Ngarendja e politikanëve për të organizuar ceremoni të kota (për shembull për pritjen e vaksinave), xhirot e pandërprera nëpër Kosovë për “të kujtuar viktimat e luftës”, prononcimet vend e pavend ia humbin kuptimin seriozitetit të postit dhe qeverisjes
Anne Will është njëra prej gazetareve më të njohura të televizionit gjerman ARD. “Anne Will” quhet edhe emisioni i saj i debateve politike, i cili emetohet çdo të diel. Si në çdo vend demokratik, edhe në këtë emision çdo javë diskutojnë politikane e politikanë, publicistë, sindikalistë dhe profesorë universitarë mbi çështje të ndryshme politike, sociale dhe kulturore. Në një demokraci të mirëfilltë debatet televizive janë të domosdoshme. Megjithatë, është mirë që politikanët të marrin pjesë në debate atëherë kur kanë diçka për të thënë. Paraqitjet vend e pavend në televizione ia ulin prestigjin postit, por në aspektin afatgjatë e dëmtojnë edhe gazetarinë. Sepse kur gazetarët i shterin temat, debatet lehtë rrëshqasin në kakofoni. Atëherë nuk ka peshë argumenti, por niveli i zërit.
Angela Merkel është në vitin e 16-të të qeverisjes së Gjermanisë. Revista amerikane “Time” e ka shpallur “personalitet të vitit”, revista tjetër “Forbes” e ka zgjedhur si politikanen më të pushtetshme të Perëndimit. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por për 16 vjet Angela Merkel ka qenë vetëm 5 herë në emisionin e Anne Will. Më 2009 për të shpjeguar veprimet e saj në krizën financiare. Dy herë gjatë krizës së refugjatëve më 2015/16. Në atë kohë Gjermania pranoi gati një milion refugjatë, kryesisht nga Siria. Në vitin 2018, kur koalicioni i kancelares Merkel ishte para prishjes, ajo shkoi tek Anne Will për intervistë. Për herë të pestë, Merkel mori pjesë në emisionin e Anne Will të dielën në mbrëmje. Kjo paraqitje televizive ishte e nevojshme për shkak se ditët e fundit qenë mjaft të rrëmujshme në politikën gjermane. Merkel fillimisht insistoi që gjatë festës së Pashkëve Gjermania të kalojë në modusin e ngujimit për të luftuar pandeminë. Pasi u mor vendimi, Merkel dhe ekipi i saj e panë se shumë masa nuk do të mund të zbatoheshin brenda një kohe të shkurtër (Pashkët janë në fund të kësaj jave). Merkel doli para opinionit në një konferencë për media, tha se kishte bërë një gabim dhe për këtë kërkoi falje. “Më vjen shumë keq dhe për këtë u kërkoj falje të gjitha qytetareve dhe qytetarëve”, tha Merkel. Gazetat gjermane shkruan se kjo ishte një kërkimfalje historike. Kështu duhet të jetë, sepse fjalët e politikanëve në postet më të larta të shtetit duhet të kenë peshë. Fjalët kanë peshë kur politikanët kanë autoritet. E autoriteti buron nga serioziteti i prononcimeve. Kur prononcimet janë të pandërprera, gjithkund dhe kuturu, ato rrëshqasin në joseriozitet. Ky është një mësim nga Gjermania.
E si është në viset tona shqiptare?
Sidomos në dekadën e fundit politika shqiptare është meditizuar fund e krye. Gjatë gjithë javës politikanët e niveleve më të larta (kryeministra, ministra, presidentë) presin në rend për t’u intervistuar. Kur s’ka tema, shpiket ndonjë, për shembull: a kishte LDK apo UÇK të drejtë në vitet 90-të? Thua se njëra pa tjetrën do të bënin mrekulli. Kryeministri aktual i Shqipërisë, i cili ka mjaft talent publicistik, të cilin do të mund ta shfrytëzonte më ndryshe, në daljet e tij të shpeshta publike, kur s’ka diçka për të thënë, imiton gazetarët apo kundërshtarët politikë. Gjithë këto paraqitje mediale të politikanëve shqiptarë mund të provokojnë pyetjen: a punojnë këta njerëz ndonjë gjë? Për gazetarët, intervistat e vazhdueshme me politikanë kanë një përparësi: inskenohet një luftë gjelash për argëtim të publikut pa ndonjë punë të madhe gazetareske.
Me rastin e ardhjes së vaksinave të para në Kosovë, u pa një protagonizëm i tepërt i ekipit të ri qeveritar, por edhe i ambasadorëve perëndimorë. Fjalime mbajtën kryeministri i ri, ministri i ri i Shëndetësisë dhe dinjitarë të tjerë pushteti e diplomacie. Të gjithë të renditur në pistën e aeroportit. U prononcuan edhe politikanë të opozitës që deri dje ishin në pushtet.
Çfarë po ndodhte në të vërtetë? Erdhën 24 mijë doza me vaksina pas një vonese tmerrësisht të gjatë. Dhe shkaktarë të kësaj vonese janë politikanë e organizata që vendosin në nivel global, por edhe të tillë që merrnin vendime në nivel lokal. Protagonizmi bosh shkakton vetëm dëm. Jo vetëm në rastin e pritjes së vaksinave me fanfarë e propagandë. Edhe xhirot e pandërprera nëpër Kosovë për të “kujtuar viktimat e luftës”, “betejat historike” etj. tashmë janë shndërruar në ekskursione rutinore, ku vazhdimisht përsëriten fjalët e njëjta, gjestet e njëjta, pozat e njëjta.
Ka ardhur koha të mendohet për një përkujtim më origjinal të të rënëve për lirinë e Kosovës. Mund të caktohet një datë për të kujtuar të gjitha viktimat. Mundësisht pa fjalime politikanësh. Mundësisht me ndonjë ekspozitë të hairit apo fjalim të pasardhësve të viktimave. Kështu do të shmangej ndoshta pak gjuha patetike përkujtimore, e cila po ia humb seriozitetin edhe posteve më të rëndësishme shtetërore.