Dënimet e reja për ish-zyrtarët ushtarakë për krime lufte, ngecjen e implementimit të marrëveshjes për të pagjeturit, dështimin e kalimit të ligjit për frytnim të asistuar në spitale publike dhe mospërparimin në Kodin Civil, i ka përmendur organizata ndërkombëtare “Amnesty International” në raportin vjetor 2024 për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Në raportin e publikuar sot (29 prill) – e që tregon sa po respektohen të drejtat e njeriut nëpër botë - AI ka kujtuar edhe dështimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për shkak të “kërkesës së minutës së fundit” për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Te pika e së drejtës për të vërtetën dhe drejtësi, AI ka përmendur dënimet e ish-pjesëtarëve të Policisë dhe forcave ushtarake serbe për krime lufte më 1998 në Prishtinë e Istog. Dushko Arsiq, Ekrem Bajroviq dhe Çaslav Joliq u dënuan me 13, 12 dhe 8 vjet burgim. Në anën tjetër, Gjykata Speciale i dënoi Pjetër Shalën me 18 vjet, ndërsa Salih Mustafës iu zbrit dënimi në 15 nga 22 vjet burgim.
Për të pagjeturit nga lufta, AI ka theksuar se marrëveshja e vitit 2023 në mes të Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunim në lokalizimin e trupave të të zhdukurve, nuk u implementua për shkak të raporteve të tendosura mes dy shteteve.
Në dhunën seksuale të kohës së luftës, AI ka përmendur kërkesën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për të hequr afatin kohor për aplikime për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë, që përfshin pensionin 230 euro në muajsh.
Për të drejtat e grave, organizata ndërkombëtare ka përmendur dështimin e kalimit të ligjit në Parlament për të kaluar ligjin për shëndetin riprodhues në spitale publike. Debati u përcoll me dezinformata dhe fjalime urrejtjeje ndaj grave beqare nga disa deputetë, ka theksuar AI.
Po ashtu ky raport ka theksuar dështimin e votimit të reformave në Kodin Civil për t’i hapur rrugë regjistrimit të partneriteteve të gjinisë së njëjtë. AI ka thënë se të mbijetuarit e dhunës, të komunitetit LGBTI, nuk kishin qasje në ndonjë strehim të specializuar, pavarësisht zotimeve të autoriteteve.
Për lirinë e shprehjes, organizata ka thënë se Kuvendi ka kaluar Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave pavarësisht kritikave nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.
Ndërsa për të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve, kjo organizatë ka theksuar marrëveshjen e Kosovës për t’ia lëshuar me qira 300 qeli burgu Danimarkës për të dënuarit me shtetësi të huaj dhe të cilët Danimarka dëshiron t’i dëbojë në fund të dënimit. QKRMT-ja ka shprehur shqetësime për konsultimet e kufizuara publike për projektin dhe hapësirën joadekuate në kompleksin e burgut.