“Debutimi i tij vështirë do të harrohet”.
Kështu ka shkruar Juventusi në profilin zyrtar në “Instagram” pas ndeshjes së parë të Edon Zhegrovës me këtë klub.
Ishte debutim i veçantë e sidomos ndeshje e veçantë.
Sulmuesi kosovar u aktivizua “vetëm” në minutën e 87-të në ndeshjen mes Juventusit dhe Borussia Dortmundit. Ndeshja u zhvillua të martën mbrëma në Torino dhe i takoi xhiros së parë të fazës së ligës në Champions.
Ndonëse me pak minuta në dispozicion dhe pa ndeshje që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar, Zhegrova dëshmoi se mund të jetë shumë i rëndësishëm për gjigantin italian.
Mori përgjegjësi, nisi aksione, bëri pasime të mira, tentoi goditjen. Forca sulmuese, ndër të tjera edhe për shkak të aktivizimit të Zhegrovës, u rrit ndjeshëm në minutat e fundit. Dhe një ndeshje që thuajse ishte e humbur për Juventusin, përfundoi 4:4.
Kur hyri Zhegrova në lojë, rezultati ishte 4:2 në të mirë të skuadrës gjermane. Por dy golat në minutat shtesë, të 94-t e 96-t, siguruan pikën e rëndësishme për Juventusin.
“Secili lojtar që hyri si zëvendësues solli energji fantastike. Ne po punojmë fort për të përmirësuar mentalitetin. Është ndjenjë e mahnitshme të shohim se nuk dorëzohemi asnjëherë”, ka thënë trajneri i Juventusit, Igor Tudor.
Zëvendësuesit e bën dallimin në ndeshjen e së martës mbrëma. Zhegrova mori pjesë në aksionin që solli golin e barazimit, por përgjegjësia e tij pritet të rritet në ndeshjet e ardhshme. Hapësira po ashtu.
Gjasat që Zhegrova të aktivizohej ndaj Dortmundit nuk ishin shumë të mëdha. Ai është transferuar te Juventusi në fund të afatit kalimtar. Te Lille nuk kishte luajtur shumë gjatë për shkak të telasheve shëndetësore. Ka pasur probleme me muskujt e pjesës së poshtme të barkut.
Por nuk ka pasur shenja të mungesës së gjatë në paraqitjen e Zhegrovës. Lëvizjet e tij ishin të zakonshme, ndërsa pamja e lojës e njëjtë. Pasi Juventusi ishte në sulm dhe po kërkonte golat, aftësitë e Zhegrovës ishin edhe më të dukshme.
Komentet e tifozëve të Juventusit për Zhegrovën ishin shumë pozitive. Të gjithë kërkojnë më shumë minuta për kosovarin.
“Ishte një ndeshje që ka reflektuar energjinë e shpenzuar ndaj Interit. Në pushim mes pjesëve kam parë që disa lojtarë janë dukur të lodhur. Kemi luajtur ndaj një ekipi të fortë dhe top-lojtarë. I uroj djemtë pasi nuk kemi mundur të bëjmë më shumë në këtë moment. Dy ndeshjet e fundit ishin të pazakonshme, kundër top-ekipeve. Secili që u paraqit luajti me shumë shpirt, që do të thotë shumë për trajnerin. Ndeshja u vendos në fund, kështu që lojtarët që përfunduan ndeshjen janë shumë të rëndësishëm”, ka theksuar trajneri Tudor.
Para ndeshjes së radhës në Champions, Juventusi i ka dy ndeshje në Serie A. Më 20 shtator luan në udhëtim ndaj Veronas, ndërsa më 27 shtator në shtëpi ndaj Atalantas. Do të jenë mundësi e mirë që Zhegrova të gjejë ritmin dhe të dëshmojë që është përforcim i duhur për njërën prej skuadrave më të mëdha në Evropë.