Arbëri

Andoni për dëshminë e Wesley Clark: Thaçi do të marrë më shumë atribute politike sesa luftarake

ben andoni

Historiani Ben Andoni, ka komentuar paraqitjen e gjeneralit të NATO-s gjatë luftës në Kosovë Wesley Clark, i cili dëshmoi gjatë së hënës në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Andoni tha se ish-presidenti Hashim Thaçi do të marrë më shumë atribute politike e diplomatike sesa luftarake.

 “Unë besoj se Thaçi do të lirohet gjithmonë e më shumë dhe do të marrë më shumë atribute politike e diplomatike sesa atribute luftarake. Thaçi edhe ku ka qenë, atributet luftarake i thoshte më shumë në komunitet, iu thoshte ‘ne’. Ndërsa pjesa diplomatike është pjesa personale e tij me të cilën u mundua të bashkonte edhe njerëz të tjerë të UÇK-së. Unë mendoj që kuptohet se ata kanë njohje shumë të madhe por ata gabuan në disa raste në Kosovë sepse ata duhet të përfundonin punë më shpejtë në Kosovë dhe të ruanin sa më shumë këmbësorët që të mos i futnin në terren dhe ndodhi ajo që ndodhi”, deklaroi Andoni.

Tutje historiani Andoni, tha se dëshmitarët e mbrojtjes janë të menduar mirë dhe kanë një fije lidhëse që nga James Rubin e tutje, në mënyrë që të dëshmohet se UÇK-ja ka qenë një forcë që vetëm është mbrojtur kundër serbëve.

“Unë besoj që dëshmitë e tyre janë të menduara shumë mirë. Kanë një fije lidhëse që nga Rubin dhe të tjerët, që UÇK-ja ka qenë një forcë që është mbrojtur në formë lokale kundër serbëve dhe ka mundur të bëjë sa më shumë për ta dëmtuar armatën serbe”, deklaroi tutje Andoni.

Gjenerali i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Clark ka thënë se UÇK-ja ishte e përbërë nga grupe lokale të vetorganizuara.

Në dëshminë e tij në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Clark ka theksuar se UÇK-ja më 1998 përbëhej prej grupeve lokale të armatosura të shqiptarëve, krijimi i të cilave është nxitur nga rritja e represionit të Serbisë. 

Clark është dëshmitari i fundit i mbrojtjes.