Arbëri

Ahmeti premton zgjerim të shërbimeve të Kuzhinës Qendrore

Fatime Zogjani ka 20 vjet që punon në Kuzhinën Qendrore.

Puna në përgatitjen e ushqimit për çerdhet publike të kryeqytetit thotë se ka qenë e vështirë në të kaluarën, për shkak të kushteve jo të mira.

Por, thekson se e ka më të lehtë kohëve të fundit, pas disa investimeve.

Zogjani thotë se është ndjenjë e veçantë që përpos fëmijëve të çerdheve, të përgatisësh ushqim edhe për nevojtarët.

Derisa deklarohet e kënaqur me punën që bën, ajo thotë se po të kishte mundësi, do ta mbante edhe ndërrimin e dytë të punës.

Ajo tregon se si shkon një ditë e punëtorëve në këtë kuzhinë.

Të mërkurën, Kuvendi Komunal ka vendosur që Kuzhinën Qendrore ka kthejë në ndërmarrje publike, ashtu siç ka qenë në të kaluarën, raporton “038” i KTV-së.

Para 8 vjetësh, punëtorët ishin privatizuar si shërbim dhe ishin detyruar të punonin nëpër kompani private.

Tani, kryetari Shpend Ahmeti thotë se pas investimeve në ndërtesë dhe pajisje tjera, kjo ndërmarrje do të ofrojë ushqim për fëmijët dhe siguri në punë për punëtorët e kuzhinës.

Megjithëse dha votat e saj, opozita ka kritikuar planin e biznesit për Kuzhinën Qendrore.

Nga kjo kuzhinë furnizohen edhe pikat e kuzhinës popullore të Prishtinës, ndërsa Ahmeti ka shtuar se kuzhina do të shpërndajë ushqim edhe për çerdhet private.