Arbëri

35 vjet nga hedhja e themelit të Republikës

Presidentja Vjosa Osmani, në 35-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, ka thënë se ajo ishte shkëndija që i mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën. Sipas saj, kjo Kushtetutë ishte themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës. E ish-kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli, e ka cilësuar atë si obligim dhe privilegj historik

35-vjetori i shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut është përkujtuar të dielën me vlerësime të larta nga drejtuesit e institucioneve e protagonistët e kohës.  

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut ishte akti më i lartë i guximit politik dhe i besimit në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës. Ky akt sublim ishte më shumë se një dokument juridik, ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira.  Sot përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë, kur duhej të rrezikonin gjithçka, dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan”, ka thënë Osmani.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se edhe pse Republika u njoh vetëm nga Shqipëria, roli i saj historik është i pamohueshëm.

“Ajo Republikë e parë i hapi rrugë rezistencës paqësore dhe të armatosur, duke kulmuar me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjen legjitime të NATO-s, që çoi në çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999. Kjo liri e fituar me shumë sakrificë i hapi rrugë shpalljes së dytë të Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga deputetët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Nëse me Republikën e parë, të shpallur 35 vjet më parë, iu hap rruga rezistencës dhe luftës për çlirim, me Republikën e dytë të shpallur në vitin 2008, Kosovës iu hap rruga e zhvillimit dhe e subjektivitetit ndërkombëtar”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka theksuar se Kushtetuta e Kaçanikut u mbështet në traditën liridashëse të kombit shqiptar.

“Sot, me nderim e respekt, kujtojmë profesorët, delegatët dhe qytetarët e Kaçanikut që bënë të mundur këtë akt historik. Kushtetuta e Kaçanikut mbetet testament i gjallë i unitetit, përkushtimit dhe vendosmërisë sonë kolektive për liri, barazi dhe shtet të pavarur e sovran. Ajo na rikujton se pavarësia është arritur me sakrificë dhe mbrojtja e saj është përgjegjësi e përhershme për ne”, ka shkruar ndër të tjera Basha.

E ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, ka theksuar se pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990, lindi një detyrim për të shpallur edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ky detyrim i delegatëve ishte një obligim i jashtëzakonshëm për ne, gjithashtu edhe për anëtarët e Komisionit Kushtetues, të cilët u angazhuan në shkrimin e Kushtetutës. Por, në ato ditë të vështira, kjo ishte edhe një privilegj i jashtëzakonshëm, për shkak se na ishte mundësuar, duke qenë në Kuvend, që të ishim ne ata që do ta nxirrnim Kushtetutën e Republikës së Kosovës si një akt juridiko-politik, i cili, përveçqë ka pasur rëndësi në organizimin e jetës në Kosovë, ka qenë edhe një dokument që e kanë dëshiruar shqiptarët nën okupimin serb. Aq sa ka qenë e mundur, ajo kushtetutë ka shërbyer edhe si udhërrëfyes për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur më vonë, përfshirë edhe për bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Ramajli.

Ndërkohë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut s’ishte vetëm një akt juridik, por akt i madh rezistence dhe sfidë e hapur ndaj pushtimit.

“Në kushte okupimi e shtypjeje serbe, kur dhuna dhe padrejtësia synonin të shuanin çdo ëndërr lirie, elita politike e kohës, e mbështetur në lëvizjen më të madhe demokratike, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ngriti themelet e institucioneve të para të shtetit të Kosovës. Sot, në këtë 35 vjetor, përulemi me nderim para deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që me kurajë e sakrificë morën vendimin historik për Kushtetutën e Kaçanikut. Nderojmë po ashtu gratë e burrat që punuan ditë e natë për ta bërë realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Në kohën e shpalljes së Kushtetutës, Kosova ishte e okupuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.