038

Komuna e Prishtinës: Plepi që mbyti 30-vjeçarin i kishte rrënjët e dëmtuara

Pas rastit tragjik të së hënës së kaluar, ku humbi jetën një 30-vjeçar si pasojë e rënies së një plepi mbi të, “Hortikultura” ka nisur trajtimin e drurëve të dëmtuar dhe atyre që kanë nevojë për krasitje.

Janë disa lagje të Prishtinës në të cilat ekspertët kanë dalë për vlerësimin e drurëve pas erërave të forta që përfshinë vendin.

Megjithëse, sipas Komunës, kjo punë është e zakonshme dhe bëhet gjatë gjithë vitit.

“Procesi i identifikimit të drunjve të rrezikshëm nuk është një proces që ka nisur tani. Është detyrë e ‘Hortikulturës’ që merret me kultivimin e sipërfaqeve të gjelbra. Identifikojnë drunjtë e rrezikshëm pastaj marrin masa. Krasitja bëhet në pranverë dhe vjeshtë, por për drurët me rrezikshmëri të lartë bëhet gjatë tërë vitit”, ka thwnw Donika Çeta, drejtoreshë e Pylltarisë.

Ajo thotë se plepi nga i cili humbi jetën një person, nga jashtë nuk ka dhënë ndonjë shenjë se është i dëmtuar, përderisa, thotë se pas inspektimit ka dalë se lokali që gjendet pranë ka dëmtuar rrënjët e tij.

“Sipas inspektimit të drurëve nga ekspertët, tani ka dalë që rrënja ka qenë e dëmtuar. Zakonisht gjatë inspektimit të drurit shihet ndonjë dëmtim që mund të identifikohet dhe kështu në këtë rast nuk ka qenë e mundur të verifikohet se ai dru është me rrezikshmëri të lartë. Gjatë inspektimit është parë se rrënjët janë dëmtuar gjatë ndërtimit të themelit të lokalit në afërsi”, tha ajo.

Ndërkohë, drejtori i kompanisë “Hortikultura” tha se ata po bëjnë largimin vetëm të drurëve, të cilët janë rrëzuar nga erërat e fuqishme.

“Ekipet e ekspertëve janë në terren, aty ku vlerësohet të bëhet largimi i drurëve të rrëzuar, ne e kemi fjalën për drunjtë e rrëzuar nga erërat e forta, ndërsa drunjtë tjetër të cilët mund të paraqesin rreziqe do të shikohen në të ardhmen nga komisione profesionale, të bëhet një krasitje e thellë, por propozimet janë që ky komision të punojë deri në kohën e vjeshtës, kur do të kryhen edhe krasitjet”, pohoi Isak Rakovica, drejtor i kompanisë “Hortikultura”.

Qytetarët shprehen se Komuna duhet të kujdeset në vazhdimësi për drunjtë dhe të mos lejojë të vije deri tek ndonjë tragjedi tjetër.

Sipas Çetës, plepi nuk preferohet të mbillet brenda zonave të banueshme, megjithatë, me zgjerimin e qytetit ato kanë mbetur brenda dhe me ligj nuk lejohet largimi i tyre nëse nuk janë të dëmtuar.