ka kuptuar se treni i ndryshimeve të premtuara gati i ka dalë nga binarët.

Partia që për dy dekada e ka ndërtuar sistemin korruptiv-klientelist (me ndihmën e «partnerëve të koalicionit»), partia që e ka kontrolluar gati çdo ndërmarrje publike, që e ka dirigjuar pothuaj çdo tender, që ka mbajtur fshehtë kontrata për ndërtime të autostradës, që ka shitur gati falas apo dhënë me koncesion (gati falas) disa ndërmarrje të rëndësishme publike, partia që dyshohet se u ka dhënë tender krerëve të mafisë parapolitike serbe në veri, partia që për vota në parlament ka shitur poste publike si patate në pazar - kjo parti tash po merret me denoncimin e korrupsionit.

Është përparim i madh ky, në një mënyrë, por nga ana tjetër, gjithsesi, mund të shtrohet pyetja: sa kredibile janë këto denoncime? Drejtësia duhet t'i marrë shumë seriozisht denoncimet, padyshim, dhe pa marrë parasysh se nga cili drejtim vijnë akuzat (qoftë edhe nga PDK), por drejtësia e përgjumur duhet të shikojë, natyrisht, edhe të kaluarën e partisë që zellshëm po i denoncon aferat, sipas saj, korruptive të pushtetit aktual.

Ndërsa pushteti aktual duhet të krijojë qartësi mbi çdo akuzë që i bëhet dhe të jetë maksimalisht transparent. Vetëm krijimi i përshtypjes se ky pushtet mund të vjedhë, është goditje e rëndë ndaj gati 500 mijë qytetareve dhe qytetarëve, të cilët - të lodhur nga keqqeverisja dhe mashtrimet shumëvjeçare - kanë votuar në mënyrë plebishitare për ndryshime rrënjësore politike. Por nëse besimi i falur keqpërdoret, trupi votues kosovar është mjaft i pjekur për të ndëshkuar. Madje këtë e pati bërë edhe më 2010, atëherë kur, sipas ambasadorit amerikan, ndodhi vjedhja industriale e votave nga PDK - dhe partitë e tjera e pranuan rezultatin. Një akt i shëmtuar që i dha shans PDK-së të konsolidojë sistemin korruptiv në vitet në vijim.

Ky pushtet, pra pushteti i VV-së, është në rrugë «të mirë» që t'i iritojë votueset dhe votuesit e tij më të ndershëm pa të cilët nuk do t'i kishte fituar zgjedhjet. Ekziston rreziku që në zgjedhjet e ardhshme partisë në pushtet t'i mbesin kryesisht militantët - nëse vazhdohet me këtë ritëm qeverisjeje pa koncept të qartë. Çka do bëjë VV vetëm me militantë? Do t'i kthehet metodave të vjetra? Të cilat nuk funksionojnë më. Të cilat nuk do të gjejnë përkrahje të gjerë publike. Të cilat nuk do të jenë të besueshme si kauzë.

Se qeverisja për Vetëvendosjen nuk do të jetë një shëtitje e lehtë, kjo ka qenë e pritshme. Se premtimet që i ka bërë kjo parti kanë qenë - në të shumtën e rasteve - fluturuese dhe jorealiste, edhe kjo ka qenë e ditur, por votuesit i kanë injoruar premtimet jorealiste duke e parë domosdoshmërinë e ndryshimit të madh politik dhe shansin e çlirimit nga një kastë politike që përbëhej kryesisht nga grabitqarët. Se ballafaqimi me realitetin mund t'ia humb hovin entuziastëve që lehtë flasin për teori e vështirë adaptohen në praktikën e përditshme dhe të mërzitshme të qeverijes duke ecur nëpër labirintin burokratik, edhe kjo nuk është ndonjë risi. Por përkundër të gjitha këtyre rrethanave, evidente (dhe shqetësuese) është mungesa e vetëdijes në VV mbi këto vështirësi edhe pas gati një viti e gjysmë të ardhjes në pushtet.

Kjo kohë do të duhej t'i mjaftonte VV-së për të bërë bilancin e duhur, për të korrigjuar gabimet, për të freskuar radhët qeveritare me menaxhere e menaxherë me përvojë dhe duke përjashtuar nga postet ministrore ata e ato që fodullëkun e ngatërrojnë me qeverisje dhe arrogancën me mençuri. VV ende nuk e ka kuptuar se treni i ndryshimeve të premtuara gati i ka dalë nga binarët. Në vend se të dëgjonin kambanat e alarmit duket se në selinë e VV-së kanë vendosur të dëgjojnë këngën «Qengji i vogël». U këndohet fëmijëve për t'i vënë më shpejt në gjumë.