Arbëri

21 të arrestuar nga protesta e opozitës në Shqipëri, 16 policë të lënduar

protesta

21 persona janë arrestuar pas protestës së opozitës të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë të martën në mbrëmje, ndërsa 16 punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, arrestimet u kryen në flagrancë. Të arrestuarit akuzohen për vepra penale si “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Mes të ndaluarve janë edhe katër të mitur, 17 vjeç, si dhe K. Ç., 36 vjeç; K. B., 24 vjeç; L. T., 21 vjeç; K. S., 26 vjeç; Xh. V., 18 vjeç; R. N., 28 vjeç; S. D., 48 vjeçe, F. N., 32 vjeç; A. K., 24 vjeç; F. A., 22 vjeç; G. D., 21 vjeç; D. K., 27 vjeç; J. K., 18 vjeç; A. K., 20 vjeç; O. H., 18 vjeç; S. P., 18 vjeç; A. U., 24 vjeç.

Gjithashtu, E.K., 32 vjeç është proceduar në gjendje të lirë.

Për E.M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, ka nisur procedim penal për organizim të grumbullimeve të paligjshme, kundërshtim të policisë dhe shtytje të të miturve në krim.

Për B.K., K.B., L.B., dhe F.N., anëtarë të PD-së, ka nisur procedim penal për kundërshtim të policisë së rendit publik dhe shtytje e të miturit në krim.

Një 41-vjeçar L.P. është shpallur në kërkim.

Sipas policisë, protestuesit fillimisht u mblodhën para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit, ku hodhën mjete piroteknike, lëndë djegëse dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit dhe institucioneve shtetërore. Si pasojë, 16 efektivë policie pësuan lëndime dhe morën trajtim mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe tre shishe me lëndë të dyshuar djegëse.

Ishte protesta e tretë e PD-së të cilën ajo e quan “kombëtare” me kërkesë për ta rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.