Kandidatja e të Gjelbërve gjermanë për kancelare, Annalena Baerbock, po përballet me vështirësi të mëdha pasi është zbuluar se ka kopjuar në një libër të saj
Partia e Gjelbër e Gjermanisë, që në fillimet e saj në vitet ‘80 konsiderohej anarkiste, ka arritur popullaritet të madh viteve të fundit. Rreth 20 për qind e gjermaneve dhe gjermanëve mendojnë ta votojnë këtë parti në zgjedhjet e shtatorit. Partia e Gjelbër i ka dy kryetarë: një grua dhe një burrë. Nga mesi i prillit Robert Habeck doli para mediave dhe tha se kolegia e tij Annalena Baerbock do të jetë kandidate për kancelare të Gjermanisë, pra kandidate për të pasuar Angela Merkelin në post. Baerbock është anëtare e Parlamentit gjerman që nga viti 2013. Paraqitja e saj në opinion është e freskët, e drejtpërdrejtë, ajo angazhohet për barazi mes gjinive, për mbrojtje të ambientit, për integrime evropiane dhe solidaritet shoqëror. Baerbock është 40-vjeçare.
Para disa vjetëve gazeta DIE ZEIT e pyeti atë se çfarë e kishte shtyrë të hynte në politikë. Ajo u përgjigj: luftërat në Kosovë dhe Irak. Baerbock i përket krahut realpolitik të të Gjelbërve, pra krahut të Joschka Fischerit, i cili në fund të viteve ‘90 e detyroi partinë të pranojë stacionimin e trupave gjermane në Bosnjë e Kosovë, si dhe intervenimin gjerman në Kosovë në kuadër të NATO-s. Kësisoj të Gjelbrit u distancuan nga pacifizmi me çdo kusht. As nga NATO-ja nuk duan të dalin të Gjelbërit. Baerbock një kohë është marrë me gazetari, ka studiuar shkencat politike dhe ka kryer një master në Londër në të drejtën ndërkombëtare.
Kështu, me pak fjalë, do të mund të përmblidhej biografia politike e Annalena Baerbock – po të mos ishte shfaqur këto ditë një problem tjetër: libri i saj “Tani. Si ta rinojmë vendin tonë”. Si shumë politikanë në botën gjermane, edhe zonja Baerbock ka shkruar një libër në prag të zgjedhjeve në Gjermani, që do mbahen në shtator. Qëllimi i librit: pak marketing politik, pak prezantim për opinionin, pak ledhatim i egos.
Por mediat janë të pamëshirshme. Gjuetarët e plagjiatit, siç quhen në Gjermani ata që me akribi hulumtojnë nëse një autore apo autor ka kopjuar, pra gjuetarët e plagjiatit janë edhe më të pamëshirshëm se mediat. Një ekspert austriak i komunikimit ka hallakatur e shkundur fund e krye librin e Baerbock dhe ka zbuluar se ajo ka kopjuar në disa pjesë të tij. Tani në mediat gjermane s’ka temë tjetër. Zonja Baerbock gjendet para një tribunali publik. Çdo ditë zbulohen detaje të reja. Çdo ditë shfaqen akuza të reja. Baerbock duket se ka marrë paragrafë të tërë nga mediat dhe i ka futur në libër. Po ashtu me gjasë ka kopjuar edhe nga studimet dhe punimet e institucioneve të ndryshme dhe nga qëndrimet e partisë – pa deklaruar hapur se ku i ka marrë citatet.
Brenda pak ditësh besueshmëria e zonjës Baerbock është fundosur. Sepse, siç u tha, mediat janë të pamëshirshme. Të Gjelbrit gjermanë, deri më tani aq të popullarizuar, saqë besonin se do të pushtojnë edhe zyrën e kancelares Angela Merkel, e cila s’kandidon më, tani gjenden para humnerës. Ata hedhin poshtë akuzën se Baerbock ka shkelur të drejtat autoriale dhe kanë deponuar padi kundër gjuetarit austriak të plagjiatit. “Akuzat për plagjiat kundër kandidates së Gjelbër për kancelarë, Annalena Baerbock, kanë një dimension politik, juridik, profesional dhe shoqëror. Së paku”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Sigurisht ajo ka pak kohë. Nuk është një vogëlsi që krahas agjendës së dendur politike ta shkruash edhe një libër. Por ajo ka pasur asistentë, ka pasur shtëpinë botuese dhe personelin e saj. (...) Baerbock dhe shtëpia e saj botuese me botimin e këtij libri kanë shkelur nderin publicistik. Në vend të zemërimit mbi gjoja fushatën e njollosjes, e udhës do të ishte një kërkimfalje”.
Një qasje tjetër ka “Süddeutsche Zeitung”, gazeta tjetër e madhe gjermane. Në rubrikën e kulturës njëri nga gazetarët e njohur të saj e mbron zonjën Baerbock dhe ankohet për “artin e nxirjes” së personaliteteve publike. Po, Baerbock ka bërë gabime, por a janë këto gabime aq të rënda sa për të shkatërruar karrierën e saj politike? Jo, mendon “Süddeutsche Zeitung”. “Kush është i zoti t’i përdorë me shkathtësi makinat e kërkimit mund të shkatërrojë karriera nga Home-Office (nga zyra në shtëpi). Kurrë s’ka qenë më lehtë për të nxirë personat që ndodhen nën reflektorët e publikut”.
Fushata kundër Baerbock ka prodhuar efekte. Madje një e katërta e përkrahësve të të Gjelbërve në Gjermani konsideron se Baerbock nuk është më kandidatja e duhur për kancelare. Një anketë ka treguar se 64 për qind e votuesve besojnë se ka qenë gabim emërimi i Baerbock për postin e kancelares dhe se kandidat më i mirë do të ishte Robert Habeck. A mund të ndodhë e papritura: që të Gjelbrit pothuaj tre muaj para zgjedhjeve ta zëvendësojnë kandidatin për kancelar – Habeck në vend të Baerbock? As një mundësi e tillë nuk po përjashtohet më.