Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Analistët shtrojnë nevojën që diskutimet mes spektrit politik të jenë transparente

Qeveria

Ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për t’u takuar me kryetarin e PDK-së, atë të LDK-së dhe kryetarin e Aleancës, analistët e kanë vlerësuar si nismë të mirë. Sipas tyre, suksesi varet prej përmbajtjes dhe transparencës së diskutimeve.

Njohës të çështjeve politike thonë se takimet mes krerëve partiakë duhet të jenë transparente dhe të përmbajnë diskutimet për të tria institucionet, konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. 

Sipas analistit Mehdi Sejdiu, ftesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, ndaj kryetarit të PDK-së, atij të LDK-së dhe kryetarit të Aleancës është një hap i mbarë për të nisur procesin që duhet të kulmojë me zgjedhjen e bartësve të institucioneve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Edhe herën e kaluar kanë negociuar dhe kanë marrë pjesë në takime vazhdimisht deri në momentin pas shumë negociatash nuk dihej asnjë emër i diskutuar apo i propozuar për president. Kështu që kësaj here shpresojmë që do të jenë më të qartë dhe besoj që ia kanë borxh edhe votuesve të tyre, por edhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi të flasin pak më hapur për presidentin”, ka theksuar Sejdiu. 

E sipas analistit Ramadan Baraliu, formula e suksesit përfshin diskutimet për të tria institucionet. 

“Zgjidhja më ideale do të ishte nëse që në këtë fazë subjektet politike ulen dhe e krijojnë njëfarë harte të rrugëtimit të mëtutjeshëm. Në kuptimin e asaj që do të merren vesh eventualisht edhe për zgjerimin e koalicionit qeverisës, edhe në këtë kuadër të merren vesh edhe për zgjedhjen e presidentit”, ka theksuar Baraliu. 

Ndryshe nga ftesat për takimet që u mbajtën në mars dhe prill për çështjen e presidentit, Kurti ka ftuar edhe kryetarin e Aleancës për takim, i cili e ka refuzuar. 

Sejdiu thotë se përfshirja e kësaj partie mund të jetë vendimtare për të ofruar zgjidhje.

“Për dallim prej herës së kaluar e kemi edhe ftesën ndaj AAK-së, e cila paksa është anashkaluar në raundet e negociatave në të kaluarën për presidentin për shkak të numrit të vogël të tyre, por kësaj here mund të faktorizohet prapë nëse kemi skenarin kur LDK-ja nuk mund t’i garantojë të gjitha votat e deputetëve të vetë”, është shprehur Sejdiu.

Legjislatura e kaluar dështoi ta zgjedhë presidentin pas skadimit të mandatit të Vjosa Osmanit. Si pasojë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, 6 muaj pas atyre të 28 dhjetorit. 

Për të zgjedhur presidentin, deputetët kanë kohë 60 ditë pasi kuvendi të konstituohet.