Arbëri

Aktakuzë ndaj Klinakut dhe një personi tjetër për kanosje ndaj Kurtit

Kurti - mbrojtja e afert

Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti. 

Sipas njoftimit të Prokurorisë aktakuza ndaj Faton Klinakut dhe N.S. për veprën penale “Kanosja” është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, ka njoftuar Prokuroria. 

Klinaku, nga OVL e UÇK-së, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se nuk është njoftuar nga organet e drejtësisë për aktakuzën. Siç tha ai, as avokati i tij nuk është i njoftuar.

Klinaku qe intervistuar për shkak të postimit në të cilin, tek ka replikuar me një votues të shqetësuar të Qeverisë në detyrë, ka shkruar se më përpara do ta vriste kryeministrin sesa të mërgonte nga Kosova.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij, saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka, por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s'ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As s’e kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk e kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iki nga Kosova. P.S. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të, pati shkruar ai më 2023.

Pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet  “... Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., thuhet se e ka kanosur me vrasje Kurtin përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, siç thuhet ”duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K”.