Shefja e Grupi Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se ata e mirëpresin takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për dalje nga ngërçi i krijuar në Kuvend.
Sipas saj kjo si iniciativë ka qenë e LDK-së.
“Është lajm i mirë që partitë politike po ulen së bashku, të ftuara nga presidentja, edhe pse iniciativa për t’u ulur bashkë e për të diskutuar për të dalë nga kriza që e ka krijuar LVV-ja ka qenë propozim i yni”, është shprehur Bajrami.
Ajo ka thënë se kryetari Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe do ta shpalosë në detaje idenë.
Bajrami ka thënë se përgjegjësitë në qeverinë gjithëpërfshirëse do të ndaheshin bazuar në rezultatin zgjedhor
“Nëse partitë politike e përkrahin, besoj që takimet në vazhdim, nëse e përkrahin idenë, janë për detaje të tjera, për afatet, për listën e prioriteteve dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për ndarje të pozitave sepse konsideroj që kjo do të ishte e lehtë sepse në një qeveri gjithëpërfshirëse ndarja e përgjegjësive do të mund të bëhej komplet në bazë të përqindjes së rezultateve të votave ... Nuk kemi vendosur, kushte, nuk kemi kërkuar dikastere as se kemi diskutuar këtë”, ka theksuar Bajrami, pas dështimit të 16-të të konstituimit të Kuvendit.
