Për herë të 16-të të enjten, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Ngërçi sërish mbeti te votimi për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. 55 vota ishin për, një kundër dhe nuk pati abstenime. Seanca u shty për 17 maj në orën 10:30.
Peci: Po bëjmë vazhdimisht përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin
Deputeti i LVV-së, Faton Peci, ka thënë se po bëhen përpjekje të vazhdueshme nga partia në pushtet për ta zhbllokuar ngërçin politik.
Ai këmbënguli se emri i Albulena Haxhiut nuk është problemi.
“Ne si grup parlamentar në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje për zhbllokim të kësaj gjendje. Jemi duke kryer detyrimet tona ligjore e kushtetuese, jo vetëm duke marrë pjesë, por duke marrë pjesë edhe në proces të votimit. Është shumë e rëndësishme të potencohet se meqë ka sot përfolje të vazhdueshme për ta ndërruar emrin e kandidates për kryeparlamentare, ne nuk kemi ardhur te propozimi i emrit. Ne kërkojmë një herë proces të votimit të fshehtë. Emri i Haxhiut nuk është problemi, jemi duke i hyrë në hak pa nevojë. Pjesë e përpjekjeve tona është edhe ftesa që u dërgoi Kurti liderëve të PDK-së e LDK-së”, ka thënë ai.
Peci foli edhe për takimet e sotme me presidenten Vjosa Osmani.
“Shpresoj që dilet me propozime që është rrugëzgjidhja, edhe pse në masë të madhe dihen propozimet”, ka shtuar ai.
Bajrami: Përgjegjësitë në qeverinë gjithëpërfshirëse do të ndaheshin bazuar në rezultatin zgjedhor
Shefja e Grupi Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se ata e mirëpresin takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për dalje nga ngërçi i krijuar në Kuvend.
Sipas saj kjo si iniciativë ka qenë e LDK-së.
“Është lajm i mirë që partitë politike po ulen së bashku, të ftuara nga presidentja, edhe pse iniciativa për t’u ulur bashkë e për të diskutuar për të dalë nga kriza që e ka krijuar LVV-ja ka qenë propozim i yni”, është shprehur Bajrami.
Ajo ka thënë se kryetari Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe do ta shpalosë në detaje idenë.
Bajrami ka thënë se përgjegjësitë në qeverinë gjithëpërfshirëse do të ndaheshin bazuar në rezultatin zgjedhor
“Nëse partitë politike e përkrahin, besoj që takimet në vazhdim, nëse e përkrahin idenë, janë për detaje të tjera, për afatet, për listën e prioriteteve dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për ndarje të pozitave sepse konsideroj që kjo do të ishte e lehtë sepse në një qeveri gjithëpërfshirëse ndarja e përgjegjësive do të mund të bëhej komplet në bazë të përqindjes së rezultateve të votave ... Nuk kemi vendosur, kushte, nuk kemi kërkuar dikastere as se kemi diskutuar këtë”, ka theksuar Bajrami, pas dështimit të 16-të të konstituimit të Kuvendit.
Kadrijaj u sugjeron mediave të “abstenojnë” seancat konstituive
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u ka sugjeruar mediave të abstenojnë mbledhjet e Kuvendit për seancat konstituive pasi nuk po prodhojnë asgjë.
“Cirk kjo që po ndodh. S’ka asnjë ndryshim. Është dhënë alternativa, por VV-ja është lidhur me një emër. Këta s’po tentojnë me ndryshu, me këqyr a ka një kandidat që e merr shumicën. Mirë që s’po ia boni ju (mediat) si ambasadorët, që nuk po dërgojnë përfaqësues në këto seanca. Ndoshta kish qenë mirë me abstenu edhe ju sepse nuk po prodhojnë asgjë”, ka thënë ajo.
Krasniqi i bën thirrje Kurtit: Ndërro kandidaten, nuk do t’i marrë asnjëherë 61 vota
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përsëritur thirrjen që Lëvizja Vetëvendosje ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare në mënyrë që të zgjidhet ngërçi politik.
Krasniqi ka thënë se është e pakuptueshme se si një kandidat mund të jetë më i rëndësishëm se gati 1 milion qytetarë që kanë votuar.
“Ky është serial i turpshëm i pengmarrjes institucionale që po e realizon VV-ja, me bllokimin jo vetëm të konstituimit, por edhe të krijimit të institucioneve sipas verdiktit të qytetarëve. Fiks një muaj më parë, jemi mbledhur këtu dhe jemi një muaj më vonë dhe shumë muaj pas zgjedhjeve, dhe jemi në bllokadën që po e mban partia në pushtet. Kjo është e tepërt. Edhe një herë i bëj thirrje VV-së dhe deputetit Kurti ta ndërrojë kandidaten që i merr herë 55, herë 56, herë 53 vota sepse nuk do t’i marrë 61. Është e pakuptueshme se si një kandidat mund të jetë më i rëndësishëm se gati 1 milion qytetarë që kanë votuar”, ka thënë ai pas dështimit të 16-të.
Dështon tentimi i 16-të për konstituimin e Kuvendit
Për herë të 16-të të enjten, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Ngërçi sërish mbeti te votimi për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
55 vota ishin për, një kundër dhe nuk pati abstenime.
Seanca u shty për 17 maj në orën 10:30.
Deputetët i pret letra nga Kushtetuesja
Deputetëve të Kuvendit të Kosovës të enjten u është dorëzuar një shkresë e Gjykatës Kushtetuese, ku ata janë njoftuar se mund t’i dërgojnë komentet lidhur me kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit për mosvotimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të dërguar nga AAK-ja.
Njoftimi i zëvendëssekretarit të Kuvendit Arben Loshi, u është shpërndarë deputetëve në sallën plenare ku sot pritet të bëhet tentimi i 16-të për konstitutim të Kuvendit.
“Bashkëngjitur me këtë shkresë, ju dërgoj njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për regjistrimin e kërkesës KO124/25, të parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ‘Vendimit të datës 5 maj 2025 për mosvotimin e formimit të Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës’. Deputetët e Kuvendit mund t’i parashtrojnë komentet e tyre me shkrim, nëse kanë lidhur me kërkesën e lartcekur, jo më vonë se më 19 maj 2025”, thuhet në njoftim.
Murati: Shpresojmë që të ketë reflektim dhe të konstituohet Kuvendi
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se shpreson që sot do të ketë reflektim të partitive politike dhe të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive, Murati është pyetur se a ka pasur diskutime gjatë 48 orëve për situatën e krijuar.
Ai ka theksuar se “tentativat kanë qenë publike dhe transparente”.
“Ju i keni parë të gjitha tentativat tona, kanë qenë edhe publike dhe transparente. Janë bërë edhe në media janë paraqit, që ne kemi tentuar që të gjejmë forma dhe mënyra të bashkëpunimit. Kemi ftuar partitë politike për të diskutuar për konstituim të kuvendit, jo vetëm pozitën e kryetarit por edhe të nënkryetarëve, sepse edhe ato duhet të votohen me 61 vota. Kemi parë që nuk ka fort mirëkuptim, sepse ka parti që ose insistojnë në ndryshim të kandidatëve, por jo duke dhënë ndonjë informatë ose arsye konkrete se pse duhet të bëhet kjo. Apo kemi parë raste siç është LDK, apo partitë tjera që refuzojnë fare të marrin pjesë në takime, qoftë në votime. Shpresojmë që sot do të ketë reflektim në mënyrë që të ecet tutje dhe të konstituohet Kuvendi”, është shprehur ai./KP
Zemaj: Qeveria tranzicionale e domosdoshme
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se formimi i një qeverie tranzicionale është e domosdoshme, edhe pse kalimtare.
Para nisjes së seancës së sotme konstituive, Zemaj u shpreh se partia e parë duhet të reflektojë.
“Pa marrëveshja politike, s’ka zgjidhje. Qëndrimi i LDK-së është i qartë, edhe te presidentja, edhe në seancë. Ne kemi ofruar zgjidhje që mendojmë se është e domosdoshme, edhe pse kalimtare për ta kaluar ngërçin dhe për t’i afruar institucionet e Kosovës. Tani ka tentativë për kapjen e institucioneve të Kuvendit dhe kjo është e dëmshme për zhvillimet që janë në Kosovë. Çmimet kanë dalë jashtë kontrolle. Dhe kjo është thirrje për partinë e parë që të reflektojë”, ka thënë ai.
Berisha: Nuk presim ndonjë rezultat nga takimi me presidenten
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, para seanca së sotme konstituive, ka thënë se si parti nuk presin ndonjë rezultat nga takimi konsultativ mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarëve të partive politike.
“Në fakt, duhet të konsumohen edhe këto dy veprime: ftesa nga presidentja dhe një pyetje që ia kemi bërë Gjykatës Kushtetuese. Nuk kam ndonjë shpresë që do të zgjidhet diçka te presidentja, sepse partitë politke janë deklaruar para takimit”, ka thënë ai.
Osmani sot do të takohet me liderët e disa prej partive politike, me të cilët do të diskutojë për mundësinë e daljes nga ngërçi politik.
Sot do të bëhet tentimi i 16-të për konstituimin e Kuvendit.