Arbëri

Autoambulanca e sistemit paralel në veri u shfrytëzua për sulm terrorist ndaj KKZ-së

Përfshirjen e strukturave të sigurisë së Serbisë në sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në fundin e 2022-tës e ka konfirmuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i publikuar ditë më parë. Sulmi terrorist në zyrën e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, siç ka konstatuar gjykata, është ndihmuar edhe nga autoambulanca që barti mjetet shpërthyese

Sirena e alarmit e lëshuar nga strukturat paralele si thirrje për të mbledhur protestuesit, ishte pikënisja e episodit të dhunshëm, në të cilin u sulmua zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut më 6 dhjetor 2022.

Kështu ka konstatuar Gjykata Themelore në Prishtinë në aktgjykimin ku për kryerje të veprës terroriste ka dënuar Milun Milenkoviqin, Aleksandar Vllajiqin dhe Dejan Pantiqin, të cilit ia ricilësoi veprën penale nga “kryerje e veprës terroriste” në “pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm”.

Në këtë rast është shpallur aktgjykim lirues për Miomir Vakiqin.

Trupi gjykues i kryesuar nga Valon Kurtaj ka konstatuar se autoambulanca e sistemit paralel serb u përdor për bartjen e bombave.

“Ambulancat janë përdorur gjatë protestave për bartjen e protestuesve, bartjen e materialeve të rrezikshme, mbështetje logjistike të këtyre grupeve protestuese, të cilat kanë ndërmarrë edhe veprime-akte terroriste, këtë e dokumentojnë provat në shkresat e lëndës, raportet policore, fotografitë pjesë e shkresave të lëndës, ku shihet se këto automjete nuk janë përdorur vetëm në këtë protestë e cila është objekt trajtimi i kësaj çështjeje penale, por edhe në protesta tjera, duke u përdorur si pengesa për bllokim të kalimeve-rrugëve, bartjen e protestuesve, por më e rëndësishmja bartja e materialeve të rrezikshme (shok bomba, molotov, granata dore, armë, etj). Në rastin konkret, po ashtu është përdorur një automjet i emergjencës-ambulantë, ku e njëjta vjen te protestuesit, hapet dera e saj, merret nga ajo veturë diçka e cila të jep të kuptohet se menjëherë pas marrjes së këtyre gjërave bëhet edhe shpërthimi në zyrat e KKZ/KQZ”, thuhet në aktgjykim.

Sipas aktgjykimit çdo lëvizje e zyrtarëve shtetërorë, përfshirë edhe e forcave policore dhe zyrtarëve të KKZ-së, ishte nën vëzhgim në ditën e sulmit.

Gjykata ka gjetur se qëllimi i protestuesve, pjesë e strukturave ilegale, ishte që zgjedhjet lokale të planifikuara për dhjetorin e 2022-tës pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të mos mbaheshin në veri.

Të dy të dënuarit, Dejan Pantiq dhe Milun Milenkoviq, janë ish-policë të Kosovës. Gjykata ka konstatuar se Pantiqi i ka prirë protestës dhe se ka foto që dëshmojnë se ai ishte i uniformuar me ato që bartnin pjesëtarët e Mbrojtjes Civile, organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria.

Vllajiqi, sipas gjykatës, në kohën e kryerjes së veprës penale ishte pjesëtar i BIA-s së Serbisë, e Pantiqi edhe në kohën sa ishte polic i Kosovës paguhej nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Po ashtu, gjykata ka gjetur se i akuzuari Pantiq në telefonin e tij ka ruajtur fotografi me këtë uniformë, ku ka dërguar komunikime-fotografi te të tjerët me këtë uniformë. Nga llogaritë bankare të këtij të akuzuari shihet se i njëjti person pranon pagë si pjesë e këtyre strukturave ilegale dhe atë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, që nënkupton se nuk është i vërtetë dhe i bazuar pretendimi i mbrojtjes se ai është i pensionuar dhe nuk bën pjesë në asnjë strukturë shtetërore të Serbisë”, thuhet në aktgjykim.

Më 28 korrik 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga pesë vjet burgim Milenkoviqin dhe Vllajiqin.

Aleksandar Vllajiq është edhe i dënuari i parë për spiunazh nga shpallja e pavarësisë.

Dejan Pantiq është dënuar me dy vjet burgim. Aktgjykimi është publikuar më 26 janar 2026.