Arbëri

Banorë të disa fshatrave në Ferizaj thonë se “Bifurkacioni” u faturon pagesa pa u ofruar shërbime

Banorët e disa lokaliteteve në Ferizaj po ankohen se me gjithë që prej vjetësh nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” u ka dërguar paralajmërime se do të përfundojnë te përmbaruesit, shkaku i borxheve. Ata kërkojnë që kompania ta shqyrtojë vendimin, pasi pretendojnë që borxhi u është faturuar pa ofrimin e shërbimeve

Jakup Maksuti nga Kosharja e Ferizajt ankohet se bashkë me banorët e tjerë të fshatit po obligohet t’i paguajnë faturat e ujit, ani se prej vjetësh përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Banorët thonë se nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” janë njoftuar që lëndët e tyre mbi mospagesën e ujit do të përfundojnë te përmbaruesit.

Ata pretendojnë se kompania asnjëherë nuk ua dërgoi faturat, por që në njoftime e pranuara, për secilën familje janë përfshirë borxhe prej rreth një mijë eurosh.

“Ata duhet të dinë se kur s’ka ujë, as pagesë të mos faturojnë. Le ta sjellin ujin te shtëpia, atëherë ne e paguajmë, siç po e paguajmë rrymën e mbeturinat. Pra, edhe ujin e paguajmë, por jo të shkojmë në Jezercë e në Ferizaj për të marrë ujë të pijshëm. Ata duhet ta dinë vetë, por jo kështu. Përmbaruesi duhet t’i dijë disa gjëra dhe duhet të dalë dhe të pyesë popullin, sepse nëse unë ia kam inati, atëherë të gjithë fshati do t’i thotë këto fjalë”, ka thënë Maksuti.

Sadik Qerimi, përfaqësuesi i fshatit, thotë se shumica e banorëve prej vjetësh kanë hapur puse për furnizim me ujë, shkaku i mungesës së furnizimi nga “Bifurkacioni”. Ai bëri të ditur se këshilli i fshatit tani po përgatit padi ndaj kompanisë.

“Për këtë arsyeje kemi pasur takim me banorët, të cilët e kanë paraqitur stresin dhe ankesat e tyre lidhur me këtë çështje që nuk është reale dhe në fakt janë të shqetësuar, sepse në mënyrë të padrejtë po iu dërgohen faturat te përmbaruesi. Në anën tjetër, nuk kemi pasur ujë dhe këtë punë e dinë shumë mirë ‘Bifurkacioni”, ka thënë Qerimi.

Me gjendje të njëjtë po përballen edhe banorët e disa fshatrave të tjera të zonës.

“Banorët e fshatrave Koshare, Slivovë e Kosinë, e kam potencuar vazhdimisht, se nuk kanë ujë të pijshëm. Uji vjen zakonisht gjatë sezonit të dimrit dhe me sasi të vogël. Pra, kur nevojitet uji gjatë zezonës së verës, këta banorë nuk kanë ujë të pijshëm dhe për pastrim. Ky borxh është faturuar ‘paushall’ dhe asnjëherë, asnjë banor nuk ka pranuar ndonjë faturë nga kompania ‘Bifurkacioni”, ka thënë Amir Rexhepi, kuvendar i LVV-së.

Në “Bifurkacioni”, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, thanë se deri në vitin 2022, zona ka pasur reduktime vetëm gjatë verës nga ora 22:00 deri në ora 07:00, shkaku i shpenzimeve të mëdha të ujit. Porse më 2022 janë bërë investime, bashkë me Komunën e Ferizajt, për rritjen e sasisë e ujit.

Zyrtarë të kompanisë bënë të ditur se konsumatorëve me borxhe deri më tani u janë dërguar vetëm vërejtje për pagesën e borxhit, bazuar në shpenzimet që regjistrohen me ujëmatës.

“Ne deri më tani nuk kemi dërguar asnjë konsumatorë të fshatit Koshare në përmbarues, ne deri më tani kemi dërguar vetëm vërejtje për çdo konsumator, i cili ka obligime ndaj KRU-B. Faturimi bëhet në bazë të shpenzimeve të ujit, të cila regjistrohen në ujëmatës, KRU-B nuk bën faturim paushall e sidomos që nga viti 2018 është dhe vendimi i ARRU për heqjen e faturimit paushall”, thuhet në përgjigjen e KRU “Bifurkacioni”.

Banorët ndërkaq i kërkuan kompanisë që t’ua shqyrtojë ankesat për shlyerje të borxheve të faturuara përderisa nuk kanë bërë shpenzime të ujit.