Në episodin e katërmbëdhjetë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi diskuton me poetin Agim Gjakova për periudhat e errëta të komunizmit, persekutimi nga UDB-ja e çështje të tjera.

Gjakova thotë se heqja e shtetësisë nga UDB-ja e detyroi të jetonte në Shqipëri

3 o. më parë / 8 qer 2025 21:18
Agim Gjakova

Në një rrëfim në podcastin PIKË, poeti Agim Gjakova ka treguar se si periudha e gjatë e përndjekjeve nga UDB-ja jugosllave dhe heqja e shtetësisë e detyruan të marrë vendimin e vështirë për të lënë Kosovën dhe të jetojë në Shqipëri.

Pas arrestimit në prill të vitit 1960 dhe një qëndrimi të tmerrshëm në kampin përqendrimit në Gerovë, Kroaci, ku përjetoi kushte mizore dhe ftohtësi ekstreme, Gjakova u gjend në një situatë pa shtetësi dhe pa të ardhme në Jugosllavi. Në këtë kohë, familja e tij u përball me presione të mëdha, ndërsa ai vetë mbeti i vetmuar dhe i braktisur.

Gjakova tregon se UDB-ja i kërkoi nënës së tij të bënte kërkesë për shqyrtim shtetësie, duke shpresuar që ai të kthehej në shtetas jugosllav, por ajo refuzoi me vendosmëri, duke mos pranuar të tradhtonte djalin e saj.

Pas heqjes së shtetësisë jugosllave, Gjakova mbeti “as në tokë as në qiell”, siç e përshkruan vetë, dhe përjetoi një torturë psikologjike dhe fizike që e detyroi të mendonte për një rrugëdalje tjetër.

Në këtë moment të vështirë, Gjakova vendosi të kërkojë azil dhe jetë të re në Shqipëri, vendin e tij të lindjes dhe kulturës, edhe pse kjo nënkuptonte një rrugë të gjatë dhe të pasigurt përpara.

Rrëfimi i Gjakovës për trajtimin çnjerëzor nga UDB-ja

4 o. më parë / 8 qer 2025 20:31
Agim Gjakova

Poeti Agim Gjakova ka rrëfyer në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi se si është përballur me torturat dhe trajtimin çnjerëzor në qelitë e UDB-së në Beograd në vitet ’60.

“Më futën në nëntokë, në podrum... Nuk di kur ishte nata, kur dita. Vinin dhe më prishnin gjumin orë pa orë, më goditën në kokë, në qafë, dhe më thyen dhëmbët”, rrëfen Gjakova, duke përshkruar 14-15 ditë torturash të paimagjinueshme.

Ai kujton se mes hetuesve ishte edhe Aleksandër Zakiqi, nënkolonel i UDB-së, dhe një shqiptar nga Vitia, kapiteni Xhavit Shabani, të cilët megjithë dhunën e ushtruar, nuk e panë të arsyeshme ta torturonin më tej, pasi siç thotë poeti, e provuan se me të nuk kishte “rezultate” nga dhuna.

Në një moment, Gjakova përshkruan se si e futën në një qeli të vogël, me derë hekuri hermetike dhe pa dritë, ku filloi të ndiente efektet e torturës deri në humbjen e ndjesisë së trupit dhe vetëdijes. Megjithatë, sipas tij, ata e lanë gjallë që të mos vdiste, duke përdorur metoda psikologjike dhe fizike për ta thyer.

Për më shumë se dhjetë ditë, pas periudhës së torturës intensive, Gjakova u trajtua në mënyrë më “të butë”, me fjalë nga hetuesit që i kërkonin të mos merrej me politikë dhe i paralajmëronin për fatin e tij nëse do kundërshtonte sistemin.

Ai përshkruan edhe një “ftesë për drekë” nga një shef i lartë i UDB-së në një nga lokalet më të njohura të Beogradit, si një mënyrë për të treguar fuqinë dhe kontrollin që kishin mbi të.

Në kulmin e kësaj periudhe të errët, familja e tij nuk dinte as ku ndodhej, ndërsa ndërhyrja e Fadil Hoxhës dhe nënës së tij, Emine Gjakova, luajtën rol jetik për të shpëtuar jetën e tij.

Gjakova: Haki Taha e vrau Milladin Popoviqin

4 o. më parë / 8 qer 2025 20:20
Agim Gjakova

Poeti Agim Gjakova ka pohuar me bindje se atentatori i Milladin Popoviqit në vitin 1945 ishte Haki Taha, axha i tij, dhe jo UDB-ja jugosllave si është thënë më vonë.

Popoviqi ishte figurë e rëndësishme komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

“Deri në vitin 1949, edhe Enver Hoxha e pranonte që Milladin Popoviqin e ka vrarë Haki Taha, por pas prishjes me Jugosllavinë, ndryshoi versionin duke fajësuar UDB-në”, ka thënë Gjakova në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi.

Ai sqaron se Milladin Popoviqi, një nga promotuesit kryesorë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, kishte lidhje të forta me grupet komuniste, dhe vrasja e tij ishte një ngjarje që u përpoq të fshihej.

“Haki Taha mori mbi vete atë punë dhe për të mos rënë në duar të serbëve, vrau veten”, u shpreh Gjakova, duke mbështetur fjalët e tij me dëshmi nga njerëz që ishin pjesë e asaj periudhe.

Ai rrëfen gjithashtu intervista të bëra me figura të ndryshme, përfshirë një oficer të lartë të sigurimit të shtetit, që konfirmojnë rolin e Tahës në këtë ngjarje dhe thekson se ky fakt është mbajtur sekret dhe është sfiduar nga versionet zyrtare të kohës.