Arbëri

Ateron aeroplani i parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Ka ateruar të enjten aeroplani i parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Në bordin e aeroplanit, nëpërmjet të cilit është certifikuar pista, ka qenë edhe Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është pjesë e konsorciumit që e ka ndërtuar këtë aeroport. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se aeroporti do t’i sjellë shumë përfitime vendit, sidomos fushës së turizmit

Në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës të enjten ka ateruar aeroplani i parë.
Në fluturimin certifikues të pistës së aeroportit, sipas mediave në Tiranë, i pari që është ulur është aeroplani privat i Behgjet Pacollit, kompania e të cilit ka qenë pjesë e konsorciumit që e ka ndërtuar këtë aeroport.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar qytetarët për funksionalizimin e një tjetër aeroporti në këtë vend.

“Falënderoj edhe grupin e ardhur nga Kosova që është këtu i pranishëm. Dhe të shpreh besimin se kjo shqiponjë dy krenare që është besuar në trupin e Aeroportit të Vlorës me burime njerëzore nga Kosova dhe Shqipëria, do ta ngre shumë lart emrin e këtij aeroporti, për cilësinë e këtij aeroporti”, ka thënë Rama.

Teksa ka folur për përfitimet që do të ketë vendi, sidomos fusha e turizmit, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, Rama ka prekur edhe sfidat me të cilat po përballet ai i Kukësit. 
Rama ka paralajmëruar edhe rinisjen e punës në të.

“Ai aeroport ka pasur sfidë më vete për sigurimin e operatorëve, ka problematikë me korridorin e uljes, nuk është aeroport i thjeshtë. Nuk është gjetur në kohë një ‘akullthyes’, që do të dëshmojë se si aeroport ia vlen. Do të kemi së shpejti një kompani shqiptare që do të nisë fluturimet në aeroportin e Kukësit. ‘Air Kosova’ do të jetë kjo kompani, me dy avionë të krenarisë sonë të përbashkët”, ka theksuar kryeministri i Shqipërisë.

E ish-deputeti, i cili në shkuarën ka mbajtur edhe disa pozita në ekzekutiv, Behgjet Pacolli, ka thënë se ky do të jetë aeroporti më i bukur në rajon.

“Unë e di që një njeri që e do punën e vet, i pëlqejnë gjërat e bukura. Të jetë ky një aeroport si një trashëgimi. Ky aeroport ka tërhequr vëmendjen time. Kam marrë kritika për shtyrjen e afateve, por ky aeroport do të jetë shumë funksional, një aeroport për të cilën kryeministri ynë do të mburret”, ka thënë Pacolli.

Aeroporti është i shtrirë në një sipërfaqe prej 309 hektarësh. Ai ka 3.2 kilometra pistë dhe kostoja e ndërtimit është 140 milionë euro. Për pasagjerë pritet që të hapet gjatë verës. Me këtë, numri i aeroporteve në Shqipëri është rritur në tre.