Qëndron i ulur para shtëpisë së tij, në të cilën është lindur. Me mall shijon çdo cep të fshatit ku ka kaluar fëmijërinë.
Për shkak të mungesës së infrastrukturës në Prapashticë, Isak Hasani si shumë bashkëfshatarë të tjerë ka vite që ka lëshuar fshatin për një jetë më të mirë.
Megjithëse e dëshiron shumë, rikthimin në çdo vikend nuk po mund ta bëjë as tani, në mungesë të energjisë elektrike.
Madje, ai thotë se së bashku me djalin e tij është i interesuar të investojë edhe me hapjen e një ferme të lopëve, mirëpo pa energji elektrike është e pamundur.
Ka më shumë se dy vjet që një pjesë e Prapashticës ka mbetur pa energji elektrike.
Megjithëse për momentin këto shtëpi janë të zbrazëta, sipas banorëve, kjo po ua pamundëson rikthimin në to gjatë fundjavave.
Baki Musa thotë se vite më parë kanë regjistruar orën dhe në fillim kishte energji elektrike, por pas një stuhie shtyllat elektrike janë rrëzuar për të mos u rregulluar më nga KEDS-i.
Sipas Musës, po të rikthehej energjia elektrike, do ta rikthente edhe familjen e tij për banim të përhershëm aty.
Megjithëse i kanë regjistruar orët, KEDS-i thotë se në këtë pjesë nuk ka asnjë konsumator.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Margarita Rashiti, tha se ata janë duke bërë analizimin dhe hartimin e një raporti, në mënyrë që të bëhet zgjidhja më e mirë për këtë vend.
“Kjo pjesë është pasive tash e disa vjet dhe nuk ka asnjë konsumator. Ne i kemi dërguar ekipet tona atje dhe jemi mundur që të gjejmë zgjidhjen më të mirë për banorët e asaj ane. Gjithashtu Komuna është duke investuar me një rrugë aty, por sipas analizave tona është shumë e vështirë të përshtatet, sepse është larg transformatorit. Ne jemi duke u marrë me këtë çështje dhe do të bëjmë më të mirën për konsumatorët”.
Për shkak të pozitës gjeografike malore, Prapashtica dhe fshatrat e tjera të Gollakut shpeshherë janë ankuar për problemet me energji elektrike, sidomos gjatë erërave dhe reshjeve të mëdha.