Arbëri

Banorët e Gërlicës në hall nga ujërat e zeza që rrjedhin nga qyteti i Ferizajt

Prej vitesh banorët e Komunës së Ferizajt ankohen se nuk u është bërë zgjidhje telasheve të tyre me ujërat e zeza që u derdhen pranë shtëpive nga qyteti. Drejtues të Komunës njoftuan se projekti i planifikuar për ndërtimin e një kolektori ka dështuar, si pasojë e bllokadës nga Ministria e Financave dhe ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. E në këto dy instanca nuk iu përgjigjën prej ditësh pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje

Banorët e Gërlicës së Ferizajt prej vitesh ankohen për ndotjen e ambientit dhe të tokave bujqësore, pasi ujërat e zeza të qytetit derdhen afër shtëpive të tyre për të kaluar në lumin Nerodime drejt Kaçanikut.

Si pasojë e ndotjes, banorët thonë se rrezikohen nga sëmundjet, ngase vërshimet nga ujërat e zeza depërtojnë në afërsi të shtëpive të tyre.

Ata thonë se vite më parë iu premtua ndërtimi i një kolektori për trajtimin e ujërave të zeza të qytetit dhe lokaliteteve përreth, porse deri më tani nuk është bërë gjë në këtë drejtim.

“Po, kemi probleme sepse neve po na vërshojnë këto ujëra të zeza. Andaj, janë jo të mira këto punë, sepse ka pasur Qeveria e Kosovës ta ndërtonte një impiant por nuk është realizuar dhe nuk i dimë arsyet. Ndërkaq, ne po kemi pasoja e problemet po i pësojmë ne qytetarët. Ndryshe siç po shihet shumë gjëra po shkojnë në rrugën e gabuar, nuk po na mbetet të jetojmë në këtë fshat, duhet të dalim të jetojmë në fshatra të tjera”, ka thënë Milaim Selimi, banor i Gërlicës.

“Ujëra të zeza, sepse prej gjithë fshatit Gërlicë dhe një pjesë e qytetit të Ferizajt që vijnë nëpër fshatin tonë është bllokuar gypi i kanalizimit. Sepse është dëmtuar nga punimet e hekurudhës, pastaj edhe këtu është bllokuar dhe nuk e ka rrjedhën siç ka qenë më herët në lumin Nerodime. Unë me familjen time e kemi shumë problem, sepse i dërgojmë fëmijët në shkollë. Unë çikën e djalit e kam në shkollë dhe si të kalojmë nëpër këtë ujë. Për çdo ditë laje e shpërlaje, sepse është uji i kanalizimit”, ka thënë Agim Selimi, banor i Gërlicës.

Në Komunën e Ferizajt thanë se projekti i planifikuar për ndërtimin e kolektorit, në vlerë prej rreth 40 milionë eurosh, në marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Hungarisë, tashmë ka dështuar.

Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, tha se ai u bllokua nga Ministria e Financave dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Pas kalimit të dy dokumenteve që është dashur të kalojnë në dy qeveritë respektive, atë të Kosovës dhe atë të Hungarisë, e po ashtu edhe nga Kuvendet reciproke, atë të Kosovës dhe atë të Hungarisë, në fund ka dështuar nga Ministria e Financave dhe tashmë mund të themi se i gjithë ai angazhim dhe ajo që ka ndodhur për vite të tëra është kthyer në piken zero”, ka thënë Aliu.

E në Ministrinë e Financave dhe në atë Mjedisit prej disa ditësh nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë çështje.