Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

UDHËZIM PËR PËRDORIMIN E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE (IA) NË REDAKSI

Ky dokument përcakton mënyrën e përdorimit të Inteligjencës Artificiale (IA) në punën e redaksive të KOHËS. Qëllimi parësor është që IA të shfrytëzohet si mjet për rritjen e efikasitetit, duke ruajtur standardet etike e profesionale si dhe besueshmërinë e informacionit.

1. Parimi

Përderisa IA është mundësi për përshpejtimin e procesit të punës, përdorimi i saj nënkupton kujdes dhe qasje kritike për të shmangur dëmtimin e standardeve profesionale dhe besueshmërinë tonë.

2. Përdorimi i IA-së lejohet për

  • Monitorimin e temave dhe trendeve.
  • Transkriptimin dhe përkthimin.
  • Redaktimin e teksteve (gabime drejtshkrimore/gramatikore).
  • Shërbime për publikun (newsletter, përmbledhje të shkurtra, sugjerime për lexim).
  • Shpërndarje përmbajtjeje (caktimin e tagave, hashtagave, e të ngjashme).
  • Analizimin e të dhënave (krijimin e një produkti inhouse).
  • Automatizimin e proceseve në shumë gjuhë, përfshirë dërgimin e newsletters.

3. Ndalimi i përdorimit të IA-së

  • IA nuk mund të përdoret si burim i vetëm dhe raportet, hulumtimet e intervistat duhen të kryhen nga gazetarët sipas standardeve etike dhe profesionale.
  • Nuk lejohet prodhimi i çfarëdo përmbajtjeje vetëm me IA. Artikujt, fotot dhe materialet origjinale prodhohen dhe redaktohen nga reporterët dhe redaktorët.
  • Fotot, videot dhe materialet audio duhen të jenë origjinale prodhuar/krijuar nga stafi i KOHËS ose të blera nga agjenci të licencuara.

4. Testimi

  • Stafi inkurajohet të testojë opsione që i ofron IA për ta bërë punën më efikase.
  • Testimi do të bëhet në hapësirat e punës ku ka siguri ruajtjeje të të dhënave.
  • Përdorimi eventual i inovacionit kërkon miratimin e kryeredaktores dhe drejtoreshës menaxhuese.

5. Përgjegjësia

  • Materiali i prodhuar me ndihmën e IA duhet të kontrollohet nga redaktori përkatës para publikimit dhe duhet t'i plotësojë standardet profesionale.
  • Është i detyrueshëm verifikimi i burimeve dhe i fakteve.
  • Duhet shmangur paragjykimin a diskriminim eventual që mund ta prodhojë përdorimi i IA-së si burim.
  • Kujdes i veçantë për të përdorur gjuhë gjithëpërfshirëse, pa paragjykime ose diskriminim.

6. Transparenca

Kur IA përdoret në mënyrë të konsiderueshme për një material (p.sh. përkthim i plotë, analizë të dhënash), kjo do t'i bëhet me dije publikut.

7. Mbrojtja e të Dhënave

Të dhënat personale, përmbajtjet me të drejtë autori, dokumentet e brendshme dhe informacioni konfidencial përpunohen vetëm me mjete IA të testuara dhe të miratuara nga redaksia.

8. Foto, Audio dhe Video

Nuk lejohet përdorimi i IA për krijimin e përmbajtjes mashtruese. Përpunimet teknike mund të mbështeten nga IA, por gjithmonë duke e respektuar etikën profesionale.

9. Trajnimi

Stafi është njoftuar me udhëzimin dhe informohet rregullisht mbi mundësitë dhe rreziqet që mund t'i shkaktojë përdorimi i IA-së.

Ky udhëzim është miratuar më 21 prill 2025 dhe hyn në fuqi menjëherë. Rishikimi i tij do të bëhet në baza periodike.

Flaka Surroi
Drejtoreshë Menaxhuese

KOHA