Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se përgjegjësit për organizimin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” duhet të thirren në përgjegjësi.
Të shtunën, pas valës së reagimeve e kritikave për pasaktësi, janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat e ekspozitës me të dhëna për masakrat e luftës në Kosovë. Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, hoqi përgjegjësinë, duke thënë se është shërbyer me të dhëna të disa organizatave, përfshirë ato të Fondit për të Drejtën Humanitare. Por, e përgënjeshtroi Fondi, duke theksuar se Gashi s’diti t’i lexojë as të dhënat. Të shtunën është aktivizuar edhe Prokuroria Speciale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAAK-ja ka deklaruar se veprimet e tilla s’duhet të tolerohen.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër ekspozitën në Prishtinë e cila me vetëdije të plotë tenton të shtrembërojë të vërtetën për masakrat e kryera nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në luftën e fundit. Përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të relativizuar krimet e kryera ndaj popullit shqiptar janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe kujtimit të tyre. Ekspozita të tilla jo vetëm që cenojnë të vërtetën historike, por edhe lëndojnë rëndë ndjenjat e familjeve të të vrarëve dhe gjithë shoqërisë sonë, duke tentuar të zbehin përgjegjësinë për krimet e kryera. Veprime të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë për kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës dhe nuk mund të tolerohen në asnjë formë”, thuhet në reagimin e AAK-së.
E ekspozitën e ka mbështetur financiarisht edhe Kuvendi i Kosovës. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se ka qenë vendim “i menduar për të mirë” i Kryesisë së Kuvendit. Ajo megjithatë shtoi se tash duhet të reflektohet dhe të fuqizojnë kriteret e të rritet transparenca dhe llogaridhënia në vendimmarrje.
Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do t’i kërkojë llogari kryetares së Kuvendit për sqarim të plotë se mbi çfarë kriteresh është bazuar vendimi për financimin skandaloz të kësaj ekspozite.
“Përgjegjësit për këtë akt të papranueshëm duhet të thirren në përgjegjësi”, thuhet në reagim.
E në fund, AAK-ja ka thënë se është shqetësuese që Gashi ka qenë këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.
“Në fund, theksojmë se autori i kësaj ekspozite, Shkelzen Gashi është ish-këshilltar në kabinetin e kryeministrit Kurti, çka e bën edhe më shqetësues faktin që narrativa të tilla janë promovuar edhe nga individë që janë pjesë e strukturave të Qeverisë Kurti”, thuhet në reagim të AAK-së.
Gashi ishte shkarkuar nga Kurti sepse pati deklaruar se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte.