Nxënësit e klasave të nënta kanë treguar arritshmëri për kopjim. Vetëm pak minuta pasi të enjten ka nisur testi i arritshmërisë, i cili i i teston njohuritë në nëntë lëndë, pyetjet janë shpërndarë në rrjete sociale. Në Ministrinë e Arsimit kanë theksuar se një numër nxënësish janë përjashtuar shkaku i përdorimit të telefonave
Vetëm 10 minuta pasi që testi i arritshmërisë u është shpërndarë nxënësve të klasave të nënta, ai është publikuar në grupe të ndryshme në rrjetet sociale dhe në aplikacione të komunikimit.
Pamjet e testit janë shpërndarë me qëllim të sigurimit të përgjigjeve nga jashtë për 100 pyetjet e parashtruara.
Rreth 24 mijë nxënës në të gjithë Kosovën i janë nënshtruar këtij testimi të premten. Në disa qendra ata që i kanë shkelur rregullat janë përjashtuar nga provimi.
“Menjëherë pas shpërndarjes së testit në klasë, disa nxënës kanë arritur ta fotografojnë testin dhe ta shpërndajnë nëpër rrjetet sociale, mirëpo për këtë shkak janë disa nxënës të përjashtuar nga testi. Në fillim të testimit disa qendra më kanë lajmëruar që i kanë përjashtuar nga testi, mirëpo numrin e saktë nuk e dimë”, ka thënë Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
E nxënësit të cilët e kanë përfunduar provimin, kanë thënë se pyetjet e shtruara nuk kanë qenë të vështira.
“Testi ka qenë tepër i lehtë. Mua më është dukur i lehtë. Ka qenë pak stresues për disa nxënës, por besoj që ata që kanë mësuar kanë për ta kaluar. Nuk kemi pasur mundësi kopjimi, gjithçka ka shkuar në rregull, arsimtarët na i kanë marrë telefonat”, ka thënë nxënësi Yll Morina, pas përfundimit të testit të arritshmërisë.
Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe bashkëmoshatari i tij, Elton Zherka.
“Testi ka qenë shumë i lehtë. I kam ditur të gjitha edhe nuk ka qenë shumë i vështirë, por edhe arsimtarët na ndihmonin nga pak”, është shprehur ai.
Në shkollën fillore e të mesme “Ismail Qemajli” në Prishtinë, e ku janë testuar 250 nxënës të shkollës “Hasan Prishtina”, kanë thënë se procesi është zhvilluar pa ndonjë telash.
“Procesi i testimit ka filluar mirë. Nuk kemi pasur asnjë marrje telefoni ose kopjim, nuk kemi hasur”, ka bërë të ditur Mimoza Krasniqi, drejtoreshë në shkollën “Ismail Qemajli”.
Nxënës të klasave të nënta, të premten janë testuar në nëntë lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Histori, Gjeografi, Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji.
Ky test është vlerësim që nxënësve u bëhet në përfundim të arsimit të obligueshëm fillor dhe shërben si bazë për orientimin e mëtejmë në shkollat e mesme.