Kidnapohet një avion civil perëndimor për të arrestuar një gazetar opozitar bjellorus? Çfarë dukej iluzion tani është realitet – me metoda të KGB-së. Evropa sërish është e “shqetësuar”
Në reagimet e para lidhur me rrëmbimin e avionit të Ryanair nga forcat e diktatorit bjellorus shihet edhe përçarja e evropianëve. Presidenti i Lituanisë tha se rrëmbimi i avionit paraqet një akt terrori nga ana e regjimit të Aleksandër Llukashenkos. Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se rrëmbimi paraqet terrorizëm shtetëror. Ministri i Jashtëm gjerman, ndërkaq, tha: Ne jemi shumë të shqetësuar. Komisionerja e BE-së për transport, një politikane rumune, në një postim në Twitter shprehu gëzimin që avioni i Ryanair arriti të vazhdojë rrugëtimin nga Minsku në Vilnius, por pa përmendur se në kryeqytetin bjellorus ishte nxjerrë nga avioni gazetari opozitar, Roman Proteseviq. Duket se dikush ia tërhoqi vërejtjen komisioneres së BE-së dhe ajo në një Tweet të dytë kërkoi lirimin e gazetarit opozitar.
Çfarë ndodhi gjatë fundjavës është e pashembullt në historinë bashkëkohore të transportit civil: një shtet joanëtar i BE-së e detyron një avion me mbi 100 pasagjerë, i cili qarkullon mes dy shteteve të BE-së (Greqi, Lituani), që në rrethana të dyshimta të aterrojë urgjentisht dhe pastaj arrestoi një kritik të regjimit. Nuk është film, është aksion i organizuar nga diktatori bjellorus Lukashenko. Me gjasë me ndihmën e Rusisë. Sidoqoftë, pas aterrimit në Minsk, katër pasagjerë, të gjithë shtetas rusë, nuk pranuan ta vazhdojnë fluturimin për në Vilnius. A thua përse?
Ndërkohë në Bruksel diskutohej se në mbledhjen e ministrave të Jashtëm secili politikanë duhet të dorëzojë telefonin mobil para se të hyjë në sallën e konferencave. Frika nga përgjimi rus është e madhe. Dhe përgjigjet ndaj agresionit rus, ndaj luftës hibride të Kremlinit kundër Evropës s’janë askund. Rusia dyshohet se ka helmuar disidentë rusë gjithandej nëpër Evropën Perëndimore dhe kjo ka kaluar pa pasoja serioze për agresorin. Rusia dyshohet se qëndron pas vrasjes së një çeçeni në Berlin dhe dyshohet se ka depërtuar edhe në Bundestag, në Parlamentin gjerman, duke vënë në shënjestër edhe kancelaren Angela Merkel, por lobi prorus në Gjermani është aq i fuqishëm, saqë Vladimir Putini mund të rri i qetë. Pjesë e këtij lobi nuk është vetëm ish-kancelari, Gerhard Schröder, një antiamerikan i përbetuar dhe argat me pagesë i Putinit, por edhe një sërë politikanësh socialdemokratë sidomos nga Gjermania Lindore që symbyllur përqafojnë Rusinë zyrtare. Si kolonë e pestë proruse funksionon edhe partia “Die Linke”, e majta, një grup politik i përbërë nga disa tipa që duan të jenë stalinistë-globalistë. Në përgjithësi elitat politike gjermane nuk kanë qëndrim të qartë lidhur me rolin gjithnjë e më kriminal të Rusisë (dhe Bjellorusisë).
Përkundër presionit amerikan dhe të shteteve baltike dhe Polonisë, Berlini nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i gazsjellësit “Nord Stream 2”, i cili e shmang Ukrainën dhe kështu ia humb dukshëm rëndësinë gjeostrategjike, duke e bërë plaçkë të lehtë të Rusisë.
BE-ja nuk është përgjigjur me vendosmëri as kundër rolit gjithnjë e më të rrezikshëm të Rusisë në Ballkan. Në fundjavë u bë e ditur se Moska i ka dhuruar ushtrisë së Serbisë 30 tanke dhe po aq automjete të blinduara. Dorëzimi i këtij materiali luftarak është bërë në Nish dhe vlera e tij arrin në 75 milionë euro, tha ministri serb i Mbrojtjes. Megjithatë, kryetari serb vazhdon të jetë i përkëdheluri i evropianëve – ndonëse në vendin e tij praktikisht është suspenduar demokracia dhe janë vënë nën kontroll shumica e mediave. Serbia vazhdon të jetë shtet kandidat për hyrje në BE dhe drejt këtij qëllimi zhvillon edhe negociata. Ndërkohë, dy shtete të tjera, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duhet të presin fillimin e negociatave. Kjo është njëra prej padrejtësive të mëdha që e degradon krejt procesin e integrimeve evropiane.
Kur në vitin 2016, në Mal të Zi, një grup i dyshimtë ruso-serb u përpoq ta rrëzojë nga pushteti Qeverinë e Millo Gjukanoviqit, reagimi evropian nuk ishte aq i vendosur dhe solidar me Podgoricën. Gazetarë cinikë perëndimorë menjëherë u ngutën të shprehin dyshime në mos ky aksion ishte “inskenim i Gjukanoviqit”. Edhe në trazirat në Maqedoninë e Veriut, nën sundimin e Nikolla Gruevskit, roli i shërbimeve ruse dhe serbe ka qenë i madh. Cila ka qenë përgjigjja e evropianëve ndaj këtij rreziku? Qe cila ka qenë: kancelari austriak, Sebastian Kurz, vajti në Shkup dhe e përkrahu regjimin e Gruevskit gjatë fushatës elektorale. Në Beograd dhe Shkup ka qëndruar edhe propagandisti i madh i Kremlinit, Aleksandër Dugin.
Pas kidnapimit të avionit të Ryanair, BE-ja ndoshta do të marrë disa masa ndëshkuese ndaj Bjellorusisë. Por, me rëndësi është që në shënjestër të sanksioneve perëndimore të jetë Rusia, vatra e shumë aksioneve që synon ta destabilizojnë mbarë Perëndimin.