Arbëri

Ambasadori britanik takon Bashën: U pajtuam për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit

Jonathan Hargreaves - Dimal Basha

Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka thënë se me kryeparlamentarin Dimal Basha janë pajtuar për rëndësinë e konstituimit të plotë dhe sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës.

Në një shkrim në Twitter, duke treguar për bisedën që ka pasur të enjten me Bashën, Hargreaves ka thënë se ka shpresuar që ngërçi në Kosovë të zgjidhej shpejt.

“Sot takova kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, për ta uruar për zgjedhjen e tij. U pajtuam për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundshme, duke respektuar çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Kemi shpresuar që situata do të zgjidhej shpejt që t’i mundësohej Kuvendit dhe Qeverisë së re të merreshin me punët vitale në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Po ashtu biseduam për rëndësinë e konsultimit kuptimplotë me komunitetin serb të Kosovës për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë në Kosovë dhe u dakorduam për vizionin e së ardhmes për një Kosovë me mundësi për të gjithë”, ka shkruar Hargreaves.

E në njoftimin e Kuvendit, bëhet e ditur se Basha dhe Hargreaves “zhvilluan diskutim të hapur për reformat demokratike të ndërmarra nga vendi ynë, ku Kryetari e siguroi ambasadorin që Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës, si dhe qëndron e vendosur në avancimin e integrimit tonë në familjen evropiane, dhe synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO”.

Basha ka shpallur të konstituuar Kuvendin edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari serb. Javën e shkuar, deputetët e zgjodhën nënkryetarin e komuniteteve joserbe, por nuk mori mbështetje propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Ai dështoi tre herë në votim. Kryetari Basha u shpreh se vendimi i Kushtetueses thotë që as për nënkryetarët një emër nuk mund të votohet mbi tre herë. Kështu ai i kërkoi emra të tjerë Listës Serbe, por që ajo nuk ofroi. E si pasojë, Basha çoi Kuvendin në votimin përmes shortit për nënkryetarin serb. Nga 10 deputetët, përfshirë Nenad Rashiqin që s’është i kësaj partie, askush s’i mori 61 votat e kërkuara. Pa nënkryetar serb, më 30 gusht, Basha e shpalli të konstituuar Kuvendin.