OpEd

Roli i tezeve në politikën serbe

Aleksandar Vuçiqi thotë se edhe tezja e tij është kundër sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë? E tash? Mbi politikën e tezeve në Beograd

Aleksandar Vuçiqi gjendet nën presion. Nën presion të tmerrshëm. Së paku ashtu thotë. Presioni i vjen, si përherë, nga Perëndimi, i cili insiston që edhe Serbia t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së kundër Rusisë për shkak të agresionit të Vlladimir Putinit kundër Ukrainës. Duke qenë se ka prirje të klounit për sajimin e skenave dramatike, Vuçiqi, krahas përmendjes së presionit perëndimor, e ka prezantuar edhe një argument tjetër përse është kundër sanksioneve kundër Moskës. Sepse, tha Vuçiq, edhe “tezja ime është kundër sanksioneve”.

Tezja është motra e nënës, pas nënës ajo është person i rëndësishëm në jetën e një njeriu. Në jetën e Vuçiqit gjithsesi, sepse për të arsyetuar politikat e tij ai nuk ngurron të përmendë anëtarët e familjes së tij. Kundër sanksioneve, tha Vuçiqi, “është edhe babai im”. E tash? Çfarë mund të bëjë opinioni me këso informatash të thëna nga i pari i shtetit serb? Asgjë. Ato janë pjesë e komedisë së përditshme komunikuese të presidentit serb.

Në këtë vijë argumentimi Vuçiqi tha se tezja dhe babai i tij e kanë lehtë të jenë kundër sanksioneve, por “edhe unë jam kundër,” shtoi ai. Situatë e vështirë. Qorrsokak. Andaj duhet dramatizuar edhe më shumë toni. Nga mjeshtri i tonit. Sapo ka nisur pranvera, por Vuçiqi thotë: “Dimri që gjendet para nesh do të jetë më i rëndi deri më tani, energji do të ketë, por ushqim s’do të ketë mjaft, 25 për qind e tregut botëror nuk do të ketë bukë”. Mesazhi për Zhivoradin nga Pançeva, Milloradin nga Shabaci dhe Jelenën nga Vranja është ky: rrymë për të përgatitur ushqimin do të keni, gaz për t’u ngrohur po ashtu (“Xhaxhi Vlladimir nga Kremlini do të jetë zemërgjerë”), por ushqim mund të mos ketë. Çka dreqin të duhet ngrohja kur s’ke për të ngrënë? Por edhe këtu “babai i kombit” do të gjejë zgjidhje. Kanë mbetur edhe disa muaj derisa do të fillojë dimri.

Kur flet për sanksionet kundër Rusisë, Vuçiqi përmend tezet, sepse nuk është e udhës të përmendë të birin e tij, Danillon. Mediat kritike serbe kanë publikuar fotografi në të cilat Danillo shihet bashkë me krerë të krimit të organizuar në Serbi, figura të rrezikshme si Velko Belivuk dhe të sojit të tij, të cilët dyshohet se rivalët e tyre në sektorin e mafisë i heqin qafe me metoda rituale: për shembull duke i grirë me sharrë elektrike dhe duke i bërë qofte e qebapë.

Krahasuar me të birin e Vuçiqit e bija e Vlladimir Putinit duket tepër mirë e edukuar. Katrina Tihonova, 35-vjeçare, ka qenë në lidhje me baletmaestrin e njohur rus Igor Zelenski, i cili deri para pak javësh e ka drejtuar Baletin Shtetëror të Bavarisë në München. Duket se Putini ka qenë edukator më i mirë se Vuçiqi. Por Putini ka fusha të tjera ku e dëshmon “dashurinë” e tij për njerëzimin: për shembull duke sulmuar shtete fqinje dhe për të vrarë me helm kritikët e tij – brenda dhe jashtë Rusisë.

Nuk dihet nëse Putini ka teze. Dhe nuk dihet nëse tezja e Putinit njihet me tezen e Vuçiqit. Por një gjë është e sigurt: këto teze nuk e njohin tezen e gruas të Aleksandar Vulinit, ministrit të Brendshëm serb. Para disa vjetësh Vulini u ballafaqua me një pyetje të sikletshme nga mediat e pavarura serbe: si ka arritur të financojë blerjen e një banese luksoze në qendër të Beogradit? Pasi pyetjeve këmbëngulëse Vulini tha se banesën ia ka financuar tezja. Jo tezja e tij, por tezja e gruas së tij. Ajo teze, sipas tij, jeton në Kanada. Serbet dhe serbët nuk e njohin këtë teze, nuk dihet a ekziston ajo, por me rëndësi banesa është blerë dhe kjo ka inspiruar shumë humoristët serbë.

Një portal hokatarësh njoftoi se me kërkesë të Vuçiqit “tezja nga Kanadaja” ia ka falur borxhin Vulinit. Fundja, çka janë 205 mijë euro për merakli tezesh dhe merakli banesash. Gjurmë se si janë transferuar paratë nuk ka. Por këto janë pyetje qesharake në një shtet ku presidenti flet për teze dhe e përdor tezen për të arsyetuar mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, e njëkohësisht thotë se Serbia gjendet si asnjëherë më parë në rrugën proevropiane, ndërkohë ankohet se shumë serbë nuk e përkrahin hyrjen në BE dhe në profilin e tij në Instagram, Aleksandar Vuçiqi poston një fotografi me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel duke pjekur qebapë.