Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Azemi: Probleme me pagën minimale te kompanitë që punojnë për institucionet shtetërore

Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka ngritur shqetësime lidhur me zbatimin e pagës minimale për punëtorët teknikë dhe të sigurimit, duke shprehur dyshime se disa prej tyre nuk i kanë marrë pagat me rritje.

Të mërkurën në “tre8tre” të KTV-së, Azemi ka thënë se pronari i një kompanie të sigurimit kishte kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që paga minimale për punëtorët të paguhej në vlerë prej 425 eurosh, mirëpo ministria nuk i ka pranuar faturat e paraqitura dhe ato janë kthyer mbrapsht.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai theksoi se deri në orën 11:00 të ditës së sotme, punëtorët e sigurimit nuk i kanë marrë pagat me rritje dhe nuk u është ofruar as kontratë e re që reflekton këtë ndryshim.

“Në fakt pronari i kompanisë ka kërkuar nga Ministria që paga minimale të paguhet 425 euro dhe Ministria e Punës nuk ia ka pranuar faturat, me ç’rast janë kthyer prapa. Sot deri në orën 11:00 punëtorët e sigurimit nuk i kanë marrë këto paga me rritje, as që i është ofruar kontrata me rritje. Megjithatë sindikata ka apeluar që nga 1 janari që të gjitha kompanitë duhet ta bëjnë pagën minimale, kemi problem me kompanitë që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, në këtë rast si me Ministrinë e Punës, si me atë të Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit etj., këtu e kemi problemin, nuk e kemi problemin me ato kompani që nuk kanë të bëjnë asgjë me shtetin”, ka thënë ai. 

Azemi ka shtuar se që nga 1 janari sindikata ka bërë thirrje që të gjitha kompanitë ta zbatojnë pagën minimale, por sipas tij problemet më të mëdha janë pikërisht te kompanitë që ofrojnë shërbime për institucionet shtetërore

“Me përgjegjësi të plotë e themi se ky vendim do të duhej të zbatohej nga 1 shtatori 2024 e deri më tani”, tha Azemi.

Ai ka përmendur edhe rastin e punëtorëve teknikë në Universitetin e Prishtinës, ku rreth 180 punëtorë, sipas tij, ende nuk paguhen me pagën minimale prej 350 eurosh. 

“Punëtorët teknikë në Universitetin e Prishtinës që janë diku 180 punëtorë, edhe sot e asaj dite nuk paguhen me pagën minimale 350 euro, por paguhen me shifrën 260 euro dhe këta punëtorë edhe sot kur po flasim marrin pagë 292 euro”, ka deklaruar ai.

Azemi bëri të ditur se të mërkurën është dorëzuar një listë me 10 kompani tek institucionet përkatëse, të cilat dyshohet se nuk po zbatojnë pagën minimale.

“Nëse nuk fillon respektimi i pagës minimale, ne do t’i drejtohemi Inspektorati i Punës”, ka paralajmëruar ai.