Vetëvrasje, përdhunime, marshe vdekjeprurëse, dëbime, nazistë që ikin, kampe shfarosjeje që çlirohen: historiani gjerman, Volker Ullrich, ka shkruar një libër të vlefshëm mbi 8 ditët pas vdekjes së Adolf Hitlerit.
Çka ndodhi pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit më 30 prill 1945? Me këtë pyetje në kokë, historiani gjerman, Volker Ullrich, nisi të shkruante një libër, ku minutë pas minute, bazuar në burime të shumta, e merr me vete lexuesin në një udhëtim historik plot detaje që të lënë pa frymë.
Më 30 prill 1945, Wilhelm Keitel, shef i kryekomandës së Wehrmachtit (ushtrisë naziste gjermane), e njoftoi udhëheqjen naziste të prirë nga Hitleri se armata e 12-të naziste kishte mbetur e bllokuar në jugperëndim të Potsdamit dhe s’mund të lëvizte në drejtim të Berlinit. Kryeqyteti gjerman ishte i rrethuar nga trupat sovjetike nga 25 prilli. Për Hitlerin tani çdo gjë ishte e qartë: ai do t’i shpëtonte dorës sovjetike vetëm përmes vetëvrasjes.
Diktatori u përshëndet me shumicën e personelit që e rrethonte. Besnikëve të tij u bëri thirrje të ikin në drejtim të pjesës perëndimore të Gjermanisë në drejtim të njësive amerikane dhe britanike për të mos rënë në duart e Armatës së Kuqe. Hitleri i dha urdhër adjutantit të tij Otto Günsche që të sigurojë benzinë të mjaftueshme për të djegur kufomat e Hitlerit dhe gruas së tij Eva Braun, të cilin diktatori e kishte martuar pak para vetëvrasjes në shenjë respekti për lojalitetin e saj.
Hitleri tha se nuk dëshironte që kufoma e tij të ekspozohej në Moskë. Me gjasë, Hitleri e kishte parasysh fatin e Benito Mussolinit, i cili ishte arrestuar më 27 prill bashkë me të dashurën e tij Claretta Petacci dhe një ditë më vonë ishte pushkatuar. Kufomat e tyre ishin varur në një pikë karburanti në Milano. Rreth orës 15:30 të 30 prillit 1945 një shërbëtor hapi derën e dhomës së punës së Hitlerit. Diktatori tashmë kishte bërë vetëvrasje – me revole. Në kanapenë në anën e djathtë shihej Eva Braun – “me këmbë përpjetë”, siç shkruan Volker Ullrich. Ajo kishte pirë një tabletë cianid. Nën breshërinë e armëve të ushtrisë sovjetike trupat u spërkatën me benzinë dhe u dogjën në oborrin e selisë së Hitlerit. Kështu mori fund jeta e një barbari, mbase më të madhit në historinë e njerëzimit.
Rreth orës 22:40 të 30 prillit ushtari sovjetik Mihail Petroviq Minin, u ngjit në kulmin e parlamentit gjerman bashkë me disa ushtarë të tjerë. Me vete ata kishin një çarçaf të kuq, por s’kishin shtizë. E morën një qyng llamarine dhe e vendosën flamurin e improvizuar në të, të cilin e varën në një skulpturë. Njësitë e fundit gjermane u dorëzuan më 2 maj. Në orët e hershme të mëngjesit fotografi sovjetik Jevgeni Kaldej hyri në ndërtesën e parlamentit gjerman dhe tani u inskenua ajo çfarë kishte ndodhur 30 orë më herët: dy ushtarë sovjetikë ngritën gjoja flamurin e parë me çekan e drapër mbi kulmin e Reichstagut. Disa muaj më vonë fotografi Kaldej e fshiu një orë nga dora e djathtë e ushtarit sovjetik, i cili mbante shtizën e flamurit. Sovjetikët dëshironin të hiqnin dilemat nëse ora ishte e vjedhur. Krahas Hitlerit dhe Eva Braunit, vetëvrasje bënë edhe ministri i propagandës Joseph Goebbels dhe gruaja e tij Magda. Ata në botën e përtejme i morën edhe fëmijët e tyre.
Volker Ullrich përshkruan hollësisht ditët deri më 8 maj, kur Gjermania naziste kapitulloi. Nga libri bëhet e qartë se si i fituan zemrat e gjermanëve ushtarët amerikanë. Një grua që e kishte përjetuar hyrjen e amerikanëve në fshatin Jettingen shkroi: “Ushtarët amerikanë janë të përzemërt. Herë pas here disa prej tyre na shikojnë përmes gardhit. Na pëlqen të bisedojmë me ta. (...) Na sjellin çokollata dhe ne flasim me ta sa më objektivisht për politikën - me një anglishte marrëzisht të dobët”. Për përzemërsinë e sovjetikëve nuk mund të flitej. Tek pas bashkimit të Gjermanive u bë e ditur përmasa e krimeve të tyre sidomos në Berlin, ku ata përdhunuan mijëra gra gjermane.
Më 10 maj 1945, Thomas Manni, shkrimtari i guximshëm gjerman, nga Kalifornia e largët iu drejtua bashkëkombësve të tij: “Kjo është një orë e madhe – jo vetëm për botën e fitimtarëve, por edhe për Gjermaninë, - një orë kur u shtri përtokë kuçedra, përbindëshi i tërbuar dhe i sëmurë, i quajtur nacionalsocializëm, i cili po dihat duke dhënë shpirt dhe Gjermania së paku është çliruar nga mallkimi të quhet vendi i Hitlerit. Nëse do të ishte çliruar vetë, më herët, kur ishte koha, por edhe më vonë, në çastin e fundit; nëse me tingëllimën e kambanës dhe muzikën e Beethovenit do ta kishte festuar çlirimin e vet, kthimin te njerëzimi, në vend se fundi i Hitlerit të mos jetë njëkohësisht edhe shkatërrimi i plotë i Gjermanisë, - natyrisht kjo do të ishte më mirë, do të ishte gjëja e më e dëshirueshme”.
Çlirimi nuk erdhi nga brenda, sepse gjermanët nuk kishin forcë të çliroheshin vetë. Çlirimi erdhi nga jashtë. Dhe gjermanët u nisën në një udhëtim të gjatë të denacifikimit dhe prosperitetit ekonomik.