Zgjedhjet 2025

Rezultatet e përmbledhura, VV-ja fiks 50 për qind

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Pas numërimit të votave në qendrat komunale të numërimit, si dhe 39 nga 40 përfaqësitë diplomatike dhe një nga shtatë vendvotimet e votave me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në fiks 50 për qind të votave në rezultatet e përmbledhura.

Nga numërimi i deritashëm, VV-ja ka marrë 447 mijë e 179 vota. 

Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 20.76 për qind të votave apo 185 mijë e 689 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 13.44 për qind të votave apo 120 mijë e 182 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngelet subjekti i katërt më i madh në vend. AAK-ja ka marrë 49 mijë e 856 vota, apo 5.57 për qind.

Në ulëse, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 56 ulëse, PDK-ja 23, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6.


Përfundon numërimi i votave në vendvotimet në Kosovë, vazhdon i atyre të diasporës

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. 

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, theksoi se fokusi i KQZ-së tashmë është zhvendosur në QNR, ku po zhvillohen fazat e radhës së procesit zgjedhor.

“Në vazhdim, aktivitetet e KQZ-së janë përqendruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ku nga data 2 janar janë duke u numëruar më shumë se 16 mijë fletëvotimet nga votimi i zhvilluar më 27 dhjetor në 29 përfaqësitë diplomatike dhe pasditen e së shtunës do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë”, tha ai për EO. 

Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në mbi 433 mijë vota si partia më e madhe, e kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti i prin listës me 355 mijë e 248 vota.

Në LVV, më të votuarit pas tij janë Glauk Konjufca me më shumë se 275 mijë vota, Albulena Haxhiu e Hekuran Murati me më shumë se nga 145 mijë vota, Donika Gërvalla me afër 130 mijë vota, Xhelal Sveçla me mbi 115 mijë vota dhe Hajrulla Çeku me afër 105 mijë vota.

Te Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, si kryetar dhe prijës i listës ka marrë 155 mijë e 244 vota. Pas tij, i dyti ka dalë Arian Tahiri, ndërsa top-pesëshen e mbyllin Përparim Gruda, Uran Ismaili e Sala Jashari me mbi 45 mijë vota.

Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK-së për kryeministër, ka marrë më shumë se 83 mijë vota. Pas tij, në LDK e dyta doli Hykmete Bajrami, ndërsa Ukë Rugova, Avdullah Hoti e Doarsa Kica-Xhelili mbyllin top-pesëshen.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që ka siguruar gjashtë ulëse, më i votuari ishte kandidati i saj për kryeministër, Ramush Haradinaj me rreth 41 mijë vota. Top-pesëshja kompletohet nga Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha e Agim Çeku.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.


Gati 99% të votave të numëruara, tetë kandidatë me mbi 100 mijë vota

Kanë mbetur rreth 1 për qind e votave për përfundim të procesit të numërimit të votave në vendvotime nga zgjedhjet parlamentare te 28 dhjetorit. 

Në Qendrat Komunale të Numërimit kanë përfunduar votat për subjektet politike nga 2529 prej 2557 qendrave të votimit, përkatësisht nga 98.90% të qendrave të votimit. Nga këto qendra janë numëruar edhe votat për kandidatë për deputetë. 

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.26 për qind, pasuar nga PDK-ja me 21.07 për qind, LDK-ja me 13.45 për qind dhe AAK-ja me 5.69 për qind.

Sa i përket kandidatëve për deputetë tetë prej tyre kanë kaluar shifrën e 100 mijë votave, bazuar në numërimin e votave nga 89.56 për qind të qendrave të votimit, shtatë prej tyre nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. 

Nga radhët e VV-së më të votuarit janë Albin Kurti me 349 mijë e 299 vota, pasuar nga Glauk Konjufca me 270 mijë e 753, Albulena Haxhiu me 142 mijë e 509 vota, Hekuran Murati me 142 mijë e 430 vota, Donika Gërvalla-Schëarz me 126 mijë e 839 vota, Xhelal Sveçla me 113 mijë e 150 vota dhe Hajrulla Çeku me 102 mijë e 450 vota. 

Shifrën e 100 mijë votave e ka kaluar edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza. Ai deri më tash ka mbledhur 153 mijë e 326 vota. 

Në këto vota nuk llogariten edhe votat me kusht dhe ato nga jashtë.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën me 28 dhjetor. 

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.