Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajraktari: Gjykimi i katërshes së UÇK-së duhet ta përmbyllë mandatin e Speciales

Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale, krahas shkeljeve të tjera përgjatë këtij procesi, shqetësuese mbetet edhe fakti që vazhdojnë të qëndrojnë në masë të paraburgimit.

Sipas Bajraktarit, së paku nga fillimi i prillit të vitit të kaluar kur edhe ka përfunduar lista e dëshmitarëve të Prokurorisë, ata do të duhej të liroheshin nga kjo masë dhe vendimin përfundimtar ta prisnin pranë familjeve të tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Bajraktari u shpreh se ky vendim do të duhej të ishte lirues.

16 shtatori është përcaktuar si data e shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Paraprakisht, data finale brenda së cilës pritej vendimi ishte 20 korriku.

“As në ligj e as në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikë që është e zbatueshme direkt në sistemin tonë të drejtësisë, në kuadër të së cilës bën pjesë edhe Gjykata Speciale, vendime të tilla nuk kanë bazë (masa e paraburgimit v.j.). Në rrethana normale, katërshja e UÇK-së do të duhej ta priste vendimin pranë familjeve të tyre. Ky vendim do të duhej të ishte lirues sepse nuk është arritur të argumentohet pretendimi i Prokurorisë”, ka thënë Bajraktari.

Bajraktari ka vlerësuar se me përfundimin e procesit gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, do të duhej të përfundonte edhe puna e Speciales ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

“Gjatë procesit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së janë ftuar edhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, herë si dëshmitarë herë si të dyshuar. Vlerësoj që ky do të jetë fundi i procesit, fundi i asaj për çka është themeluar Gjykata Speciale, pavarësisht që edhe para nisjes së saj ka devijuar nga qëllimi dhe ideja. Qëllim kryesor ka qenë zbardhja e pretendimeve të të ashtuquajturave të raportit të Dick Martyt i cili pastaj është bërë rezolutë e Këshillit të Evropës, e që në epiqendër ka qenë Shtëpia e Verdhë, përkatësisht trafikimi i organeve që ka qenë çmenduri të mendohet se aso kohe janë kryer veprime të tilla”, ka thënë avokati.

Avokati Bajraktari ka kujtuar se ish-krerët e UÇK-së, kanë qëndruar në masë të paraburgimit nga nëntori i vitit 2020 deri në fillim të prillit të vitit 2023 dhe përgjatë asaj periudhe janë mbajtur disa të ashtuquajtura seanca statusore të cilat kanë qenë risi në kuadër të kësaj Gjykate.

Sipas Bajraktarit “kjo ka qenë mbase edhe ngritja e shqetësimit të parë se kjo gjykatë ka implikime edhe të faktorëve të jashtëm.”

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Mbrojtja e viktimave, që përfaqëson 156 viktima pjesëmarrëse, filloi paraqitjen e provave të saj në korrik 2025, ndërsa ekipet e mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit paraqitën provat e tyre midis shtatorit dhe dhjetorit 2025. 

Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor 2025. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga ekipet e Mbrojtjes. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 9 deri në 18 shkurt 2026. 

Procesi i gjykimit të tyre është vlerësuar edhe nga ekspertë ndërkombëtar se ka pasur shkelje duke filluar nga masa e stërzgjatur e paraburgimit.