Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mirëpritur emërimin e Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm pas një periudhe disavjeçare pa një të emëruar në këtë funksion.
Përmes një reagimi, Ambasada i ka uruar sukses Gashit në ushtrimin e detyrës së tij, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sistemit prokurorial në Kosovë.
“E mirëpresim emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pas një ndërprerjeje disavjeçare. I urojmë Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, sukses në zbatimin e masave të nevojshme për të siguruar që sistemi prokurorial i Kosovës të funksionojë si një institucion i pavarur, transparent dhe llogaridhënës”, thuhet në reagim.
Ambasada britanike theksoi se pret që sistemi prokurorial të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë efektive dhe efikase, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të mirë të të gjithë qytetarëve.
Zejnullah Gashi të mërkurën ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeprokurorit të Shtetit.
Për pozitën më të lartë në Sistemin Prokurorial, ai u dekretua të martën nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se, para marrjes së vendimit për dekretim, është zhvilluar një shqyrtim i kujdesshëm i propozimit dhe dokumentacionit të dërguar nga Këshilli Prokurorial, përfshirë edhe të institucioneve kompetente të sigurisë, si dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka mirëpritur emërimin e kryeprokurorit të shtetit pas më shumë se katër vjetësh prej që kjo pozitë është drejtuar nga ushtrues detyre.
Edhe
BE: Kryeprokurori i ri i Shtetit e ka përpara luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë
Vendimi për shpalljen e konkursit për kryeprokuror të shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, paraqiti padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi të pezullohet, por Gjykata Administrative e refuzoi atë. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.
Në tetor të 2023-s, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar Isufajn për kryeprokuror të shtetit me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes.
Që nga ajo kohë, institucioni i kryeprokurorit të shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.