Parlamentarët e pakicës turke në Kuvendin e Kosovës duhet të merren me problemet reale të komunitetit të tyre (a ka kanalizim në Mamushë?) – njëkohësisht ata duhet urgjentisht të heqin dorë nga politikat destruktive që synojnë ta helmojnë politikën e Kosovës me politikën e brendshme polarizuese turke.
Deputetët turq të Republikës së Kosovës duhet të përfaqësojnë interesat e qytetarëve turq të Kosovës. Nuk është punë e tyre të sillen në Prizren e Prishtinë si hyzmeqarë të Erdoan Taip Rexhepit nga Ankaraja e Stambolli. Këta deputetë, të zgjedhur edhe me urdhra burokratikë që burojnë nga Plani i Ahtisaarit, nuk duhet të keqpërdorin zemërgjerësinë e shtetit të Kosovës për lojëra të ndyra që kanë për qëllim ta shndërrojnë politikën e brendshme turke në politikë të Kosovës.
Ka ndodhur kjo kur u kidnapuan disa shtetas turq në Kosovë dhe iu dorëzuan shërbimit sekret turk në aeroportin e Prishtinës. Nuk duhet të ndodhë kurrë më. Kosova nuk duhet të ketë kurrë më politikanë që përzihen në lojëra të tilla të ndyra (para)politike turke. Nëse deputetët turq të Kosovës nuk i kanë lexuar lajmet, qe lajmi për ta: Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tre personave, nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë”. Mes të akuzuarve është edhe Driton Gashi, i cili në kohën e kidnapimit ka qenë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Zyrtarë të lartë të partive që i fituan zgjedhjet në Kosovë më 14 shkurt Gashin e përshkruajnë me një fjalë: “Kriminel”! Se a është i tillë, mbetet ta dëshmojë drejtësia. Por akuza është mjaft domethënëse.
Kosova dëshiron marrëdhënie të mira me Turqinë. Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Turqisë në forcimin e subjektivitetit të saj. Por Kosova nuk mund dhe nuk do të shndërrohet kurrë në provincë turke. Kërkesa e deputetëve turq të Kosovës që qeveria e re ta shpallë “organizatën e Fethullah Gülenit (Gylenit) si terroriste” është kërkesë shantazhuese. Gülen ka qenë aleat i madh i Erdoanit, bashkë e kanë bërë planin për të fituar pushtetin, janë prishur kur njëri ka menduar se tjetri është i korruptuar. Në këtë betejë brendaturke Kosova s’ka çka kërkon.
Gülen jeton në SHBA. As Donald Trumpi, as Joe Bideni nuk e kanë marrë seriozisht kërkesën e Erdoanit për ekstradimin e Gülenit, i cili nuk është engjëll, assesi, por as shteti që e mban nën kontroll Erdoani nuk është alamet shembull për sundimin e drejtësisë. Përkundrazi.
Edhe kërkesa tjetër, e shprehur nga njëfarë politikani lokal turk me emrin Fikrim Damka, se Kosova duhet të mbyllë “shkollat e Gülenit” është çështje krejtësisht kosovare dhe jo çështje që duhet të shndërrohet në “aferë shtetërore” me Turqinë. Këto shkolla Erdoani dikur i ka lavdëruar si shembullore, e tash, pasi është acaruar me Gülenin, i quan “vatra terroriste”. Në këto shkolla i kanë dërguar fëmijët e tyre edhe ata politikanë kosovarë që organizuan kidnapimin e arsimtarëve të fëmijëve të tyre.
Damka dhe damkuesit e tjerë të Kosovës nga komuniteti turk si kusht tjetër për përkrahjen e qeverisë së kryeministrit të ardhshëm Albin Kurti përmendin heqjen dorë nga hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Është qesharake që një deputet lokal turk të merret me çështje globale dhe gjeostrategjike dhe me politikën e jashtme të Kosovës. Sepse as Kosova dhe as shtete të tjera më muskuloze se Kosova nuk po merren me Erdoanin, i cili këto ditë, befas, vendosi të normalizojë marrëdhëniet me Egjiptin, pasi me vite kishte thënë se kurrë nuk do të flasë me presidentin e Egjiptit, Abd al-Fatah as-Sisi, i cili e rrëzoi nga pushteti Muhamed Mursin, një lider të “Vëllazërisë Myslimane”, e cila erdhi në pushtet pas rrëzimit të regjimit të Hosni Mubarakut.
Damka dhe shokët e tij duhet të merren me halle lokale. Për shembull: a ka kanalizim në Mamushë? Por nëse patjetër duan të merren me politikë të lartë, atëherë le të dalin njëherë e të kërkojnë lirimin e Osman Kavallës, filantropit dhe aktivistit turk për të drejtat e njeriut, i cili qe disa vite po mbahet në burg. Pa asnjë dëshmi. Damka dhe damkuesit e tjerë të Kosovës duhet ta kuptojnë edhe një gjë: në zgjedhjet e fundit lokale në Turqi gati gjysma e turqve nuk e përkrahën Erdoanin. Kosova s’mund të bëhet pjesë e fushatave toksike dhe interne të politikës turke.