Arbëri

Familjet e viktimave të Reçakut kërkojnë që kujtesa të mos shuhet

Para pllakave përkujtimore të viktimave të Reçakut u mblodhën familjarët e 45 të vrarëve për t’i kujtuar të afërmit e tyre në përvjetorin e 27-të të masakrës. Ata vendosën kurora lulesh për të përkujtuar të dashurit e tyre dhe shprehën brengën se ky krim mund të mos i mbijetojë kohës

Në përvjetorin e 27-të të masakrës së Reçakut, familjarët e 45 të vrarëve të mërkurën vendosën kurora lulesh para pllakave përkujtimore të të afërmve të tyre.

Ndër ta ishte Mina Beqiri, të cilës në 15 janarin e 1999-s forcat serbe ia vranë dy djemtë, 12 dhe 15 vjeç si dhe bashkëshortin.

Ajo dha edhe një porosi.

“Edhe i kemi dhënë për liri, për vend të vetin i kemi dhënë. Uroj të bëhet mirë, e të bëhemi të një fjale, ju rinia të mos hiqni kemi qejf. Këta kanë shkuar, kemi dhënë gjak që të keni kujdes për neve pak. Burrin me dy djem e kam këtu, djalin më të vogël 12 vjet”, tha ajo.

E Avdullah Shaqiri, banor i Reçakut shprehu brengën që 15 janari dhe kujtimi për ngjarjet e para 27 vjetëve nuk do t’i mbijetojnë kohës.

“Në Prekaz është nisë, përfundoi në Reçak. Bile bash po më mbet peng pse se bëjnë këtë festë shtetërore Prekazin edhe Reçakun, t’i bëjnë festë shtetërore, le ta dinë edhe rinia kur të vijnë pas 50 vjetësh që në Reçak paska ndodhur diçka”, tha ai.

Në Reçak janë vrarë 45 civilë shqiptarë, e në kompleksin përkujtimor janë 44 varre.

Hasan Metushi që 27 vjet është në kërkim të kufomës së nënës së tij.

Atij i janë zbehur shpresat që një ditë do ta gjejë.

“Mbajmë shpresë që do ta gjejmë dhe do ta varrosim në mesin e këtyre këtu. Por po më duket që shumë pak shpresë, shumë pak shpresë kemi. Sepse po të kishte kufoma më shumë të zhdukura, besoj që dikush do të lajmëronte që në filan vendin janë kaq kufoma, por vetëm ajo, ata e kanë varrosur ku kanë dashur”, deklaroi ai.

E Hidajet Syla çdo vit vjen nga Gjermania t’i kujtojë familjarët që iu vranë para 27 vjetësh.

“I kam dy vëllezër, babanë dhe dhjetë kushërinj të masakruar. Unë jetoj në Gjermani në çdo përvjetor vij në Kosovë”, tha Syla.

Shteti i Serbisë edhe pas 27 vjetësh mohon masakrën e Reçakut, e në Kosovë tek më 30 dhjetor 2025, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte në këtë fshat të Shtimes, me propozimin që të pandehurit të gjykohen në mungesë.

Reçaku mori vëmendje në tërë botën, pasi William Walker, shef i misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në atë kohë, e cilësoi masakrën si krim kundër njerëzimit.

Dy muaj më vonë, NATO nisi fushatën e bombardimeve ndaj forcave serbe.