OpEd

Testi i Shën Pjetrit

Buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së është më shumë sesa çështje parash. Ai është përgjigje në pyetjen e vjetër evropiane: Quo Vadis Europa?

Margaret Thatcher dhe Jacques Delors janë dy persona të cilët kanë ndikuar më së shumti në historinë moderne të Evropës së bashkuar. Madje edhe sot gjysmë shekulli më vonë trashëgimia e tyre politike vazhdon të definojë të ardhmen e kontinentit evropian. 

Thatcher dhe Delors kanë parë dy Evropë tërësisht të kundërta. Thatcher e ka parë një Evropë sovraniste, Delors një federative. Thatcher e ka parë një Evropë ekonomike, Delors një politike.

Thatcher e ka parë një Evropë kapitaliste, Delors një sociale. Këto dy vizione të kundërta do të shndërrojnë Thatcherin dhe Delorsin në kundërshtarët më të mëdhaj politikë në skenën evropiane.

Nga “I dua paratë mbas”, e deri te fjalimet e famshme të Londres dhe Bruzhit këta dy gjigantë kanë qenë mishërim i betejës së dy vizioneve të ndryshme për kontinentin evropian. Ajo çfarë filloi si ballafaqim i vizioneve politike u shndërrua edhe në betejë personale. Të gjithë e mbajmë mend fjalimin e famshëm të Thatcherit “Jo. Jo. Jo.” i cili edhe u bë shkas për rrëzimin e saj përfundimtar, por pakkush mban mend që para fjalëve të famshme “Jo. Jo. Jo.” Thatcher iu referua drejtpërdrejt Delorsit në atë tetorin e famshëm të vitit 1990 duke thënë: “Presidenti i Komisionit, z. Delors, dëshiron që Parlamenti Evropian të jetë trup demokratik i Komunitetit, që Komisioni të jetë trup ekzekutiv dhe që Këshilli i Ministrave të jetë Senati. Jo. Jo. Jo”. Ky fjalim i Thatcherit do ta përçajë partinë e saj dhe një muaj më vonë Thatcher do të dorëzojë dorëheqjen e saj.

Ndonëse është histori, kjo është një nga ato historitë që vazhdojnë të përkufizojnë edhe të sotmen. BREXIT-i ka qenë pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj historie. Edhe sot vizionet e Thatcherit dhe Delorsit vazhdojnë të sfidojnë kontinentin evropian. Në thelb kjo përplasje vizionesh ka të bëjë me kompetencat dhe paratë. Kompetencat në kuptimin e asaj se ku fillon pushteti i BE-së e ku ai i vendeve anëtare, ndërsa paratë në kuptimin e madhësisë së buxhetit të BE-së. A do të financojë BE-ja bankrotin grek? A do të financojë BE-ja telashet e vendeve anëtare me krizën financiare? A do të financojë BE-ja telashet e vendeve anëtare si pasojë e COVID-it? A do të financojë BE-ja krizën energjetike? A do të financojë BE-ja Ukrainën? Të gjitha këto pyetjet të cilat kanë përkufizuar historinë moderne politike evropiane janë pyetjet që kanë të bëjnë me kompetencat dhe paratë e BE-së. Dhe kësisoj BE-ja sot ka hyrë në betejën e saj më të madhe – buxhetin e saj të ardhshëm shtatëvjeçar. 

Çdo shtatë vjet vendet anëtare të BE-së miratojnë buxhetin e ardhshëm evropian. Dhe çdo shtatë vjet dakordimi për buxhetin e BE-së është çështje më e vështirë politike evropiane dhe ripërjetim i vizioneve të kundërta të Thatcherit dhe Delorsit. 

Këtë vit Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet rekord prej dy trilionë euro për periudhën 2028-2034. Ndonëse në sipërfaqe duket shumë e madhe, buxheti i BE-së, i cili mbulon 450 milionë qytetarë evropianë, është në fakt më i vogël se buxheti i Austrisë i cili mbulon 9 milionë banorë austriakë. 

Buxheti i ardhshëm i BE-së ka shumë arsye për të thyer rekorde. Asnjëherë BE-ja nuk është ballafaquar me kaq shumë kriza ekzistenciale njëkohësisht. Në kontinentin e saj po zhvillohet lufta më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, me potencialin serioz për të eskaluar në një luftë evropiane. Nën Trumpin aleanca transatlantike nuk është më gjë e garantuar, ndërsa siç ka identifikuar raporti i Mario Draghit, BE-ja duhet të investojë masivisht në rritjen e konkurrueshmerisë së saj nëse synon të bëjë realitet vizionin e saj për autonomi strategjike. 

Në këtë sfond buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj këtyre sfidave. Ai parasheh pesëfishimin e buxhetit ushtarak dhe krijimin e një fondi masiv për rritjen e konkurrueshmerisë ekonomike evropiane. Ai synon të rrënojë burokracinë dhe ngurtësinë tradicionale evropiane duke krijuar instrumente jashtëzakonisht fleksibile të cilat do t’i lejojnë BE-së t’i përgjigjet efektivisht gamës së gjerë të sfidave dhe prioriteteve me të cilat ballafaqohet. Natyrisht nuk ka buxhet të mirë financiar nëse të gjithë janë të lumtur. Një buxhet efektiv dhe reformues nuk toleron status-quon. Rrjedhimisht patjetër se do të këtë fitues dhe humbës. Fituesit janë fusha e mbrojtjes, e konkurrueshmerisë, inovacionit, teknologjisë digjitale, energjisë dhe Ukraina. Këto tema do të shohin rritje të madhe investimesh në shtatë vjetët e ardhshëm. Humbësi më i madh është bujqësia. Prej kohësh fondet për bujqësi kanë qenë pjesa më e madhe e buxhetit evropian. Deri relativisht vonë ato kanë konsumuar 60% të gjithë buxhetit të BE-së. Të kritikuara si relikt i historisë këto fondet kanë kaluar nëpër një evolucion të ngadaltë të reduktimit dhe drejtimit të fondeve evropiane në fushat më inovative dhe konkurruese. Me buxhetin e ri shtatëvjeçar BE-ja synon të përshpejtojë këtë proces duke zvogëluar deri 30% buxhetin për bujqësi. Por asgjë nuk është e përfunduar. Buxheti momental është vetëm propozim i Komisionit Evropian dhe gjatë dy vjetëve të ardhshëm liderët e vendeve anëtare do të negociojnë ashpër çdo pjesë të buxhetit shtatëvjeçar. Historikisht vendet anëtare kanë shpenzuar më së shumti kohë në negocimin e buxhetit shtatëvjeçar. Nga top pesë samite më të gjata të Këshillit Evropian dy nga këto kanë pasur të bëjnë me dekodimin e buxhetit shtatëvjeçar. Në fakt samiti i fundit i Këshillit i cili ka dakorduar buxhetin e kaluar shtatëvjeçar të BE-së ka zgjatur katër ditë dhe katër net duke thyer rekordin e kohëzgjatjes së pandërprerë të një samiti të Këshillit Evropian. 

Arsyeja përse dakordimi për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së është beteja më e ashpër politike e BE-së është sepse kjo nuk është thjesht betejë për para. Ajo është betejë për të ardhmen e BE-së. Është ringjallje e debatit të Thatcherit dhe Delorsit mbi dy vizione të kundërta të kontinentit evropian. Është tentativë për t’iu përgjigjur pyetjes së vjetër biblike: Ku po shkon Evropa? 

Shën Pjetri ishte njëri nga dymbëdhjetë apostujt e Krishtit. Ai jetoi në kohën e perandorit romak famëkeq Nero i cili orkestroi persekutim brutal mbi krishterë. I frikësuar për jetën e vet, Shën Pjetri iku nga Roma. Rrugës duke u larguar nga Roma ai do të përjetojë teofani në formën e shfaqjes së Krishtit i cili marshon drejt Romës dhe vdekjes së sigurt. Shën Pjetri pyet Krishtin “Quo Vadis, Domine?” (Ku po shkon o Zot?). Krishti iu përgjigj “Po shkoj në Romë që të më kryqëzojnë edhe njëherë”. I turpëruar nga përgjigjja e Krishtit, Shën Pjetri do të kuptojë se misioni i tij nuk është që të ikë nga Roma dhe të braktisë besimtarët krishterë, por të kthehet në mesin e tyre dhe të përqafojë fatin të cilin zoti ka caktuar për të. Kësisoj shprehja “Quo Vadis” është bërë sinonim i dilemës qendrore të karakterit dhe fatit të një njeriu. Dhe sikur çdo njeri ashtu edhe BE-ja prej kohësh po mundohet të përgjigjet në dilemën qendrore të karakterit dhe fatit të saj. Miratimi i buxhetit të saj të ardhshëm shtatëvjeçar do të jetë përgjigjja e saj e radhës në pyetjen e famshme biblike Quo Vadis Europa?