Zgjedhjet 2025

Numërohen mbi 25 për qind të votave për kandidatë, “vulosen” top-dhjetëshet

votim

Foto: Driton Paçarada

Janë numëruar mbi 25 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të dhënat e publikuara në uebfaqen e KQZ-së deri tash kanë pasqyruar edhe kandidatët më të votuar të secilit subjekt. Në Lëvizjen Vetëvendosje, lideri i saj Albin Kurti ndiqet me vota nga Glauk Konjufca, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla-Schwarz, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila e Ejup Maqedonci në top-dhjetëshen më të votuar në koalicionin fitues të VV-së me Guxo-n dhe Alternativën.

Ndërkaq te Partia Demokratike e Kosovës si subjekti i dytë më i madh, dy emrat e parë janë të rinj për Kuvendin. Pas kryetarit Bedri Hamza, më i votuari deri tash është Arian Tahiri, ndërsa Përparim Gruda, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Arben Mustafa, Enver Hoxhaj e Rrahman Rama kompletojnë listën prej 10 kandidatëve më të votuar në këtë subjekt. Pos Hamzës e Tahirit që nga 9 shkurti nuk kishin mbajtur post të deputetit, për herë të parë në Kuvend te PDK-ja deputet pritet të jetë edhe Arben Mustafa.

Te Lidhja Demokratike, që ka pësuar rënien më të madhe, pas kryetarit Lumir Abdixhiku më të votuarit janë Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri e Janina Ymeri. Te LDK-ja, emra të rinj në këtë top-dhjetëshe janë Ukë Rugova e Janina Ymeri.

Tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas Ramush Haradinajt më së shumti vota ka marrë Daut Haradinaj, i ndjekur nga Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Burim Ramadani, Agim Çeku, Arbër Tolaj, Arton Demhasaj e Albana Bytyqi. Në këtë parti pra pritet që deputet të rikthehet Besnik Tahiri.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje me koalicion ka siguruar 56 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 23 ulëse, ndërsa LDK-ja 15. Gjashtë ulëse do t’i takojnë AAK-së.