Arbëri

Autoritetet me aksion në 15 biznese për shërbime ilegale me botoks

Policia e Kosovës

Prokuroria dhe Policia e Kosovës po zhvillojnë një aksion të gjerë në rajonin e Prishtinës, për luftimin e shërbimeve ilegale të botoksit.

Aksioni, siç ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, po zhvillohet në 15 lokacione. Aksioni ka për qëllim sekuestrimin e provave që dyshohet se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me “keqpërdorim të detyrës”, “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore” dhe “tregti e ndaluar”. Sipas dyshimeve, në këto lokale është ofruar shërbimi estetik duke përdorur produktin medicinal botoks, edhe pse sipas ligjit, ofrimi i tij duhet të bëhet vetëm nga personeli i certifikuar.

“Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal”, thuhet në njoftim.

Aksioni po mbështetet edhe nga Inspektorati Shëndetësor dhe ai i Tregut.