Reformimi i kuorumit është çelësi për funksionalitetin parlamentar
Çdo pesë vjet në Kosovë partitë qeverisëse kanë problem për të siguruar 2/3 e deputetëve për ta zgjedhur presidentin. Në këtë kohë shpesh argumentohet që procesi lehtësohet nëse presidenti zgjidhet nga populli. Por, zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli është e panevojshme kur Kosova është republikë parlamentare me kryeministrin si fuqi kryesore ekzekutive. Pasi që roli i presidentit nuk është ekzekutiv, zgjedhja e Presidentit në Kosovë nuk ka nevojë të bëhet direkt nga populli, por mënyra e lehtësimit të zgjedhjes së presidentit mund të bëhet ndryshimeve kushtetuese duhet të ri-definojmë se çka është "kuorumi".
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2011 për zgjedhjen e presidentit Behxhet Pacolli, kuorumin e interpreton si votimin e 2/3 e të gjithë deputetëve, edhe nëse ata nuk janë në sallë. Neni 86, paragrafi 4 thotë „Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit“.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoQë nga ky interpretim i vitit 2011 kuorumi është bërë më i rëndësishëm sesa vota kundër në zgjedhjen e presidentit. E pragu për votimin e presidentit është rritur de-fakto në 80 vota.
Por jo çdo demokraci e interpreton kuorumin në këtë mënyrë. Nëse shikojmë zgjedhjen e presidentit në Gjermani, kemi të bëjmë me një definim të kuorumit ndryshe. Në Bundestag në raundin e parë kandidati për President duhet të ketë mbi 50% të votave të deputeteve, e nëse kjo nuk arrihet, në rundin e dytë e të tretë duhen vetëm shumica e thjeshtë e votave të deputetëve të pranishëm në kuvend. Pra partitë qeverisëse në Gjermani mjaftojnë të kenë shumicën parlamentare e jo 2/3 për zgjedhjen e presidentit.
Po të mos ndërhynte Gjykata Kushtetuese në vitin 2011 në procedurën e zgjedhjes së presidentit Pacolli, atëherë sot do të kishim një praktikë të ngjashme si atë të Gjermanisë, ku kuorumi përbëhet nga prania në sallë. Pra, ku presidenti në raundin e parë duhet të sigurojë 2/3 e deputetëve të pranishëm, e në raundin e dytë shumicën absolute.
Por, Kushtetuta e Kosovës bashkë me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, kuorumin e bën më të rëndësishëm për partitë opozitare sesa vota kundër. Kjo ka sjellë edhe një kulturën parlamentare ku partitë opozitare nuk votojnë kundër, por bojkotojnë votimet për të prishur kuorumin.
Në vitin 2015 si bursist i Bundestagut pata mundësinë të punoj nga afër me një deputet për 5 muaj. Në zyrën e deputetit të SPD-s që në ato kohë ishte në qeveri, kishte një lloj zërimi ku deputetët kërkoheshin të shkojnë në sallë, sepse të gjelbrit që ishin në opozitë momentalisht kishin shumicën në sallë e do të mund ta rrezonin ligjin. Pra, kur kuorumi definohet qartazi si prani fizike, atëherë opozitarizmi bëhet me pjesëmarrje në votim. Në Gjermani opozita për të bllokuar ligje të pushtetit apo zgjedhjen e presidentit sigurohet që merr pjesë masivisht në seanca, sepse në rast që mungojnë deputetet e pushtetit ata e rrëzojnë ligjin me numrat në sallë.
Ndërsa në Kosovë opozitarizmi për shkak të definimit të kuorumit, zhvillohet duke mos shkuar fare në sallë. E për shkak që kuorumi në Kosovë është me votë, e jo prani fizike (si në Gjermani), atëherë salla bëhet plot, por në letër nuk ka kuorum. Deputeti nënshkruan për mëditje, por për shkak që kuorumi identifikohet si votë e jo prani fizike, deputeti e ushtron opozitarizmin duke mos-votuar. Ai bëhet mace e Schrödingerit që edhe ekziston edhe nuk ekziston. Deputeti në parlament ekziston në realitet, e në listën e mëditjes ekziston, por nuk ekziston në kuorum.
Kështu kemi krijuar një sistem ku opozitarizmi bëhet përmes mospjesëmarrjes, e ku mungesa është politikisht më e vlefshme se pjesëmarrja. Në këtë sistem partitë nuk luftojnë për shumicë, por për kuorum.
Për të ndryshuar këtë, e për të lehtësuar procesin e zgjedhjes së Presidentit, por edhe shmangien e krizave, duhet përmes amendamentimeve kushtetuese dhe rregullores së kuvendit të ri-definojmë “kuorumin“. Nuk duhet të jetë kuorum i “të gjithë deputetëve të kuvendit“, por kuorum të deputetëve që kanë prani fizike në sallë. Kjo do të shtonte vlerën e votës kundër dhe do të gjallëronte opozitarizmin parlamentar. Në anën tjetër koalicionet fituese do të mund ta zgjedhnin në rundin e tretë presidentin me 50% +1 të votave, që do të krijonte praktika të shëndosha të koalicionit, me balancë të brendshme, ku partia e madhe e merr kryeministrin dhe partneri i koalicionit presidentin.
(Autori është kandidat për doktoratë në Qendrën Heidelberg për Studime Amerikane / Institutin për Shkenca Politike, Universitetin e Heidelbergut)