Arbëri

Pezullohen zgjedhjet lokale në Tiranë

Erion Veliaj

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj që caktonte 9 nëntorin si datë për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Vendimi u mor njëzëri, ndërsa padia e ish-kryebashkiakut Erjon Veliaj do të shqyrtohet në seancë plenare publike më 31 tetor.

Pezullimi nënkupton se në Tiranë nuk do të zhvillohen zgjedhje deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim për akuza korrupsioni, ka kundërshtuar si shkarkimin nga detyra ashtu edhe dekretin presidencial, të cilin mbrojtja e tij e cilëson akt juridik të pavlefshëm.

Presidenca njoftoi se “respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve”.

Kandidati i opozitës Florjan Binaj deklaroi se do të marrë pjesë në garë “kurdo që të caktohen zgjedhjet”. Ndërkohë, Partia Socialiste theksoi se “vendimi nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit” dhe se më 31 tetor pritet vendimi përfundimtar. Sali Berisha i Partisë Demokratike e cilësoi vendimin si “akt të rëndësishëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë”.