Arbëri

Banorë të “Kodrës së Trimave” kërkojnë kanalizim e asfaltim të rrugës

Disa lagje në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë ankohen se nuk kanë as rrugë e as kanalizim. Sipas tyre, komuna ka nisur një projekt para dy vjetësh, por ai është ndërprerë. Për më tepër, pjesët anësore të rrugës së paasfaltuar janë shndërruar edhe në deponi mbeturinash

Kjo është gjendja e rrugës që lidh lagjet “Besnik Lajçi” me ato “Nexhmi Llumnica” e Bedri Ahmeti” në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Banorët thonë se para dy vjetësh nisi një projekt për ndërtimin e kësaj rruge dhe të rrjetit të kanalizimit, por punimet u ndërprenë.

Ata shprehën edhe shqetësimet se lagjja e tyre që ndodhet afër rezervarit të ujit të pijshëm është shndërruar në deponi mbeturinash.

Albert Salihu tha se familja e tij dhe disa të tjera një pjesë të pronës ia dhanë komunës që projekti të jetësohet, por deri tash asgjë.

“Kjo rrugë është shumë e rëndësishme për shkak se mundëson lidhjen e pjesës periferike të kodrës së trimave dhe në dalje të Kolovicës . është rrugë shumë e rëndësishme e cila e lehtëson tejmase neve lidhshmërinë po ashtu edhe e kish zvogëluar kohen për qasje se ndoshta 15 minuta duhet ti shpenzojmë për të kaluar nëpër rrugë tjera, andaj kjo rrugë është shumë e rëndësishme, por fatkeqësisht nuk është duke u rregulluar”, tha Salihu.

Banori tjetër i lagjes “Besnik Lajçi”, Fadil Kastrati, ka edhe hallin e kanalizimit, pos rrugës.

“Janë shqetësimet së pari të rrugës e cila ështe bërë me gropa e me baltë dhe nuk po kemi kah të kalojmë, kur bjen bor ne e hapim rrugen vetë sepse nuk vjen askush këtu. Nuk kemi informacione asgjë pse nuk është asfaltuar , ja ka nis qe një vjet apo dy vjet por ka mbetur në gjysmë dhe nuk e di kush e ka ndërpre. Për kanalizimin vec e kam hap një grop dhe e kam mbulu, po nësë rregullohet rruga shpëtojmë prej kanalizimit dhe shpëtojmë prej tanave”, tha Kastrati.

Për ankesat e qytetarëve, KOHA ka nisur pyetje të mërkurën, në Komunën e Prishtinës dhe te drejtori për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, por nuk ka marrë përgjigje.