Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci.
Në një telegram ngushëllimi dërguar mediave, thuhet se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i shpreh ngushëllime familjes Daci dhe gjithë miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Nexhat Daci.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit Nexhat Daci. Akademik Daci ishte një figurë e veçantë e jetës sonë publike dhe akademike, që me dije të thellë, integritet dhe përkushtim i shërbeu vendit si Kryetar Kuvendi, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore. Veprimtaria e tij la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në Kosovë”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, në periudhat më të vështira për popullin, Daci u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugova.
“Me urtësi, vizion dhe përgjegjësi shtetërore, ai kontribuoi në forcimin e themeleve të shtetit të Kosovës. Trashëgimia e tij në fushën e arsimit të lartë, të shkencës dhe të jetës institucionale do të mbetet një vlerë e çmuar për brezat që vijnë. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Akademik Nexhat Dacin”, ka thënë ai.